Mesazhi i koduar i Bashës, kujt i drejtohet?

Bledi KASMI

Kryetari i opozitës, Basha doli dje në një konferencë për shtyp mbi zhvillimet e fundit që lidhen mbi zbulimin e provave se si krimi i veshur në pushtet ka blerë zgjedhjet pothuajse në të gjithë vendin duke arritur të mbledhë me blerjen e votave deri në 15 deputetë. Basha deklaroi se përgjimet e fundit të bandave të drogës dhe blerja prej tyre e votave në bashkëpunim me krerët e Bashkive si në rastin e Dakos tregojnë se ky pushtet nuk ka më legjitimitet dhe se për votat nuk vendos më sovrani, por krimi elektoral.
Deklaratat e Bashës kanë një kontekst publik të qartë dhe drejtpërdrejtë. Ato i adresohen shqiptarëve, i adresohen qeverisë si dhe partnenerëve që tani e kanë të qartë se Rama përfaqëson pushtetin e krimit të organizuar përsa kohë ata vetë janë mbledhësit e këtyre provave që dëshmohen me përgjimet.
Megjithatë ka një pikë të rëndësishme në deklaratën e Bashës që ka kaluar pa shumë vëmendje. “Kush kishte pak dyshim, tani e kupton se si bashkëvepron Edi Rama me krimin, për të blerë vota. Krimi i siguron votat Edi Ramës, ky i siguron paprekshmërinë para ligjit dhe pastrimin e parave përmes projekteve private dhe publike”, tha Basha. Eshtë e qartë se kjo deklaratë e Bashës sa është e drejtpërdrejtë po aq është edhe e koduar në mesazhin që jep.
Basha i adresohet një kontigjenti brenda dhe jashtë vendit që deri dje kishin dyshime mbi atë që përfaqëson Rama, të cilët kërkonin më shumë prova në lidhje me akuzat e opozitës. Atëhere koha shërbeu si ilaçi më i mirë për të binduar “ata që ende dyshonin”.
Pjesë e operacioneve të fundit të hetimit të lidhjeve të krimit me politikën nuk janë më vetëm autoritet vendase, por edhe partnerët. Brenda pak javësh katër titullarë të lartë të politikës dhe policisë gjermane zbarkuan në Tiranë dhe kishin në duart e tyre dosjen e trafikantëve të drogës, përgjimet ku dilnin lidhjet e tyre me politikën si dhe faktin që duhet të përmbysë qeverinë sepse ajo i ka blerë mandatet.

Tashmë Basha u drejtohet atyre që “kishin dyshime” duke i dorëzuar një të kapur në flagrancë krimi. I pari ishte Dako, por ky nuk është i fundit. Të tjerë do të dalin në ditët e ardhshme, ndërkohë topi tani është në anën e “atyre që kishin dyshime” për të qartësuar veten dhe mbi të gjitha qëndrimet ndaj një regjimi mafioz që ka rrëzuar institucionin e votës.
Vetë ata po binden tani për dy gjëra. E para, që Rama është pjesë e një organizate kriminale dhe që e drejton atë nga posti i kreut të qeverisë , dhe e dyta, që po provohet nga ora në orë, është rënia e Prokurorisë në duart e kësaj organizate krimi.
Fjalia e shtruar nga Basha “kush kishte pak dyshim, tani e kupton se si bashkëvepron Edi Rama me krimin” i vendos dyshuesit në një pozitë të vështirë, por nga ana tjetër shtron për zgjidhje urgjente këtë kaplim të krimit në të gjitha institucionet, përfshi Prokurorinë.
Se çfarë do të ndodhë kjo pritet të shikohet në ditët e ardhshme, vetëm se tashmë është e qartë se organizata kriminale në qeveri është e vetme dhe se zgjidhjet nuk do të jenë të lehta. “Ata që deri dje dyshonin tek Rama” besonin se Rama mund të shtynte edhe disa ditë më shumë në pushtet duke dorëzuar Dakot, por Rama ka rënë në kurthin e tyre duke dëshmuar se Dako nuk është gjë tjetër veçse një ushtar i bindur i tij. Ai ja ka bërë të qartë “dyshuesve” se për të arritur tek Dako duhet kaluar mbi trupin e shefit të tij në qeveri. Dhe kjo pritet të ndodhë.
Nga Lulzim BASHA
Çdo ditë që kalon po provon se çështjet dhe kauzat për të cilat Partia Demokratike ka luftuar me një kosto të lartë politike, më në fund, janë të qarta para syve të gjithë shqiptarëve:
Gjendja e drogës që ne denoncuam është bërë e qartë për të gjithë shqiptarët.
