Basha: 500 milionë euro për 10 oligarkë, konfiskim me ligjin “Antimafia”

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi sot gajtë një takimi me fermerët se 500 milionë shkojnë për koncesionet korruptive të qeverisë. Basha paralajmëroi sekuestrim të këtyure parave dhe invetsim të tyre në sektorët publikë.
“Qeveria shqiptare është e vetmja qeveri në Europëqë ka braktisur fermerët e vet. Me subvencionet paguhen kandidatët e PS për të blerë vota. 500 milionë euro shpërndahen tek 10 oligarkë me skema korrupsioni si koncesioni checkup-it dhe rrugë 5 herë më të shtrenjta.
Shqipëria nuk investon në bujqësi dhe nuk ndihmon fermerët, sepse ka qeverinë e gabuar, që pasuron veten dhe disa oligarkë. Këtë duhet ta ndalim sa më shpejt.
Me ligjin “Antimafia” paratë dhe pasuritë e përfituara me korrupsion do të konfiskohen dhe do të investohen në bujqësi, shëndetësi, arsim, infrastrukturë”, tha Basha.
Plani i PD për mbështetjen e bujqësisë që vitin e parë me 100 milionë euro, ka tre shtylla kryesore: investimet në infrastrukturë, subvencione direkte, mbrojtje e prodhimit vendas me tarifat doganore.
FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA NË KUSMAÇ TË VAUT TË DEJËS
Ju falenderoj nga zemra për mikpritjen dhe faleminderit për fjalët e ngrohta të mirëseardhjes. Mirëse ju gjej!
Kam ardhur me një kënaqësi të madhe në Kosmaç sot, ndonëse është hera e parë që futem dhe shoh tokën, serat dhe punën e mrekullueshme, për të cilën njiheni anembanë Vaut të Dejës, Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.
Bashkë me zotin Halim, kryeplakun, dhe me disa prej familjarëve, miqve dhe komshinjve tuaj, pamë nga afër punimet në disa disa prej serave, që tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një komunitet fermerësh punëtorë dhe të palodhur.
Ia thashë, kur ishim pranë serave dhe dua t’ua them edhe ju, se këtu gjej të njëjtin shpirt pune e sakrificë si në Myzeqe, të njëjtën klimë të përshtatshme për kultivim kulturash bujqësore, në rastin tuaj perimesh, të njëjtën punë vetëmohuese nga mëngjesi deri në darkë gjatë gjithë vitit si në dimër ashtu edhe në verë e, po kështu, të njëjtat vështirësi.

Më treguan se problemi kryesor me të cilin përballeni është mungesa totale e përkrahjes nga shteti. Vlera totale e investimit që ju si fshat keni bërë në mijëra dynym sera këtu në fshatin tuaj, kap afro 7 milion dollarë, të gjitha para të investuara nga ju, xhepi juaj apo të marra kredi nëpër banka.
Në pesë vite nuk keni marrë asnjë qindarkë subvencion nga shteti. Është tronditëse, në radhë të parë, sepse paratë që ju paguani si taksa, si faturë energjie, sepse më thanë se është një nga fshatrat model në të gjithë Shqipërinë për pagesën e faturës së energjisë, nuk ju kthehen mbrapsht as si investime dhe as si mbështetje për bujqësinë. Po ne e dimë tashmë dhe ju e dini fare mirë se në asnjë vend të botës, në asnjë vend të Europës nuk funksionon bujqësia pa përkrahje shtetërore, pa subvencione.
Subvencionon Maqedonia, subvencionon Kosova. I vetmi shtet që e ka braktisur fermerët e vet në fatin e Zotit e të motit është ky shtet e kjo qeveri.
Po pse vallë?A ka mundësi shteti shqiptar t’i mbështesë fermerët e Kosmaçit, të Myzeqesë e të Devollit, të Xarrës, të Velipojës?! Sigurisht që ka mundësi. Për mirë apo për keq, shteti ka sot një shpenzim vjetor prej 4.2 miliardë eurosh. Po ku shkojnë këto para? Ku shkojnë këto lekë që mblidhen nga taksat tuaja?
Ju e dini fare mirë se ku shkojnë dhe ne si opozitë ju kemi treguar me emër e mbiemër se ku shkojnë këto lekë.
500 milionë euro vetëm këto vite të qeverisjes shkojnë për 10 oligarkë që i marrin paratë e taksave tuaja dhe i kthejnë ato në rrush e kumbulla. E them këtë si metaforë se magar të bëheshin rrush e kumbulla, fruta apo perime. S’bëjnë asgjë. Lekët shkojnë për skema dhe gropa të zeza korrupsioni siç është koncesioni i Check-Up-it., siç janë koncesione rrugësh që ndërtohen me 4-5-fish çmim. E normal, nëqoftëse një kilometër rrugë që do të ndërtohet për 2 milionë euro, e ndërtojnë për 10 milionë euro, s’ngelen më lekë as për subvencione, as për shkolla, as për spitale.

