Të izoluar nga bora nga Veriu në Jug dhe pa energji elektrike!

Reshjet e dëborës, temperaturat dhe ngricat kanë izoluar vendin nga veriu në jug. Krahas problemeve në qarkullimin e mjeteve, shqetësime të tjera ka patur edhe në furnizimin me energji elektrike.
Fatmirësisht deri në këto momente nuk janë raportuar raste të emergjencave shëndetësore. Ndërkohë vijojnë të trajtohen me kripë akset kryesore që lidhin rajonet e ndryshme të vendit.
Gjendja në Pukë
Reshjet e dëborës kanë paralizuar qarkullimin në gjithë fshatrat e Pukës, ndërsa reshjet kanë shkaktuar vështirësi qarkullimi edhe në akset nacionale.
Situata në Korçë e Dibër
Si pasojë e kësaj gjendjeje, procesi mësimor në ditën e sotme është pezulluar. Edhe qarku i Dibrës është i bllokuar në rrugët e fshatrave dhe trashësia e dëborës arrin deri në 1 metër. Aksi nacional është i kalueshëm pa zinxhirë ndërsa të gjitha akset e tjera janë të kalueshme me zinxhirë.
Nga moti i keq dhe kushtet e vështira atmosferike, edhe në qarkun e Korçës raportohen problematika në qarkullim. Trashësia e dëborës në zonat malore shkon në 90 cm, ndërsa në qytet në 30 centimetra. Te izoluar mbeten shumë fshatra. Energjia elektrike që mungon nga mbrëmja e djeshme janë Vithkuq , Lekas, Moglice, Panarit, Podgorie, Vreshtas, Sheqeras, Shengjergj, Dardhas.
Situata në Kukës
Reshjet e dëborës janë shoqëruar gjithashtu me problematika në qarkun e Kukësit, ndërsa shumë vende të thella malore janë të bllokuara dhe trashësia e dëborës arrin mbi 50 centimetër. Kjo gjithashtu është shoqëruar edhe me mungesë të furnizimit me energji elektrike.

Gjendja në qarkun e Lezhës
Situata në Qarkun e Lezhës vijon të jetë problematike ne disa zona. Në Mirditë është ndërprerë mësimi në te gjitha shkollat dhe Rruga e Kombit ka prezencë të dëborës, por pa penguar lëvizjen e mjeteve. Gjithashtu situata raportohet më e qetë në Kurbin. Reshje dëbore me intensitet të lartë ka patur në zonën e Gallate. Rrugët janë të gjitha të kalueshme në Lezhë dhe procesi mësimor vijon pa ndërprerje.
Situata në Librazhd
Shkollat në Librazhd dhe Prrenjas janë të mbyllura. Aksi i rrugës nacionale dhe të gjitha rrugët rurale janë te kalueshme, ndërsa procesi mësimor vazhdon normalisht. Ndërkohë zonat e thella nuk kanë probleme me energjinë elektrike.
Gramsh
Pas situatës problematike të shkaktuar dje nga reshjet e dendura të borës, gjendja në Gramsh është përmirësuar. Gazetari Shkëlzen Henkoja raporton për ‘BalkanËeb’ se mësimi aktualisht vijon në të gjitha shkollat. Ndërkohë është bërë e mundur hapja e rrugëve në të 9 qendrat administrative.
Situata në Gjirokastër
Edhe në Gjirokastër vijon të jenë të pranishme problematikat një ditë pas reshjeve të dendura të dëborës. Akset nacionale janë të gjitha të kalueshme pas shiut që nisi pasditen e së mërkurës dhe borëpastrueseve në terren. Zonat rurale dhe ato malore janë ende të bllokuara. Informacionet e përditësuara raportojnë për rikthim të energjisë në disa prej zonave. Rruga e njësisë administrative Kurvelesh vazhdon të jetë e bllokuar dhe pa energji elektrike.

Po kështu edhe në fashtin Dukaj, Tepelenë, në disa fshatra në bashkinë Memaliaj dhe fshatrave të njësisë administrative të Frashërit ku grupet e avarisë po marrin masa për konstatimin dhe riparimin e difekteve. Rruga nacionale Tepelenë – Gjirokastër – Kakavije u bë e kalueshme prej natës së mbrëmshme duke normalizuar edhe qarkullimin për në doganën e Kakavijës që ka funksionuar normalisht.
Shqetësuese mbetet situatë në qytetin e Gjirokastrës ku është pothuajse i pamundur kalimi për këmbësoret, por edhe për automjetet edhe pse rrugët kryesore ndërqytetëse janë të pastruara. Zona muzeale është e bllokuar dhe e pakalueshme si pasojë e sasisë së madhe të borës dhe mungesës së pastrimit të rrugëve. Në të gjithë rrethin e Gjirokastrës është pezulluar zhvillimi i procesit mësimor, ndërsa i plotë zhvillimi i mësimit është kryer vetëm në bashkitë Tepelenë dhe Memaliaj.
Në spitalin e qytetit ka patur raportime për 4 persona me fraktura ditën e djeshme, ndërsa është kërkuar ndihmë për transport të personave që kryejnë dializën, të cilët janë transportuar me ndihmën e forcave zjarrfikëse dhe ambulancave të spitalit.
Të paktën dy blegtorë janë raportuar se kanë mbetur të izoluar, një në Dishnicë të Përmetit me 1000 krerë bagëti dhe një në Glinë, në zonën e Dropullit, në Gjirokastër, me 400 krerë bagëti. Ende askush nuk ka marrë asnjë masë konkrete për zhbllokimin e tyre.

9bd289a9 40ba 41a4 aec1 73c53ae9e765