Kriminelët në Kuvend u bënë të qartë për të gjithë shqiptarët.
Lidhjet e ministrave dhe politikanëve me trafikun e drogës janë të ditura dhe të qarta për të gjithë shqiptarët.
Tashmë, kanë dalë në dritë edhe provat zyrtare, të krimit të të gjitha krimeve: marrjen e pushtetit nga Edi Rama në bashkëpunim me krimin.

Kriminelët janë bërë faktori kryesor elektoral në Shqipëri. Vota e njerëzve, vota e popullit, vullneti i njerëzve nuk kanë asnjë rëndësi në zgjedhjen e parlamentit dhe qeverisë në Shqipëri.
Kriminelët e Fushë Krujës grabitën vota për Edi Ramën në zgjedhjet e 2017, nën drejtimin direkt të deputetit Rahman Rraja. Vetë djali i Rrajës u hetua për veprimtari kriminale elektorale dhe për kërcënim ndaj votuesve, por hetimet ndaj tij u mbyllën.
Grupi Rraja ka qenë i vetmi shtab elektoral i PS-së në Krujë aq sa Rraja i vogël ndihet oponenti ynë politik dhe zgjedhor dhe sfidon opozitën në zgjedhje, duke provuar hapur se konkurrenti zgjedhor i opozitës dhe i Partisë Demokratike nuk janë socialistët por janë kriminelët e rekrutuar nga Edi Rama.
Përgjimet kanë nxjerrë në dritë faktin se kriminelët e grupit të rrezikshëm Avdylaj kanë punuar për grabitjen e votave për llogari të PS, Vangjush Dakos dhe deputetëve të Edi Ramës. Bashkë me Ramën, në pushtet erdhën edhe Avdylajt, ndaj ky grup kriminal u fuqizua në një grup dhe rrjet të rrezikshëm ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Në përgjimet e Lezhës del e njejta gjë, Ndokat kanë funksionuar si banda elektorale të PS-së.
Në Kavajë del qartë se Elvis Roshi ka bërë të njëjtën gjë, së bashku me Gent Dajën. Madje aty krimi dhe pushteti edhe formalisht u shkrinë në një person, në personin e Elvis Roshit.
Në Elbasan Qazim Sejdini ka bërë të njëjtën gjë, së bashku me Taulant Ballën, trafikantët e drogës dhe pushteti i tij janë një dhe të pandarë.
Njësoj në Dibër, Prokuroria ka një dosje tjetër ku hetohet për shit-blerjen dhe vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër ku janë përfshirë grupe të rrezikshme kriminale dhe Ulsi Manja, Damian Gjiknuri e Saimir Tahiri.
Sot, falë këtyre provave të bëra publike, mund të themi me siguri se krimi i ka siguruar Edi Ramës të paktën 10-15 mandate përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votës.
E vërtetë është po kështu se 2017-a ishte përsëritje dhe thellim në përmasa edhe më të mëdha i 2013-s.
Në 2013-ën, modeli ishte që kriminelët vetë i bëri deputetë.
Në 2017-ën për shkak të pengesës formale të Ligjit të Dekriminalizimit, i përdori për të sjellë në Kuvend njerëz të caktuar nga krimi, si Jurges Çyrbja me shokë, dhe për t’i lidhur ata drejtpërdrejt me politikanët e karrierës, siç është Taulant Balla me shokë.
Burimi i krimit në politikë, i korrupsionit dhe i rritjes së krimit në rrugë është krimi elektoral, krimi zgjedhor.
Një pushtet që merret me ndihmën e kriminelëve do të punojë me kriminelët për kriminelët: Një pushtet që buron nga krimi, do të ekzistojë si pushtet i krimit.
Në momentin që Edi Rama vendosi të bashkëpunojë me krimin për të fituar zgjedhjet, në Shqipëri mori fund çdo lloj procesi politik. Mori fund çdo lloj mundësie që të qeverisej për popullin dhe në emër të popullit.
Ky është realiteti dramatik ku jemi sot: pushteti i Ramës është pushtet i kriminelëve, nga kriminelët, për kriminelët.
Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon:
Pse Edi Rama lejoi kultivimin dhe trafikimin masiv të drogës, madje nën mbrojtjen direkte të policisë dhe qeverisë;
Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon se pse Edi Rama liroi nga burgu dhe u dha pafajësi bandave nga “Hakmarrja për Drejtësi” tek Indrit Taullai dhe Lul Berisha me shokë; pse Edi Rama nuk e luftoi asnjëherë krimin;

Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon pse Edi Rama bëri që Shqipëria të kthehet sipas Raporteve ndërkombëtare zyrtare, në një strehë të sigurtë për të gjithë kriminelët shqiptarë të përfshirë në trafikun e drogës në Europë dhe në Botë.
Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon pse sot Edi Rama është përfshirë personalisht në operacione gjigande të pastrimit të parave nga ndërtimet masive në bregdet e në qendër të Tiranës, tek aferat korruptive të pastrimit të parave me inceneratorët, PPP e deri te plani për grabitjen e dhunshme të Teatrit Kombëtar për ta shndërruar në kulla dhe pastrim parash.
Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon kapjen e drejtësisë nga Edi Rama,
Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon emërimin e prokurores politike Arta Marku dhe përdorimin e saj dhe vartësve të emëruar nga ajo, për të mbrojtur të gjithë politikanët e lidhur me krimin, duke shkatërruar hetimet dhe dosjet hetimorë duke larguar të gjithë prokurorët që po i hetonin dhe duke i kaluar hetimet tek shërbëtorë të bindur dhe të kontrolluar nga të pushtetit të Edi Ramës me krimin.
Sot një gazetar kolegu juaj dhe një deputet i opozitës janë nën hetim sepse kanë denoncuar një kriminel; kryetari i opozitës thirret në prokurori se ka denoncuar një kriminel dhe thirret sërish në prokurori se ka nxjerrë sekretin që Taulant Balla është garant i pastrimit të parave.
Kush nuk është sot nën hetim: Vangjush Dako, Taulant Balla, Qazim Sejdini, Ergys Çyrbja, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja dhe të tjerë politikanë të lidhur me krimin
Pushteti i siguruar nga krimi shpjegon sjelljen e Edi Ramës:
brutal, tallës, fyes dhe arrogant me qytetarët e thjeshtë dhe justifikues, mbrojtës dhe mbështetës i kriminelëve dhe politikanëve të lidhur me krimin.
Sepse Edi Rama e di që pushteti i tij nuk varet nga vota e popullit, por nga kriminelët. Ndaj ai tallet e sillet brutalisht me gazetarët, qytetarët, hallexhinjtë dhe mbështet, justifikon krimin.

Unë jam i vetëdijshëm se shumë njerëz kanë humbur besimin tek politika dhe kjo ju bën shumë të pandjeshëm ndaj vjedhjes së votës. Por sot duhet të kuptojmë se pasojat e bashkëpunimit të krimit me politikën janë shkatërruese për ju, fëmijët tuaj he të ardhmen e vendit.
Ne kemi përdorur shpesh termin narko-shtet, por thelbi i këtij termi është ky: trafikantët e drogës vendosin kush do të jetë deputet dhe kush do jetë në pushtet.
Ky është krimi më i rëndë që mund të ndodhë: një grup kriminal, një organizatë kriminale sado e fortë apo e pamëshirshme të duket e pambështetur politikisht mund të luftohet dhe të çmontohet.
Në vitin 2006 qeveria e PD-së dëshmoi se brenda gjashtë muaj shkatërroi çmontoi dhe çoi para drejtësisë bandat që kishin terrorizuar Shqipërinë për vite të tëra.
Po kur qeveria buron nga krimi, në vend të luftës kundër krimit kemi shfaqj: kemi operacionet fasadë, kemi kriminelë që nuk kapen, kemi kriminelë që sundojnë qytetet shqiptare.
Edhe një herë sot Elbasani sundohet nga grupet kriminale, Vlora sundohet nga grupet kriminale, Shkodra po ashtu, e gjithë zona nga Tirana deri në Shkodër përfshi Krujën, Fushë-Krujën, Kurbinin, Lezhën po ashtu., sundohen nga grupe kriminale.
Tirana kryeqyteti i vendit, është nën sundimin e krimit dhe të drogës: mjafton të dilni në mbrëmje në lokalet e bllokut apo në trotuaret nga zona tek Blloku deri tek Rruga e Elbasanit dhe do të shikoni se kudo ka shpërndarje dhe konsum droge dhe banditë të armatosur që argëtohen dhe konsumojnë drogëra të forta. Para syve të policisë në krahë me ministrat e Edi Ramës.
Aksionet e fundit janë fasadë të llogaritura sa për të bërë zhurmë pa prekur krimin. Edhe këta që janë arrestuar do të lirohen apo lehtësohen nga akuzat.
