Ballina Sport Manual si të shkatërrosh karrierën

Manual si të shkatërrosh karrierën

12 qershor 2018: tre ditë para debutimit në Kupën e Botës, kombëtarja spanjolle u godit nga një “tërmet” i madh. Reali i Madridit publikoi një komunikatë krejt absurde dhe të pamenduar, duke njoftuar se trajneri i Spanjës Julen Lopetegui do të merrte drejtimin e Los Blancos sapo të përfundonte Kupa e Botës në Rusi.
Habia ishte e madhe sa për stilin e Realit, që nuk tregoi maturi në publikimin e kësaj historie, ashtu edhe për faktin se Lopetegui kishte rinovuar me Spanjën deri në vitin 2020, firmë e hedhur 9 ditë para dorëheqjes së Zinedine Zidane nga stoli i Realit.
José Luis Rubiales, presidenti i Federatës Spanjolle, udhëtoi me urgjencë për në Krasnodar, deklaroi se nuk ishte informuar fare për bisedimet e trajnerit me Realin dhe se Florentino e kishte telefonuar 5 minuta para publikimit të lajmit në faqen zyrtare të Realit, pa lënë hapësira që lajmi të jepej pas Botërorit.
Vazhdimi dihet, Rubiales e pushoi nga puna në 13 qershor Lopeteguin, i cili mori rrugën për në Madrid, pas largimit mes lotësh nga kombëtarja.
106 ditë kanë kaluar që nga stërvitja e parë
Nëse gjithçka shkon sipas atyre që shkruhen në mediat spanjolle, sot pasdite Lopetegui do të pushohet nga puna. Sot drejtoi stërvitjen e paradites, të parën e drejtoi më 16 korrik, vetëm 106 ditë më parë. Një fillimsezoni i pranueshëm, me ndonjë fitore të bukur si ajo ndaj Romës, por më pas erdhi një humbje e rëndë në Sevilje dhe rënie nuk u ndal më, me humbje ndaj CSKA, Alaves, Levante e Barcelona.
Tani, 139 ditë pas largimit nga Spanja, Lopetegui paguan pasojat e një vendimi të nxituar dhe tmerrësisht të gabuar. Pa Botëror e pa Madrid, karriera e Lopeteguit merr një goditje të fortë, sepse gjithçka u menaxhua shumë keq dhe do të mbahet mend në histori si një ndër figurat më tragjike të Realit.

Exit mobile version