Rusia i jep urdhër NATO-s: Ndërhyni menjëherë dhe shpërbëni ushtrinë e Kosovës

Ministria e Jashtme e Rusisë ka dënuar lëvizjet për formimin e Ushtrisë së Kosovës, dhe përmes një deklarate thotë se ajo duhet të shpërbëhet.
Në këtë deklaratë të lëshuar sonte mbrëma, thuhet se paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO’ja në Kosovë, duhet të marrin masa të menjëhershme për të, siç thuhet aty, çmilitarizuar dhe shpërbërë çdo formacion të armatosur kosovarë-shqiptarë.
Rusia, që është aleate e Serbisë, ka mbështetur Beogradin qysh kur kjo e fundit ka refuzuar pavarësinë e Kosovës.
Ministria e Jashtme e Rusisë gjithashtu dënon deklaratat e disa zyrtarëve perëndimorë që thonë se Ushtria e Kosovës do të jetë njëjtë me Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar pas formimit të ushtrisë së Kosovës, duke shprehur keqardhje që ky vendim u bë pavarësisht shqetësimeve të NATO-s si dhe, sipas tij, vendimi i sotëm nuk duhet të rrisë tensione në rajon.
“Sot, institucionet në Kosovë kanë njoftuar miratimin e tre ligjeve që iniciojnë procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Më vjen keq që ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Ndërkohë, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në parim një çështje që Kosova të vendosë, ne kemi bërë të qartë se ky veprim është i gabuar”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka shtuar se pas këtij vendimi NATO-ja duhet ta rishqyrtojë mbështetjen për ushtrinë e Kosovës.
“NATO-ja mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut tani duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës. NATO-ja mbetet e angazhuar përmes KFOR-it për një mjedis të sigurt dhe të sigurt në Kosovë dhe për stabilitetin në Ballkanin më të gjerë perëndimor”, ka thënë shefi i NATO-s.
Ai, po ashtu, ka bërë thirrje për paqe dhe të vazhdohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
“Të gjitha palët duhet të sigurojnë që vendimi i sotëm nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon. Të gjithë aktorët politikë përgjegjës në rajon duhet të përqendrohen në përparimin e reformave dhe në dialog. E përsëris thirrjen time për Prishtinën dhe Beogradin që të mbeten të qetë dhe të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që mund të çojë në përshkallëzim. NATO-ja vazhdon të mbështesë dialogun e sponsorizuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës si zgjidhja e vetme politike e qëndrueshme për rajonin”, ka thënë Stoltenberg.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës sot me vota unanime ka themeluar ushtrinë e Kosovës.