Edi Rama nuk do të shkëputet dot nga krimi, sepse lidhja e tij me krimin është burimi i pushtetit të tij.
Kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin, faktet dhe provat tregojnë se ajo erdhi në pushtet pa legjitimitet, me votat, shantazhet dhe paratë e krimit të organizuar.

Kush kishte pak dyshim, tani e kupton se si bashkëvepron Edi Rama me krimin, për të blerë vota. Krimi i siguron votat Edi Ramës, ky u siguron paprekshmërinë para ligjit dhe pastrimin e parave përmes projekteve private dhe publike.
Në Shqipëri nuk do të ketë luftë kundër krimit dhe nuk do të ketë drejtësi, nëse nuk do të dënohen krimet elektorale të Edi Ramës – krimi i të gjithë krimeve, krimi zgjedhor!
Kjo gjendje dhe provat zyrtare të përfshirjes së banditëve në skemën kombëtare, nga Tropoja në Sarandë, nga Korça në Durrës dhe këtu në Tiranë, për të sjellë vota me shantazh, dhunë dhe kërcënime dhe shit-blerje me para të pista për Edi Ramën është provë e domosdoshmërisë e ndarjes së politikës nga krimi dhe dekriminalizimit të zgjedhjeve, të cilat janë prioritete absolute të Partisë Demokratike dhe të opozitës dhe janë e do të jenë prioritet i prioriteteve për çdo shqiptar.
Këto dy nisma duhen bërë pa humbur kohë për t’u kthyer qytetarëve pushtetin e rrëmbyer nga bandat dhe për t’i dhënë mundësinë qytetarëve të vendosin me votë të lirë dhe të ndershme për qeverisjen që duan.
Pyetje: Z. Basha ju dje keni folur për zgjedhje të parakohshme dhe keni kërkuar zgjedhje të parakohshme. Por a është gati Partia Demokratike të shkojë në zgjedhje të parakohshme duke marrë parasysh faktin se ende nuk ka përfunduar zgjedhjet e saj brenda partisë dhe s’kanë përfunduar as zgjedhjet për grup seksione?
Basha: E para, informacionin për zhvillimet brenda Partisë Demokratike nuk e keni të saktë.
Pyetje: Z. Basha në Shkodër nuk kanë përfunduar ende?
Basha: Informacionin nuk e keni të saktë. Por kjo nuk është tema sot, me gjithë respektin për ju dhe për kolegët tuaj. Ky nuk është shqetësimi që po ngre unë sot. Shqetësimi që po ngre unë sot dhe po kërkoj vëmendjen tuaj të plotë është një dramë kombëtare. Është faktimi tashmë me prova zyrtare i krimit të gjithë krimeve, i angazhimit të banditëve krah për krah rilindjes për të mbledhur vota dhe për të sjellë në pushtet në mënyrë ilegjitime një maxhorancë dhe një qeveri që nuk gëzon mbështetjen popullore.
Shkatërrimi i procesit zgjedhor, shkatërrimi i procesit politik është nëna e të gjithë të këqija. Çdo vendim që merret nga një qeveri që nuk del nga vota e qytetarëve, por del nga mbështetja e kriminelëve do t’i shërbejë këtyre të fundit dhe do të marrë nëpër këmbëe fatet dhe problemet që shqetësojnë qytetarët; qoftë nga ato të sigurisë së tyre dhe familjeve të tyre, tek ato të mirëqenies, tek vendimet që prekin drejtpërdrejtë fuqinë blerëse të shqiptarit e cila siç e patë sot nga raporti i FMN-së është më e ulëta në Europë, më e ulëta se e Bosnje –Hercegovinës, më e ulëta në gjithë Europën.

Këto janë disa nga pasojat dramatike që sjell shkatërrimi i procesit politik dhe kalimi i pushtetit nga qytetarët, nga sovrani tek një grusht kriminelësh që sot kanë vendosur se kush do të jetë Qeveria dhe kush do të jetë në Parlament.
Ndaj ajo që kërkoi sot me gjithë respektin dhe dashamirësinë ndaj jush si media është të thelloheni në këtë çështje, të pyesni Prokurorinë pse nuk arrestohet Vangjush Dako? Ta pyesni pse e mban të kyçur për të, për Elvis Roshin, për deputetët e tjerë të PS të faktuar deri dje vetëm me fotografi dhe filmime krah Avdylajve, Keçërve, Ndokajve dhe bandave të tjera të krimit të organizuar dhe sot të faktuar në përgjime, në pazare me krimin e organizuar për të sjellë mandate të pamerituara dhe të pavotuara nga qytetarët.
