Guardiola apo Mourinho? Maradona tregon cili trajner është më i miri

Maradona tregon cili trajner është më i miri mes Guardiolës e Mourinhos.
Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, është më i mirë se homologu i tij i Manchester City, Pep Guardiola. Të paktën kështu mendon një legjendë e futbollit botëror, si Diego Maradona.
Guardiola e udhëhoqi Manchester City drejt fitimit të titullit në Premier League sezonin e kaluar, ndërsa po kryeson bidshëm edhe këtë sezon. Nga ana e tyre, ”Djajtë e Kuq” të Mourinhos renditen të gjashtët në klasifikim, të mundur në derbin e të njëjtit qytet, të dielën kaluar.
Megjithatë, Maradona ndjen se ish-trajneri i Real Madridit, Chelsea dhe Interit, Mourinho, është më i miri në botë. “Unë besoj se stili i Guardiolës funksionon për shkak të fuqisë blerëse, ku ai është mbështetur gjatë gjithë karrierës së tij si trajner. Për mua, po, Mou është më i miri, tha Maradona për “Marca”. Do t’i jepja Pep meritat se ka përfituar nga Johan Cruyff si trajner. Unë e kam thënë në më shumë se një rast se “tiki-taka” nuk është shpikur nga Guardiola. Ai ka imituar këtë stil loje, të aplikuar nga Cruyff. Për momentin, Guardiola është në gjendje të zgjedhë çdo lojtar në botë, që ai dëshiron, sepse ka mbështetjen e duhur financiare nga klubi. Në këtë mënyrë, “tiki-taka” është më e lehtë”.
Maradona, tani në krye të skuadrës së dorës së dytë meksikane, Dorados, tha se vetë ka ende vend për t’u përmirësuar si trajner. I pyetur nëse do të ishte i interesuar për të stërvitur në Spanjë, fituesi i Kupës së Botës 1986 tha se vetëm një projekt afatgjatë do ta intrigonte, por së pari dëshiron të shkojë në Manchester për të mësuar nga Mourinho: “Unë vetë si trajner duhet të mësoj shumë dhe për këtë arsye do të shkoj në Manchester, të flas me Mourinhon, për t’i kërkuar atij shumë gjëra. Sepse ai është më i miri, pa dyshim”.
Përkundër mbështetjes së Mourinhos si trajneri më i mirë, Maradona e pranon se Manchester City i Guardiolës ka të ngjarë të jetë favorit për ta fituar sërish titullin në Premier League. Ai e përshëndeti trajnerin katalanas për kuptimin dhe leximin e lojës së futbollit: “Po, Manchester City mund ta fitojë sërish titullin. Para se të flisja për Pep, është e qartë se ai është një trajner që i kupton lojërat më mirë se të tjerët. Shumë mendojnë se e njohin mirë futbollin, por pastaj humbasin 3-0”.