Maskat me armë në mes të Tiranës, tregtari Alushi: Më goditën pas koke e më grabitën

Pasiguria ka mbërritur deri në qendër të kryeqytetit. Maskat me armë tani po bëjnë ligjin jo vetëm në qytete të tjera por edhe në kryeqytet. Kjo është një ngjarje e rëndë ka precedent të ngjashëm vetëm me ato të vitit 1997 kur vendi ishte në duart e bandave.
Tregtari i sulmuar nga tre persona me maska dhe armë ka deklaruar se është goditur pas koke nga banditët të cilët e kanë grabitur duke i marrë paratë dhe mallin.
Grabitja me armë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit pranë Qytetit të Nxënësve.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se 3 persona të maskuar me kapucë kanë sulmuar një tregtar në tregun ushqimor dhe nën kërcënimin e armëve i kanë marrë lekët e xhiros që kishte në dyqan, si dhe disa steka cigaresh.
Ka qenë vet pronari i biznesit që ka sinjalizuar policinë për rastin, ndërsa kjo e fundit shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes. Më pas ai u shoqërua në komisariat për të dhënë dëshminë e tij. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.
“Në zonën e “Tregut ushqimor”, persona të paidentifikuar nën kërcënimin e një sendi në dukje si armë, i kanë vjedhur pronarit të një dyqani 30 steka paketash. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.”, thuhet në njoftimin e policisë.