Sot pres t’i drejtoheni Edi Ramës, arkitektit, kokës së kësaj skeme dhe ta pyesni për përgjegjësitë e tij politike dhe juridike, për ndërtimin dhe vënien në veprim të kësaj skeme kriminale të përdorimit të kriminelëve për të sjellë mandatet në Parlament. Dhe pastaj dorëzimin e pushtetit dhe të shtetit në duart e këtyre kriminelëve, me pasoja si ato që kemi parë javët e fundit, por që janë vetëm maja e majës së ajsbergut; siç është rasti “Xhisiela” apo rastet e tjera të bërë publike nga mediat.
Pra, me gjithë respektin dhe dashamirësinë për të kaluar në tema të tjera të organizmit të Partisë Demokratike dhe gatishmërinë e Partisë Demokratike për t’u përballur elektoralisht, të siguroj se Partia Demokratike së bashku me aleatët është e gatshme të përballet dhe të fitojë.
Tema e sotme është kjo dhe prioritet i gjithë prioriteteve është ky: çfarë duhet të bëjë si shoqëri, ne si opozitë, ju si media dhe qytetarët, për të rikthyer zgjedhjet e lira dhe të ndershme?
Dhe përgjigja për këta janë dy nismat e opozitës: ndarja e politikës nga krimi dhe dekriminalizimi i zgjedhjeve.
Pyetje: Për tu rikthyer tek zgjedhjet, do të dërgojë PD kandidatura për vakancat e krijuara në KQZ?
Basha: Të jeni të sigurt që për të gjitha vendimet do të informoheni dhe qëndrimet tona do të jenë publike. Por edhe një herë ju them që kjo nuk është një konferencë shtypi normale ku mund të merremi me çështje të interesit teknik apo gjysëm teknik. Kjo është një çështje themelore e shqiptarëve.

Sot kemi provat nga kjo prokurori, përgjimet zyrtare të Prokurorisë, që kanë zbuluar se si deputetët dhe ministrat e Partisë Socialiste kanë bashkëvepruar me krimin në terren për të blerë, shantazhuar, kërcënuar votën e qytetarëve shqiptarë.
Ndaj ajo që pres dhe kërkoj nga ju, në shërbim të interesit publik dhe vetëm interesit publik, është që të bëni gjithçka për t’i shkuar kësaj çështje deri në fund për të pamundësuar që, një prokurori e vënë nën urdhra politikë, se edhe aty ka prokurorë kurajozë dhe trima, por që janë nën një presion të jashtëzakonshëm, pra, për të pamundësuar që shërbëtorët e Edi Ramës në Prokurori të varrosin këto dosje hetimore. për të mundësuar përmes presionit qytetar që është detyra e qytetarëve në demokraci dhe presionit mediatik, që është detyra e shtyllës së katërt të demokracisë, medias, të ekzekutohen fletë arrestet për Vangjush Dakon dhe pushtetarë të tjerë të PS, të cilët duhet të arrestohen, të hetohen dhe të çohen para drejtësisë për krimin e të gjithë krimeve ehe për të mbajtur përgjegjës Edi Ramës, arkitektin e rënies së zgjedhjeve, arkitektin e bashkëveprimit me krimin, si në kuptimin politik ashtu edhe në kuptimin juridik; pa u shfokusuar, pa u trembur nga gogoli prej letre që ka nxjerrë këto dy javë për të hequr vëmendjen e publikut dhe për të intimiduar median, kundërshtarët politik dhe qytetarët.
Kjo është detyra dhe misioni ynë jetik sot.
Pa zgjidhur këtë çështje asnjë çështje tjetër nuk do të zgjidhet. Nuk do të ketë as drejtësi, as luftë kundër krimit, as zhvillim ekonomik; pa vënë para përgjegjësisë penale dhe pa ndëshkuar krimin elektoral të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Pyetje: Z. Basha ju si kryetar i opozitës ndoshta me të drejtë mund ta cilësoni si situatë dramatike por ka një moment të dytë. Është krijuar perceptimi se PD po kërkon të riciklojë një krizë. Duke marrë parasysh faktin se ju nuk jeni në parlament, keni braktisur reformën zgjedhore, nuk njihni institucionet kushtetuese siç është Prokuroria dhe institucionet e tjera. Sa qëndron kjo e vërtetë, që po kërkohet të krijohet një krizë politike edhe para zgjedhjeve vendore?
