Një divorc i qetë, Britania dhe BE bien dakord për deklaratën politike të Brexit

Drafti i marrëveshjes për Brexit është gati, me të edhe shpresa për samitin e posaçëm të BE për Britaninë e Madhe, që pritet të zhvillohet të dielën. Të enjten (22.11) iu vu pika edhe treguesve të fundit të marrëveshjes paraprake për marrëdhëniet mes BE dhe Britanisë së Madhe. Negociatorët e Britanisë së Madhe dhe BE ranë dakord për deklaratën politike për të ardhmen e marrëdhënieve mes unionit dhe Mbretësisë së Bashkuar. Këtë e konfirmoi Donald Tusk duke theksuar se kemi arritur një deklaratë “në nivelin politik”, dhe se një deklaratë e tillë i është dërguar të 27 krerëve të qeverive dhe vendeve të BE.
Kryeministrja britanike, Theresa May e cilësoi deklaratën politike të enjten si “‘deal’-in e duhur për Britaninë e Madhe”. May tha se marrëveshja e daljes nga BE është gati e prekshme, dhe vendos piketat për një të ardhme më të mirë, ku Britania e Madhe do të vendosë vetë për kufijtë, ligjet dhe paratë e saj. Të enjten në mbrëmje, Theresa May u paraqit para parlamentit në Londër dhe të shtunën ajo do të udhëtojë edhe njëherë në Bruksel për një raund të fundit të bisedimeve para samitit.
Londra dhe Brukseli – një aleancë e ngushtë
Sipas draftit të marrëveshjes, si BE edhe Britania e Madhe synojnë një partneritet të ngushtë në shumë fusha, që nga tregtia dhe bashkëpunimi ekonomik, ndjekja penale, drejtësia dhe politika e jashtme deri tek çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes. Ndër të tjera parashikohet një marrëdhënie tregtare për shkëmbimin e mallrave që do të jetë mundësisht sa më e ngushtë, thuhet në dokumentin e deklaratës politike. Do të zhvillohet një “partneritet i ambicionuar dhe i gjerë ekonomik”. Palët parashikojnë një marrëdhënie të “ndershme” dhe “të thellë”. Periudha e tranzicionit pas Brexit do të duhet të zgjatet deri në dy vjet. Në këtë kohë, Britania e Madhe do të paguajë në buxhetin e BE-së.
Merkel: Ka ende diskutime
Ede kancelarja gjermane, Angela Merkel sheh ende nevojë për të dialoguar para samitit të enjten. “Ne kemi ecur shumë mirë përpara”, tha ajo në Berlin, por sigurisht do të ketë “ende shumë diskutime, veçanërisht në Britaninë e Madhe. Merkel e mbështet arritjen e një marrëveshjeje. “Unë do të përpiqem me të gjitha mundësitë e mia që të arrijmë një marrëveshje”, theksoi Merkel. Në 29 mars të vitit 2019 Britania e Madhe do të largohet nga BE.