Manchester United shkarkon trajnerin José Mourinho

Manchester United ka pushuar nga puna trajnerin José Mourinho, pas humbjes pësuar të dielën në Liverpool, duke i dhënë fund marrëdhënies me portugezin, nisur në maj 2016.
Sezoni aktual ka ecur shumë keq për Red Devils dhe në këtë moment United është 19 pikë pas Liverpool-it kryesues, rekord që kur është krijuar Premier League, në 1992.
Ditët e fundit Mourinho deklaroi se edhe vendi i katërt do të ishte një sukses, duke parë si po ecën ky sezon, diçka që ka tërbuar tifozët dhe ka bërë të sosë durimi edhe nga drejtuesit e klubit.
Manchester United ka pushuar nga puna trajnerin Jose Mourinho dhe tashmë ka nisur puna për të gjetur pasuesin e tij. Jemi në mesin e sezonit dhe është e qartë që në gjendjen aktuale vështirë se ndonjë trajner me emër do të merrte përsipër nxjerrjen e Djajve të Kuq nga kriza, ndaj pritet emërimi i një trajneri të përkohshëm, deri në fund të sezonit.
Emri i përzgjedhur, të paktën sipas mediave angleze, është ai i ish-mesfushorit Michael Carrick, i cili deri tani ka qenë pjesë e stafit drejtues dhe është një personalitet i respektuar nga tifozët dhe lojtarët.
Lajmin për emërimin e një trajneri të përkohshëm e dha vetë Manchester United, në komunikatën e pushimit nga puna të Jose Mourinho-s: “Një trajner i përkohshëm do të emërohet deri në mbyllje të sezonit, ndërsa klubi do të kryejë një proces të plotë rekrutimi për një trajner të ri”.
Mourinho e la United në vendin e gjashtë, me 19 pikë më pak se Liverpool-i kryesues. Të shtunën United do të vizitojë Cardiff-in dhe aty pritet të debutojë Carrick, i cili nis karrierën si trajner me detyrën më të vështirë të mundshme, pak a shumë si Santiago Solari në Madrid.