Basha: Vendi është në një krizë të thellë politike, ekonomike dhe psikologjike. Nuk ka nevojë të dalësh nga Tirana, por mirë është të dalësh edhe nga Tirana për ta konstatuar se ky realitete shtrihet nga zonat më të pasura të Shqipërisë në qendër të Bllokut, tek fshatrat më të thellë të Shqipërisë.

Dje kam qenë në Vaun e Dejës kur kam parë dhe prekur nga afër depresionin e thellë ekonomik dhe social të fermerëve të asaj zone, të cilët janë lënë në mëshirë të fatit dhe në mëshirë të bandave.
Pra, vendi është në një krizë dhe burim i kësaj krize është sepse nuk ka as kryeministër, as qeveri, as kuvend, as Gjykatë kushtetuese, as prokurori, as polici, as funksionim normal të gjykatave por ka një tufë politikanësh banditë të cilët kanë marrë peng shtetin për llogari të tyre dhe të kriminelëve dhe përmes shtetit kanë marrë peng vendin.
Pra, ky nuk është perceptim, ky është realitet.
Ajo që unë po ju them sot është se ka ardhur koha që zgjidhjen e problemeve ta nisim nga problemi themelor: krimi i gjithë krimeve është krimi elektoral.
Pa zgjidhjen e këtij krimi asgjë nuk do të marrë rrugë; nuk do të ketë as drejtësi, as luftë kundër krimit, as siguri për qytetarët, nuk do të ketë as parlament, nuk do të ketë as prokurori, as polici, do të ketë shfaqje fasadë, do të ketë njerëz të cilët arrestohen me bujë dhe lirohen pa bujë, por nuk do të ketë vënie para përgjegjësisë së atyre që kanë shkatërruar themelet e bashkëjetesës demokratike të njerëzve: Zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Prandaj prioriteti absolut jo vetëm i opozitës, i Partisë Demokratike, i aleatëve tanë por edhe i çdo shqiptari është dhe duhet të jetë rikthimi i vullnetit të qytetarëve. Dhe për këtë ju thashë fare qartë se kemi dy nisma që i konsiderojmë jetike: ndarjen e politikës nga krimi dhe dekriminalizimi i zgjedhjeve, për të cilat kemi bërë edhe propozimet përkatëse në mënyrë shumë aktive prej të hënës së parë të këtij sezoni parlamentar.
Pyetje: A do të pranojë Partia Demokratike të hyjë në zgjedhje me Edi Ramën në rast se nuk pranohen dy nismat tuaja?
Basha: Kjo është një pyetje me interes sensacional, por duke qenë se zgjedhjet do të jenë në qershor nuk ka absolutisht asnjë funksion në konferencën e sotme përveçse për të hequr vëmendjen nga çështja kryesore që ju kam parashtruar dhe çështja kryesore që ju kam parashtruar është si do të kthejmë zgjedhjet në mënyrë që të kthejmë pushtetin tek qytetarët, në mënyrë që mirë apo keq, kryebashkiakët, deputetët, dhe qeveritarët të jenë produkt i vullnetit të qytetarëve dhe jo të kriminelëve. Ky është problemi kryesor, kjo është nëna e të gjithë problemeve.
Pa zgjidhur këtë problem asnjë çështje tjetër nuk do të marrë rrugë.

Pyetje: Zoti Basha ju keni deklaruar se votimi i ligjit për Teatrin është vijë e kuqe për demokracinë, pas pak aty do të jetë ligji për Teatrin, si do të veprojë Partia Demokratike?
Basha: I qëndroj plotësisht deklaratës që kam bërë. Unë Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, e konsiderojmë këtë ligj jo vetëm antikushtetues por provën e qartë se si shteti, në këtë rast Parlamenti, ka marrë krahun e grabitësve të pronës dhe kriminelëve që do të pastrojnë paratë e pista të drogës. Përballë nuk kanë vetëm opozitën, kanë edhe ata artistë artdashës, intelektualë, që gjej rastin t’i përshëndes për një qëndresë të jashtëzakonshme dhe qytetare në këto qindra ditë e netë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar por përballë kanë e do të kenë të gjithë njerëzit dhe ky është momenti ku ka ardhur vendi. Kemi në një anë interesin publik, interesin e njerëzve, të artistëve, të artdashësve dhe kemi nga ana tjetër interesa kriminale, të cilat përfaqësohen nga oligarkët, nga bandat e trafikut të drogës dhe nga deputetët e Edi Ramës në Kuvend, një pjesë e mirë e tyre e ardhur me votat e kriminelëve dhe jo të qytetarëve. I keni bërë pyetjen vetes se si ka mundësi që një shtet me një buxhet prej 4.2 miliardë eurosh nuk gjen para për të ndërtuar një Teatër të ri dhe një biznesmen i vetëm i gjetka këto qindra milionë euro?!
