Rrjedh Nazarko, ja çfarë u thotë studentëve: Ta kishit djegur kryeministrinë do vija me ju…

Diskutimi për protestën studentore ka sjellë replika të forta mes studentëve dhe analistit Shpëtim Nazarko në studion e emisionit ‘Argument’ në Scan Tv.
Studentët paralajmëruan se do të vijojnë protestat deri në plotësimin e 8 pikave duke mos negociuar. Kjo ka sjellë reagimin e analistit Shpëtim Nazarko që e ka cilësuar si të papranueshëm aktin e studentëve që mbyllën universitetet.
“Nëse ju propozohet dialog duhet ta pranoni. Ju vini me ato 8 pika, 4 nga ato janë litar me dhe që do të thotë se nuk bëhen kurrë. Ku keni dëgjuar ndonjëherë që ju të keni fuqi të barabartë me pedagogun?! Keni bërë një krim që mua më vjen turp. Sikur t’i kishit vënë zjarrin kryeministrisë do kishit bërë mirë por që i keni vënë drynin universitetit, keni bërë turp. Ta kishit djegur kryeministrinë do vija me ju. T’i vini drynin universitetit është turp”, tha Nazarko.
Kjo ka sjellë reagimin e studentëve që kanë evidentuar se mbyllja e universiteteve ka qenë një veprim simbolik.
“Kjo nuk është protestë kundër qeverisë. Mbyllja e dyerve ka qenë hap simbolik. Ne kemi qenë të vendosur që ditën e parë që do të ketë protestë dhe bojkot deri në realizimin e pikave. Dhe bojkoti është një formë protestë dhe akti i kyçjes së dyerve të universiteve ka qenë simbolikë dhe mund të hapeshin direkt. Ne kemi kërkesa bazike. Do të jemi fuqishëm në mbështetje të kërkesave tona në çdo pikë. Ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë me ngulm” u shprehën disa prej studentëve protestues të pranishëm në emisionin “Argument”.
Sa i përket të ardhmes së protestës, studentët u shprehën se ecuria e saj do të vendoset nga të gjithë studentët sëbashku.