Ballina Sport Ozil tregon zemërimin e CR7 për shitjen e tij tek Arsenali

Ozil tregon zemërimin e CR7 për shitjen e tij tek Arsenali

Në verën e vitit 2013 (2 shtator) dhe në limit të mbylljes së merkatos, Mesut Özil u transferua nga Real Madridi tek Arsenali në këmbim të 45 milionë eurove. Operacioni “in extremis” acaroi jo vetëm tifozët në “Santiago Bernabeu”, por edhe dhomën e zhveshjes së “Los Blancos”, e cila në asnjë moment nuk e parashikonte largimin e mundshëm të “playmaker”-it gjerman.
Cristiano Ronaldo ishte një nga ata, që u mërzit më shumë nga shitja e Ozil. Këtë gjë e ka konfirmuar vetë lojtari i Arsenalit në mediat britanike, teksa kujton fjalët e yllit portugez, kur mori vesh shitjen e tij: “Shitja e Ozil është një lajm i keq për mua. Ai ishte lojtari më i mirë, që i dinte lëvizjet e mia në sulm, drejt golit. Jam i zemëruar me largimin e Ozilit”.
Zemërimi i CR7 kishte argumente të forta. Në sezonin e tij të fundit në Spanjë, Özil kishte qenë asistenti më i mirë i La Liga-s dhe portugezi përfituesi kryesor. Megjithatë, nënshkrimet me Isco dhe Bale e detyruan gjermanin që të rishqyrtojë situatën e tij në kryeqytetin spanjoll: “Gjatë fundjavës isha i sigurtë se do të qëndroja te Real Madridi, por pastaj kuptova se nuk kisha besimin e trajnerit (Ancelotti), as të drejtuesve”, – pranon pesë vite më vonë turko-gjermani.
Për pasojë, ai vendosi të dëgjonte ofertat. Arsene Wenger e kontaktoi gjermanin dhe përmes një bisede telefonike e bindi që t’i bashkohej Arsenalit si lojtar kyç. Özil nuk kishte nevojë për më shumë, ndaj e mori vendimin. “Unë jam një tip lojtari, që ka nevojë për besim. Këtë e ndjeva tek interesimi i Arsenalit, prandaj u bashkova me të”, tha mesfushori, kur arriti në Londër.

Exit mobile version