Nga do t’i gjejë? Kush do t’ja japë? Bëjani këtë pyetje vetes, bëni një hetim si media që si ka mundësi që për një person të vetëm bëhet një ligj special, që të shkatërrojë Teatrin Kombëtar, në kundërshtim me ligjet e Republikës, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, për t’i shndërruar ato në kulla të pastrimit të parave të pista të drogës. Bëni një hetim, nuk ka nevojë të thelloheni shumë.
Si ka mundësi që shteti me miliarda euro buxhet nuk paska para për Teatrin dhe na dilka një kompani private, e cila në aktivitetin e saj gjithë kohën ka vetëm tendera të marrë nga shteti. S’ka ndonjë aktivitet tjetër ekonomik të ligjshëm që jemi në dijeni dhe merrka përsipër diçka që s’e merr dot përsipër shteti?!
Besoj se përgjigja është evidente. Kjo është ajo që kemi thënë ne, një aferë që është jo vetëm korruptive, por kriminale, jo thjesht e ndërtimit të kullave, por e pastrimit të parave të pista të drogës.

Dhe kështu e ka kapur për fyti Tiranën dhe kështu e ka kapur për fyti ekonominë. Kështu e ka kapur për fyti shtetin. Pse? Për të mbrojtur interesat paratë dhe pushtetin e tij, të cilin e ka bashkëndarë me krimin dhe sot ai është në pushtet vetëm për këtë qëllim. Që t’ju shërbejë atyre. Në fillim iu shërbeu duke ia lënë Shqipërinë fushë të hapur për kultivimin e drogës, pastaj iu shërbeu duke e shndërruar vendin në një strehë për kriminelët të cilët me rrjetet e tyre kriminale sipas Europolit, janë shtrirë në gjithë Europën dhe tani po iu shërben për fazën e tretë dhe më të rëndë, atë të pastrimit të parave të pista të krimit, duke shkatërruar ekonominë shqiptare, duke shkatërruar trashëgiminë kulturore siç është rasti i Teatrit.
Pra të jeni të sigurt, qëndrimi jonë është i qartë dhe i prerë. Në do të kundërshtojmë me të gjitha format dhe mënyrat në krah të qytetarëve dhe artistëve dhe padyshim që Teatri është dhe mbetet vija e kuqe.
Pyetje: Pse jeni i sigurt që ka një fletëarresti për Dakon? Nga e keni këtë informacion?
Basha: Të merremi me thelbin e çështjes. Vangjush Dako figuron qartësisht, siç e kam denoncuar tash dy vjet, si një nga personat kyç të bashkëpunimit me bandën e Avdylajve dhe me bandat e tjera të krimit të organizuar në Durrës, ku në këmbim të mbështetjes, për të siguruar në mënyrë të paligjshme vota, pra me para apo me kërcënime, apo me shantazhe, apo me deklarimin e zonave të tëra të Durrësit apo Shijakut si zona ku nuk mund të futet opozita, ky t’i japë favore, t’i japë tendera, të ndikojë që të mos t’i hyjë gjemb në këmbë, që të vazhdojnë aktivitetin e tyre kriminal dhe madje kush është në burg të lirohet. E kujtoni garancinë që dha për Lul Berishën apo jo?
Pra këto janë fakte që unë dhe opozita i kemi bërë publike tash dy vjet. Diferenca apo e reja në këtë daljen time para jush sot është se këto figurojnë si prova zyrtare të dosjes hetimore 339, që nuk është e vetmja dosje hetimore. Sepse siç thashë kemi dosjen e Dibrës, ka hetime në Elbasan, kemi hetime në gjithë Shqipërinë, ku deputetët, ministrat dhe kryebashkiakët e Edi Ramës janë kapur në bashkëpunim me bandat e krimit të organizuar e në pazare votash për zgjedhjet e në veçanti për zgjedhjet e vitit 2017.

Pyetje: Zoti Basha a kanë Partia Demokratike dhe aleatët e saj të njëjtin qëndrim për disa çështje? Psh, ju e quajtët operacionin e policisë të ditëve të fundit një fasadë ndërkohë që kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim e vlerësoi këtë operacion. A ka një qëndrim të përbashkët të dy forcave?