Kjo është arsyeja se përse Maqedonia harxhon 150 milionë euro në vit, subvencione të drejtpërdrejta, para që u paguhen fermerëve maqedonas, fermerëve të Maqedonisë se janë edhe shqiptarët e Maqedonisë, që punojnë atje. Kosova harxhon 120 milionë euro për të mbështetur fermerët e Kosovës, ndërsa fermerët shqiptarë, në Kosmaç dhe kudo tjetër, rrinë me sytë nga qielli.
Si do të konkurrojë domatja e Kosmaçit, speci i Kosmaçit, patëllxhani i Kosmaçit, me çmimet e prodhimeve të Kosovës e të Maqedonisë. Nëqoftëse domatja, patatja apo speca që vijnë nga Kosova e Maqedonia, qeveritë e këtyre vendeve kanë ulur çmimin duke subvencionuar kostot e prodhimit apo koston e transportit, magazinimit. Po ju kë keni? Vetëm veten tuaj, shpatullat tuaja dhe mbështetjen te njëri-tjetrit. Ju keni një pjesë e madhe prej jush edhe kreditë në bankë, që ju rrinë si shpatë mbi kokë.
Pra kjo është braktisja totale që bujqësia shqiptare ka në këto pesë vite, të kësaj qeverie. Në fakt, kjo që po them nuk është totalisht e vërtetë.Ndokush edhe ka marrë subvencione. Kush ka marrë subvencion? Shikoni kush ka marrë subvencion. Kandidatët e Partisë Socialiste për pushtet. Kjo është skema.
Mark Babani ka marrë subvencione.
Përse? Që t’i derdhë si lek për të blerë si vota kur të vijnë zgjedhjet. Kjo është skema e këtij shteti të korruptuar e të falimentuar. Ju mbledh lekët ju përmes taksave, këto taksa i ndan me një grusht oligarkësh dhe klientësh të qeverisë dhe pastaj u kërkon atyre që paratë që kanë marrë në mënyrë të padrejtë dhe korruptive, t’i derdhin sa herë të ketë fushata elektorale për të shkatërruar vullnetin e qytetarëve, për të kapur pushtetin. Një rreth vicioz. E blejnë pushtetin me lek dhe e përdorin pushtetin për të vjedhur më shumë lek.
Në këtë rreth vicioz, të vetmit që fitojnë janë një grusht pushtetarësh të korruptuar, që u është bërë fytyra shollë, nga Edi Rama te TomDoshi, tek Ditmir Bushati që premtojnë sa herë vijnë këtu nëpër fushata, subvencione e mbështetje, me një grusht klientësh të tyre, humb i gjithë populli.
Por në shkallaren e humbjes, askush nuk humb më shumë se fermeri shqiptar.
Nuk ka bërë vaki në Europë të ketë një vend që t’i ketë braktisur kaq totalisht fermerët e vetë si Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës. E sfidoj sot të më tregojë një vend të vetëm në Europë, një, në Ballkan, i cili i ka braktisur fermerët në mënyrë kaq totale.As Kosova, shteti më i ri i Europës, as Maqedonia, jo e jo, as Bosnja.

Kjo që po ndodh është po aq kriminale sa ajo që po ndodh në shëndetësi. Ku u premtua shëndetësi falas dhe sot spitalet janë pa ilaçe, rimbursimi i barnave, është më katastrofiku në Europë dhe sistemi i shëndetësisë po zbrazet nga mjekët dhe infermierët. Po ky nuk është problem për kryeministrin që kemi.A e patë dje çfarë problemi kishte: ‘Pse futen makinat në QSUT?’Ky ishte problem, jo që QSUT-ja është pa mjekë e po zbrazet nga mjekët, infermierët e specialistët.
Dhe për të marrë barna duhet patjetër, e për të marrë shërbimin shëndetësor duhet patjetër të paguash rryshfet. Nuk janë këto problemet jo, problem është se përse u futkan makinat në QSUT. Se të sëmurët duhet të ecin në këmbë e mundësisht të bëjnë akrobaci deri sa të shkojnë te sporteli e të marrin shërbimin. Është një tallje totale me popullin sikurse është tallje ajo që ka bërë këtu në Kosmaç.
Ka ardhur tre herë dhe ju ka premtuar përkrahje dhe nuk ka asnjë lloj përkrahje për ju.
Qëndrimi im dhe qëndrimi i Partisë Demokratike është i qartë, publik dhe i vendosur. Me bujqësi dhe blegtori, sot jetojnë, apo më mirë të them mbijetojnë, gjysma e popullsisë.
Ndërkohë që shteti nuk harxhon as gjysmën e asaj që harxhon Kosova dhe Maqedonia për këtë sektor.
Plani ynë për të mbështetur bujqësinë përbëhet nga tre shtylla kryesore.
Shtylla e parë është shtylla e investime infrastrukturore për të mbështetur bujqësinë dhe zhvillimin rural.Kjo do të thotë fonde të mjaftueshme për pushtetin vendor dhe sipas rastit të pushtetin qendror, për të ndihmuar në lehtësimin e infrastrukturës që mbështet zhvillimin bujqësor, qofshin këto rrugë aksesi, kanalizime për vaditje, për kullime, për kanalet e vaditjes dhe të kullimit dhe ç’është më e rëndësishmja ndërtimin e një infrastrukturë që të mbështesë grumbullimin, magazinimin dhe nxjerrjen në treg të prodhimeve bujqësore.

