Ligji për Teatrin, Budina: Akt kriminal, Rama ka 20 vjet që pret ta shembë

Kuvendi miratoi me vetëm votat e maxhorancës, ligjin që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar, gjë që ka sjellë reagime nga personalitete të ndryshme.
Regjisori Edmond Budina, i ftuar në studion e televizionit “Fax News” ka dënuar votën e maxhorancës, teksa e ka quajtur atë një akt kriminal.
Ai tha artistët nuk janë kundër teatrit të ri, por kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.
“Këtu po bëhet një krim i rëndë dhe qeveria është antikulturore, sepse mendohet të shemben këto. Është ndërtuar Turbina ku janë dyndur njerëzit, ashtu edhe si pas hapjes së Teatrit Eksperimental”, tha Budina.
Sipas tij, Kryeministri prej 20-vjetësh ëhtë i vendosur për shembjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa ngriti një tjetër problematikë në rast se kjo godinë do të shembet. “Por ku do të shkojnë artistët për 4-5 vitet që do të duhet të ndërtohet teatri i ri”, tha Budina.
Sipas Budinës, do të prishen 5 salla të teatrit, për të ndërtuar 2 të tjera.
“Në një vend të qytetëruar është e rëndësishëm çdo gjë. Në Teatrin kombëtar ka 6 dyer emergjencash, por ku janë dyert tek Kine Milleniumi për të cilën këta mburren, për të mos folur për problemet e tjera, si tek Turbina, ku ata që kanë shkuar ankohen për zërin e problematika të tjera.
Asnjë vend i botës nuk bën akte për shembjen e Teatrit, por për zhvillimin e tij. të gjithë jaë për një Teatër më shumë e jo për një më pak”, tha Budina.
Duke u ndalur tek qëndrimet e ndryshme të artistëve, regjisori u shpreh se ata janë të përçarë nga politika.
I pyetur për qëndrimin e Ministrit për Diasporën, Pandeli Majko, Budina u shpreh se ai është një socialist i vërtetë, pasi një socialist nuk do të ishte asnjëherë kundër kulturës. Budina tha se, të tjerët votojnë si delet në Kuvend, ndërsa Majko bëri një akt të guximshëm në Kuvend.