Minatorët paralajmërojnë Ramën: Grevë urie para Kryeministrisë!

Miratimi i statusit të minatorit, vazhdon të ngelet një prej problemeve më të mëdha për punonjësit e nëntokës, të cilët për 27 vite me radhë kanë protestuar fuqimisht për të drejtat e tyre. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, Mark Gjergji, një prej minatorëve në pension thotë se protestat e minatorëve do të vazhdojnë pandaluar deri në miratimin e statusit dhe respektimin e të drejtave të kësaj kategorie. Ai më tej bën me dije se do të rrinë ditë e natë para kryeministrisë e madje është planifikuar që të nisin grevën e urisë.
-Ju si minatorë do të kërkoni para kryeministrisë miratimin e statusit të minatorit. Pse mendoni se është vonuar miratimi i statusit?
Kemi shumë vite që po luftojmë fort për të drejtat e minatorëve, e madje kemi dalë edhe në grevë urie për 21 ditë, por politikanët tanë na mposhtën. Deri më tani kemi bërë rreth 60 protesta për të mbrojtur të drejtat tona si punonjës të nëntokës. Por çdo qeveri nuk ka bërë asgjë tjetër, përveçse na ka mbajtur pezull për 26 vite me radhë. Kemi takuar shumë përfaqësues të institucioneve përkatëse, por s’kemi marrë asnjë përgjigje deri tani. Shpresojmë që pushtetarët të miratojnë statusin sa nuk është vonë se do përballen më tej me shumë minatorë që e kanë humbur durimin për gjithë këto vite. Do të kërkojmë me ngulm para Kryeministrisë që të miratojë statusin e minatorit e të vënë në vend dinjitetin që na takon. Do të futen edhe 3 përfaqësues tanët brenda në kryeministri që të bisedojnë.
-Cilët do të jenë përfaqësuesit tuaj që do të zhvillojnë takimin në kryeministri?
Ne kemi zgjedhur Fiqiri Xibrin e Kol Nikollaj që të negociojnë për miratimin e statusit. Shpresoj shumë që të mos politizohet situata, pasi nga ky status varet jeta e shumë minatorëve që marrin pensione qesharake e mezi iu del llogaria për të blerë një copë bukë. Duam drejtësi dhe vetëm drejtësi, se janë tallur shumë me ne, e është turp për këtë shtet që na diskriminon në këtë mënyrë.

-Nëse nuk merrni një përgjigje pozitive mbi miratimin e statusit, cilat do të jenë hapat tuaj më tej?
Protesta do të vazhdojë pa ndalim para kryeministrisë, nëse nuk na japin një përgjigje pozitive për miratimin e statusit. Që në vitin 2013-të, kur kryeministri ka marrë pushtetin kanë kaluar 5 vite dhe as është vënë uji në zjarr për ne. Asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka nisur punën për miratimin e statusit, e që ne të mund të flemë të qetë pas kaq vitesh luftë me qeveritë. Kështu që nëse këtë herë nuk na japin zgjidhje ne do të luftojmë edhe më fort, madje do rrimë ditë e natë para kryeministrisë deri sa nderi jonë të shkojë në vend. Madje kemi planifikuar që të nisim grevën e urisë, nëse do vazhdojnë të na shkelin, siç kanë bërë për vite me radhë.
-Pse minatorët e kërkojnë me ngulm miratimin e statusit?
Statusin e minatorëve duhet ta përfitojnë punonjësit e nëntokës dhe të dalin në pension me 10 vite e 6 muaj.
Kush ka plotësuar 55 vite moshë ka punuar 10 vite e 6 muaj në minierë t’i jepet e drejta e statusit të minatorit.
Statusi i minatorit të shoqërohet me 50% të pensionit shtesë page. Me një përllogaritje page me pagën minimale 100%. Pra, në qoftë se ka qenë paga 24 mijë të shkoj 48 mijë ose 35 mijë në 70 mijë. Kemi kërkuar që çdo vit mbi 10 vite e 6 muaj, të shoqërohet me një shtesë 3%.
-Sa keni gjetur përkrahje te sindikatat për gjithë këto vite?
Vlen të theksoj se sindikatat në asnjë moment nuk na kanë shërbyer neve, minatorëve, por na kanë tradhtuar gjithmonë nga dita në ditë, nga viti në vit për 27 vite me radhë. Ndoshta është edhe faji ynë pasi duhet t’i kishim shpartalluar këto “gjoja” sindikata me kohë pasi është edhe roli i tyre që shteti na ka shkelur me këmbë. Sindikatat janë përpjekur të na shkelin me të dyja këmbët paturpësisht e asnjëherë nuk kanë mbrojtur të drejtat tona, por interesat e tyre të ngushta duke marrë fonde e duke i shpenzuar kot më kot.

-Si paraqitet gjendja e punonjësve të nëntokës sot?
Jo pak minatorë lëngojnë në krevat me ilaçe që s’kanë as mundësi ekonomike për t’i blerë. Ndërkohë, që pensionet që merr kjo kategori janë të pamjaftueshme për të përballuar jetesën. Mesa kemi informacion, shumë prej shokëve që kemi punuar bashkë janë larguar në kurbet e kanë marrë rrugët e emigrimit për një jetë më të mirë, e me pagesa më të larta se këto pensione qesharake që na jep shteti shqiptar. Por jo pak minatorë kanë vdekur pa e gëzuar atë pension të ulët për shkak të sëmundjeve të ndryshme që i ka falur kjo punë në nëntokë. Tani kemi ngelur ne, ish minatorët që kërkojmë me ngulm miratimin e statusit dhe s’do të ketë kthim mbrapa këtë herë. Jemi të varfër, të braktisur dhe të zhgënjyer nga ky shtet.
-Ju personalisht, si jeni trajtuar nga shteti pas daljes si i papunë për shkak të mbylljes së minierës? A jeni i kënaqur me pensionin që merrni?
Ne nuk kemi shtet këtu në Shqipëri, asnjë gjë s’po bëhet për ne, pavarësisht se i kemi dhënë kaq shumë e madje shumë prej nesh edhe jetën. Që prej vitit 1997, dola në kurbet në këmbë nga malet, e kam nxjerrë bukën e familjes me 4 vite punë aty. Nëse do e lija veten në dorë të politikave të shtetit, do isha kalbur në barakë. Tashmë jetoj në Thumanë, në Dukagjin të Krujës së bashku me gruan e tre djemtë. Shteti shqiptar po më jep një pension qesharak prej 150 mijë lekësh të vjetra në muaj. Arrij të marr një thes mielli, një bombël gazi e kaq për gjithë muajin. Jashtë Shqipërisë minatorët respektohen e paguhen kurse ne s’kemi bukë të hamë.
Kërkesat e minatorëve
1. Miratim i statusit të minatorit
2. Rritje e pensioneve të këtyre punonjësve
3. Luftë ndaj informalitetit në punë
4. Siguri dhe kushte më të mira pune
5. Rritje e pagës minimale