Basha: Zgjedhjet parlamentare bashkë me zgjedhjet vendore

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar sot se zgjedhjet vendore mund të jenë edhe zgjedhje të përgjithshme. Basha foli gjatë takimit me fermerët e Kosmaçit në Vaun e Dejës.
“Një test i madh po afron: vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhjet vendore, të cilat mund të jenë fare mirë në të njëjtën kohë fare mirë edhe me zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, do të jenë një shans i jashtëzakonshëm që ju të ushtroni të drejtën që keni për të vendosur se çfarë qeverisje doni. Unë jam këtu për t’ju komunikuar bindjen time se gjithë problemet mund të zgjidhen nëse ushtroni me mençuri zgjedhjen e drejtuesve të duhur si në nivel lokal edhe qendror”, deklaroi Basha ndër të tjera.
“Kemi qeverinë e gabuar, qeverinë që mendon vetëm për xhepat e saj. Këtë duhet ta ndalim, këtë e keni në dorë ju. Mjafton t’i shkatërrojmë mekanizmin me të cilin kanë sunduar këto 5 vite. Ju marrin juve taksat, ju lënë në mëshirë të fatit, ju lënë me sytë se kush po vjen e kush po na sjell dhe pastaj ju lëshojnë babanët e tomdoshët e ditmirbushatët ditën e zgjedhjeve për t’jua prishur mendjen me një 50 mijë lekësh apo 20 mijë lekësh apo 100 mijë lekësh. Kjo duhet të marrë fund.
Dhe do të marrë fund. Shqiptarët janë vetëndërgjegjësuar. Unë e shoh këtë kudo. Dhe ju do të keni prapë mundësinë të zgjidhni qeverinë që doni dhe ta mbani përgjegjëse për premtimet. Jo të rrini kështu, sa herë të ketë fushata të vijnë e të bëjnë gallata e të zhduken”, theksoi kreu i opozitës në takim.
“Jemi futur në një rreth vicioz. E blejnë pushtetin me lekë dhe e përdorin për të vjedhur më shumë. Në këtë rreth vicioz janë një grup pushtetarësh që përfitojnë, por humb i gjithë populli. Në asnjë vend nuk janë braktisur fermerët si në Shqipëri, ka qeveria e Edi Ramës, as Kosova, sheti më i ri, as Bosnja se Maqedonia jo e jo”, u shpreh me tej Basha në takimin me fermerët.

Basha në bashkëbisedimin që ka nisur me fermerët e fshatit Kosmaç vërejti se problemet aty ishin thuajse të ngjashme si në Myzeqe vetëm për shkak të mungesës së vëmendjes shtetërore.
“Këtu vij për herë të parë, tha Basha, por paska disa ngjashmëri me Myzeqenë, e kam vizituar disa herë. Kushtet klimaterike janë të favorshme, tereni është i favorshë, kultura e punës është e mirë, prodhimi i bollshëm. Por ka dy probleme, problemi i parë që nuk ka asnjë lloj mbështetje financiare nga shteti dhe problemi i dytë, aksesi në treg jo vetëm nuk ndihmohet, por pengohet nga shteti dhe mungesa e vëmendjes shtetërore”, u shpreh Basha.
Një specialist i bujqësisë me përvojë i tha Bashës se, e kemi pritur tre herë kryeministrin këtu në Kosmaç dhe na ka premtuar, por nuk ka bërë asgjë nga ato që tha. Pas tij kanë ardhur edhe deputeti i zonës, edhe ministri i Bujqësisë, por asnjë zgjidhje nuk ka ardhur prej tyre. Ndaj për çdo gjë janë detyruar t’i drejtohen kryetarit të bashkisë që u ka afruar tre mjete për ndihmë dhe çdo gjë tjetër të nevojshme për të zgjidhur problemet.