Basha: Qëndrimi i opozitës është i qartë dhe unik. Nuk mund të pranojmë ne që qytetarëve apo partnerëve ndërkombëtarë, t’i hidhet hi syve duke nxjerrë nga thesi i aferës kriminale një apo dy peshk të vegjël apo peshq të ngordhur për t’i shërbyer për momentin si koka turku dhe pastaj për të ua lehtësuar akuzat duke i liruar, sepse kjo është një aferë ku janë përfshirë të gjitha kokat e mëdha të kupolës së Rilindjes së drejtuar nga Edi Rama.
Kjo mënyrë veprimi bëhet pikërisht që të mundet të lehtësojnë apo të largojnë vëmendjen nga këto peshq të mëdhenj, duke filluar me Vangjush Dakon.
Prandaj pyetja kryesore që duhet të shtrosh sot nuk është ajo që bëre sepse PO, absolutisht kemi një qëndrim të unik për këtë çështje, që është një çështje jetike për shqiptarët, jo thjesht për opozitën.
Por pyetja që duhet të bëni është: Pse nuk arrestohet Vangjush Dako? Kush ka ndërhyrë që të mos arrestohet Vangjush Dako? Kush i ka bërë presion prokurorëve që të mos e arrestojnë Vangjush Dakon? A po bëhen përpjekje, a po hidhen miliona, po ushtrohet presion politik për të shkatërruar provat që duhet të çojnë në arrestimin e Vangjush Dakos dhe jo vetëm, edhe të deputetëve të tjerë të Partisë Socialiste, edhe ministrave të Partisë Socialiste, të cilët tashmë jo thjesht në foto apo filmime të qytetarëve apo të opozitës, por në provat e prokurorisë rezultojnë të përfshirë në pazare me bandat e krimit të organizuar për të sjellë vota të paligjshme dhe mandate të paligjshme për Partinë Socialiste.
Pyetje: Zoti Basha, sot në rendin e ditës në Parlament është edhe projektligji për Lojërat e Fatit. A keni një qëndrim për këtë?
Basha: Absolutisht asnjë veprim i kësaj maxhorance, aq më pak ato që janë të përsëritura, nuk do ta tërheqin vëmendjen e opozitës dhe unë ju ftoj që mos të tërheqin as vëmendjen e mediave dhe qytetarëve nga alarmi që është bërë publik nga vetë faktet e dala në dritë deri më sot nga Prokuroria që janë maja e ajsbergut. Dhe këto fakte dëshmojnë që në Shqipëri nuk ka më një shtet të qytetarëve por një shtet të krimit. Nuk ka më një Kuvend ku përfaqësohen interesat e qytetarëve, por ka një Kuvend ku mbrohen dhe përfaqësohen vetëm interesat e kriminelëve. Pak rëndësi ka se çfarë forme marrin.
Pak rëndësi ka nëse bëjnë operacione propagandistike për t’i mbyllur sot e për t’i çelur nesër, se kjo ka ndodhur edhe katër vite më parë. Apo për ta çuar pronësinë nga një grup kriminal tek një grup tjetër kriminal, qoftë edhe me etiketën e monopolit shtetëror. Të gjitha këto janë krejtësisht të parëndësishme. Besueshmëria e Edi Ramës për luftën kundër krimit është zero në një moment kur tashmë e kemi të faktuar nga vetë përgjimet e Prokurorisë, se ai është kryeministër dhe njerëzit e tij janë në qeveri për shkak të bashkëpunimit me krimin dhe jo për shkak të votës së qytetarëve.
Çështja që kam shtruar sot para jush është një çështje tepër e rëndësishme për të mundësuar shfokusimin apo kalimin në hapa dhe vendime për të cilat jam shumë i sigurt që do të kemi mundësi të tjera për të bashkëbiseduar. Sot tema kryesore për opozitën, që besoj është tema kryesore edhe për qytetarët dhe që duhet të jetë edhe tema kryesore e medias, është që falë punës kurajoze të disa prokurorëve, pavarësisht presioneve politike, është faktuar me prova zyrtare ajo që kemi thënë: Edi Rama dhe bandat e krimit të organizuar kanë bashkëpunuar për të zgjedhur një maxhorancë ilegjitime, me deputetë ilegjitimë dhe një qeveri ilegjitime. Një maxhorancë inekzistente që nuk reflekton votën e qytetarëve por bashkëveprimin e Edi Ramës dhe krimit të organizuar.