Ballina Sport “Shaqiri është si Messi, duhet të bëhet lider në Liverpool”

“Shaqiri është si Messi, duhet të bëhet lider në Liverpool”

Xherdan Shaqiri ka talent natyror që mund të krahasohet me atë të Lionel Messi-t dhe duhet të synojë të bëhet lojtari më i mirë tek Liverpol, thotë ish-trajneri i tij te Basel, Thorsten Fink.
Mesfushori shqiptar ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme, duke u nisur nga Basel e duke luajtur mëpas me klube gjigante si Bayern e Inter, para se të shkonte te Stoke dhe këtë verë të bëhej pjesë e Liverpool për vetëm 13 milionë sterlina.
Shaqiri po nis të tregojë sa vlen në mënyrë konstante për The Reds, me cilësitë e tij që mund ta vendosin krah ajkës së futbollit botëror në këtë moment.
Duke folur për ESPN FC, Fink ka elozhe të mëdha për Shaqirin, i cili ka shënuar 2 gola në 3 ndeshjet e fundit: “Ronaldo ka punuar pa fund për të arritur aty ku është, ndërsa Messi e kishte të lindur, nuk iu desh të punonte për këtë talent. Ronaldo duhet të punojë pa fund, me fizikun dhe gjithçka. Messi e ka këtë talent, kjo vlen edhe për Shaqirin.
“Ai e ka këtë talent për të luajtur. Nëse ai punon në mënyrë profesionale, ai mund të jetë lojtari më i mirë te Liverpool, jo një lojtar i zakonshëm.
“Gjithnjë objektivi duhet të jetë përmirësimi dhe hedhja e hapit të radhës. Nëse luan për Liverpool, por nuk luan rregullisht, nuk mund të mjaftojë për të, ai duhet të synojë të bëhet lojtar i paprekshëm në formacion”.

Fink e ka drejtuar Shaqirin që kur ishte adoleshente dhe e transformoi nga një mbrojtës krahu në anësorin ofensiv që shkëlqen sot: “Xherdani është inteligjent dhe ishte kënaqësi të punoja me të”, thotë trajneri aktual i Grasshoppers. “Ai luante shumë mirë si mbrojtës i majtë, për mua ishte më i miri që kisha parë, pas Roberto Carlos, por synimi i tij ishte që të luante në sulm, gjithë kohën. Ishte lojtar shumë krijues, bënte gjëra që nuk të shkonte mendja se mund t’i bënte. Ai pason në thellësi, jep krose të sakta, shpesh gjuan mjaft mirë dhe gjithashtu ka një kontroll të shkëlqyer të topit. Kishte gjithçka që i duhej për të qenë futbollisti perfekt.
“Synimi im kryesor për të ishte që të bëhej më profesionist. Kishte gjëra të vogla që doja që ai t’i mësonte, për t’u bërë një ndër më të mirët në botë. Me talentin e tij, ai nuk mund të luajë për Stoke, ai duhet të luajë për më të mirët. Kur e drejtoja unë kishim një marrëdhënie perfekte, bënte gjithçka i kërkoja në fushë. Tani ai po sillet në mënyrë perfekte, është transformuar në një profesionist të vërtetë dhe është shumë e rëndësishme që ka një trajner shumë të mirë mbi kokë”.

Exit mobile version