Nis revolta në Durrës, studentët e UAM protestë për ndotjen në Porto Romano, paralajmërojnë bojkot

Paraditën e sotme studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” kanë nisur protestën kundër ndotjes në Porto Romano. Me pankarta në duar ata kërkojnë zgjidhjen emergjente të situatës nga autoritetet. Studentët theksojnë se djegia e mbeturinave, me një distancë 1 km nga universiteti i tyre përbën rrezik jo vetëm për ata por edhe për stafin akademik.
Studentët gjatë protestës theksuan se kauza e tyre mbrohet nga ligji dhe se nëse autoritetet nuk ndikohen nga paralajmërimi i tyre, zgjidhja do të vijë nga zyra ligjore në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike (FSHPJ), e cila po e ndjek këtë çështje.
“Brenda një afat kohor në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike (FSHPJ) ekziston një zyrë ligjore që po e ndjek këtë çështje, nëse zgjidhja nuk vjen nga paralajmërimi i studentëve, zgjidhja do të vijë nga ligji”, tha një studente gjatë protestës.
Në protestë nuk janë vetëm studentë, por edhe pedagogë të UAM, të cilët kërkojnë që pranë godinave të universitetit të mbillen pemë.
“Ajo që kërkoj është që pranë godinave të krijohet kampusi. Kampusi do të thotë oksigjen, oksigjeni krijohet nga pylli jo nga vdekja.
Përtej të gjitha shkaqeve politike po i quaj edhe shkencore, pa hyrë te pjesa shkencore se dihet se këtu ka pasur viktima në raport me atë çka ndodh.
Dija nuk duhet të bashkëpunojë me vdekjen. Nuk duhet të vazhdojë më, ka 5 vite që ndodh e njëjta gjë. Pro dijes dhe jo vdekjes”, u shpreh një pedagog.

Protesta e tyre është planifikuara pak kohë më parë.
“Rreth 1 kilometër nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës vazhdon prej vitesh djegia e mbetjeve e cila është kthyer në problemin numër një si për rreth 20 mijë studentë, ashtu edhe për stafin akademik.
Djegia e plehrave në Porto-Romano është, hapur në shkelje me ligjin, por sikur të mos mjaftonte kjo jetë njerëzish rrezikohen çdo ditë në këtë zonë. Jeta e studentëve që shumicën e kohës e kalojnë pranë Universitetit është seriozisht e rrezikuar nga mbetjet kancerogjene që digjen pa asnjë lloj kriteri, dhe jashtë çdo standarti.
Duke qenë të vetëdijshëm se JETA dhe SHËNDETI i qytetarëve, studentëve, stafik akademik dhe administratës është më e rëndësishme se të gjitha, duke qenë të vetëdijshëm se kjo kauzë është për JETËN, duke qenë të vetëdijshëm se askush nuk mund të vazhdojë më frekuentimin e këtyre ambienteve, duke qenë të vetëdijshëm se jeta jonë është në fije të perit, studentët e UAMD-së, kanë vendosur që me datën 02/11/2018 Ora 11;00 përballë kampusit Universitar në rrugë të mbahet Tubim-protestë ku do të bëhet thirrje URGJENTE për zgjidhjen e menjëhershme të kësaj situate ose përshkallëzimi i protestave do të jetë e pashmagnshme.
Me sloganin #jetambitëgjitha ftohen studentë dhe pedagogë të Premten”, shkruhej në njoftimin e tyre para protestës.
Ndotja në Porto Romano shpesh herë është pasqyruar edhe në mediat e huaja duke e cilësuar si bombë me sahat për banorët e zonës.
Porto Romano ndodhet rreth 3-4 kilometra në veri të qytetit të Durrësit. Ajo zë një sipërfaqe prej 80.000 m2 me mbeturina urbane, inerte, mbetje të rrezikshme dhe kafshë të ngordhura.