Ballina Aktualitet Si po e betonizon Veliaj kryeqytetin, ka fshehur planin urbanistik

Si po e betonizon Veliaj kryeqytetin, ka fshehur planin urbanistik

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka qenë sot e ftuar në Fax News, ku ka komentuar betonizimin që po i bëhet Tiranës nën qeverisjen e Erion Veliajt.
Pavarësisht se u premtua nga Veliaj në fillim të marrjes së mandatit se në Tiranë do të kishte zero ndërtime, kjo nuk ka ndodhur dhe shumë leje ndërtimi janë dhënë në zona të ndryshme të Tiranës, duke përfshirë dhe zonën e qendrës dhe tentativën për të prishur godinën e Teatrit Kombëtar.
Zhupa ka denoncuar dje prishjen e pedonales Murat Toptani që është bërë që prej vitit 2011 me fondet e BE-së, kohë kur kryeqyteti drejtohej nga Lulzim Basha.
Prishja e pedonales në rrugën Murat Toptani sipas Zhupës po bëhet me qëllimin e vetëm për t’i hapur rrugë betonizimit të kësaj rruge dhe prishjes së Teatrit Kombëtar.
“Është fjala për një projekt që është kryer me fondet e BE-së, rreth 2 milionë euro, është inaguruar nga zoti Basha kur ka qenë në drejtimin e Tiranës. Është një pjesë që cilësohet edhe në webin e Bashkisë për rëndësinë e veçantë që ka.
Kjo pedonale në pozicionin e vetë ndodhet në anën e Teatrit Kombëtar, kjo është dhe arsyeja nga Bashkia për t’i hapur rrugë betoniereve që do të ndërtojnë Kullat e kompanisë Fusha. Ju do thoni se pse kalojnë nga kjo rrugë dhe jo nga ana tjetër?
Është shumë e thjeshtë, unë e kam thënë dhe më herët që në anën tjetër do të ndërtohet një tjetër kullë. Nuk ka shumë detaje lidhur me tenderin, thuhet që janë vënë në dispozicion 4 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e rrugës Murat Toptani, dhe është hequr dhe emërtimi i saj si pedonale. Nëse presioni do të jetë i madh, shpresoj shumë që Bashkia të heqë dorë nga shpërdorimi kaq i madh që i bëhet fondeve që jepen nga BE-ja”, u shpreh më tej Zhupa.
Zëdhënësja e PD-së u shpreh më tej se Bashkia e Tiranës ka fshehur planin rregullues dhe të gjitha postimet denoncuese që ajo ka bërë janë marrë në rrugë jo-zyrtare.
“Është gati e pamundur që ti të aksesosh informacion kur është fjala për qeverisjen e Tiranës, pasi ne nuk mund të aksesojmë planin urbanistik të kryqytetit, ku bëhej fjalë dhe për një ndërtim në zonën e Liqenit në Tiranë. Ne e kemi të pamundur që të dimë sesi janë kryer procedurat”, u shpreh më tej Zhupa.

Exit mobile version