Mashtrimi i Ramës, del njoftimi në Universitete: Studentët do paguajnë të plota tarifat

Mesa duket, premtimi i kryeminstrit, për uljen e 50 përqind të vlerës vjetore për të gjithë studentët e bachelor, ka qënë një mashtrim i madh. Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë kanë shpërndarë ditën e sotme në rrjetet sociale një njoftim, i cili u ka ardhur nga drejtuesit e kësaj shkolle sipas të cilit deri në datën 28 Janar duhet të paguajnë tarifat e plota të shkollës.
Është e paqartë se çfarë po ndodh ndërkohë që protesta vazhdon, por kryeministri Edi Rama në disa dalje publike ka deklaruar “me gojën plotë”, se duke filluar që nga muaji Janar i këtij viti tarifat për studentët bachelor do të bëhen 50% të vlerës vjetore të mëparshme.
Në muajin Dhjetor kur studentët kishin vetëm disa ditë që protestonin, vetë kryeministri Rama deklaroi, se kërkesat e tyre do të plotësohet ndërsa theksoi se VKM për pagesë shtesë për provimet e mbartura u hoq, e ndërsa sa i takon kërkesës për përgjysmim të tarifës ai ka deklaruar se këtë vit do të paguajnë të gjithë studentët e bachelor 50% të tarifës vjetore ndërsa vitin e ri akademik, do të ndahen në kategori studentësh.