Kosovë: Arrestohen të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Policia e Kosovës arrestoi në veri të Mitrovicës katër persona në kuadër të hetimeve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Dy nga të arrestuarit janë policë serbë të Kosovës. Njësitë speciale të policisë së Kosovës ROSU, arrestuan në orët e hershme të mëngjesit në veri të Mitrovicës katër persona, në kudarë të hetimeve lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, që ndodhi më 16 janar të këtij viti. Mediet lokale serbe në veri njoftojnë se në mesin e të arrestuarve ka pjesëtarë serbë të policisë së Kosovës. Kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, thotë se dy nga të arrestuarit janë nga komanda veriore e policisë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Daut Hoxha, konfirmon arrestimin e katër personave në veri të Mitrovicës.
“Pjesëtarë të Njësisë speciale të Kosovës, ROSU, sot në orët e hershme të mëngjesit kanë arrestuar katër persona në bastisjet që kanë bërë në katër lokacione, tre nga ta lidhen me hetimin rreth një lënde dhe të katërtin që ka penguar policinë gjatë operacionit”, ka thënë zëdhënësi Hoxha.
Gjatë kohës së arrestimit të katër serbëve në veri të Mitrovicës, në këtë pjesë janë dëgjuar sirenat për rrezik nga ajri, që ka bërë që të mblidhen turma të vogla njerëzish në sheshin kryesor të qytetit. Situata tash për tash sipas policisë, paraqitet e qetë.
Vuçiç me garanci nga KFOR-i
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, menjëherë pas arrestimit të katër serbëve në veri, tha në Beograd se ka marr garanci nga KFOR-i që do të ndalë siç thotë “çfarëdo çmendurie”.

“Shumë mirë e dimë se çfarë mendon një pjesë e botës për serbët dhe Kosovën. Ne jemi të vendosur t’i ndihmojmë popullit tonë. Ju lus t’i shmangeni çdo lloji incidenti sepse, nuk kemi të drejtë të bëjmë as gjysmën e asaj çfarë ju lejohet atyre, gjithmonë kërkojnë fajtorin tek ne”, citojnë mediet serbe Aleksandër Vuçiqin.
E nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, thotë se “veprimi i policisë në veri të Mitrovicës, nuk lidhet me asnjë zhvillim politik”.
“Sot, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në veri të Kosovës është zhvilluar një operacion policor, që ndërlidhet me ndalimin e disa të dyshuarve për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq. Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhërit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Dua të siguroj të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik”, shkroi në profilin e tij Haradinaj.
Oliver Ivanoviq, udhëheqësi i nismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, u vra me armë zjarri më 16 janar të këtij viti para zyrës së tij në veri të Mitrovicës. Operacioni i sotëm i policisë së Kosovës u bë vetëm dy ditë pas vendimit të qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksës doganore për 100% për të gjitha Mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Ky vendim ka ngritur tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por edhe serbëve të Kosovës, të cilët madje kanë paralajmëruar edhe vendosjen e barrikadave në rrugë. Lista “Srpska”, që ka 10 deputetë në Parlamentin e Kosovës dhe është pjesë e koalicionit qeveritar tashmë ka bojkotuar të gjitha institucionet e Kosovës.