Së dyti, subvencione të drejtpërdrejta për çdo fermer prodhues, fermer apo blegtor prodhues në bazë të prodhimit, duke respektuar prioritetet e zhvillimit, sepse Kosmaçi që njihet për domaten, për specin, për kastravecin, për sallatën, patëllxhanin, nuk mund t’i kërkohet të kultivojë fjala bie panxhar apo misër.Ajo që rritet këtu më mirë, ajo që është tradita juaj, ajo që mund të konkurroni në treg duhet të bëhet edhe prioritet i subvencionimit nga shteti, subvencionum sipas normave që ndjekin të gjitha qeveritë e Ballkanit.
Nga ana tjetër tarifa doganore për prodhimet e eksportit, në mënyrë që prodhimet e fermerëve shqiptarë të jenë të parat dhe pastaj të huajat. Nuk lejojmë që prodhimet bujqësore të fermerëve shqiptarë të konkurrohen në mënyrë të pandershme nga prodhimet e huaja.
NDËRJYRJA E DYTË
Kështu siç është gjendja, vendi po shkon në greminë. Shqipëria nuk mund ta durojë më këtë gjendje, nuk mund ta mbajë më në qafë këtë zgjedhë që i ka vënë kjo qeveri që mendon vetëm për veten e saj.
Po flas më konkretisht.
A e dëgjuat për koncesionin e rrugës Milot –Balldre? A e morët vesh se sa miliona euro do të hidhen për këtë rrugë?
Kosto e kësaj rruge nuk është as gjysma e asaj që Edi Rama vendos t’ua marrë ju dhe t’ia japë një ndërtuesi të vet. Është baras me buxhetin 2 vjeçar të investimeve publike në gjithë Shqipërinë, për një njëri të vetëm.
Pse?!Natyrisht sepse bashkë ndajnë paratë.Ne do ta ndalim këtë menjëherë.
Të gjitha këto kontrata dhe koncensione që marrin në total 2.2 mld euro do t’i nënshtrohen një shqyrtimi sipas ligjit “Antimafia”. Paratë e përfituara me të padrejtë dhe pasuritë e marra me të padrejta do të konfiskohen dhe do të kthehen në shërbim të njerëzve, në shërbim të investimeve që ju nevojiten ju.
Mjaftojnë 15 milionë euro për të rinovuar tërësisht infrastrukturën e rrugëve rurale në Bashkinë e Vaut të Dejës. Kryetari ka projekt, por Edi Rama nuk ka para për Vaun e Dejës, siç nuk ka para për Shkodrën, siç nuk ka para as për Vlorën që është deputet. Por paratë i ka për vete. Paratë i ka për veten e tij, për familjarët e tij, për bashkëpunëtorët e tij, për klientët e tij.
Kjo do të marrë fund.

Nuk ju premtoj mrekulli, por ju premtoj që sipas planit tonë ju si fermerë të Kosmaçit dhe gjithë fermerët e Shqipërisë do të keni një buxhet me subvencione të barabartë për frymë me atë që harxhon sot Kosova apo Maqedonia.Vitin e parë ky buxhet do të jetë 100 milionë euro për gjithë vendin dhe synimi është që të shkojmë 150 milionë euro mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore, por që do të shkojë tek fermerët dhe jo tek 5 oligarkë.
Këtij buxheti do t’i shtohet po kështu mbështetja me fonde shtetërore për të ndihmuar zinxhirin nga prodhimi tek dalja në treg. Askush prej jush nuk ka fuqinë të ndërtojë këtu një infrastrukturë magazinuese apo frigoriferike.Kjo është dhe duhet të jetë detyrë e financimit nga qeveria. Do ta bëjmë këtë me qëllim që të lehtësojmë zinxhirin e prodhimit dhe të tregtimit të mallrave dhe prodhimeve tuaja bujqësore.

Kjo do të bëhet natyrisht në bashkëpunim me komunitetin. Kjo do të bëhet në mënyrë të tillë që të nxisë prodhimin. Nuk do tëmbijnë magazina dhe frigoriferë aty ku jetojnë miqtë e kryeministrit apo kontribuuesit e fushatave të partisë të tij, po aty ku prodhimi është i madh, ku ka nevoja reale për magazinim dhe frigoriferim.
Një nga këto raste është Kosmaçi, ku vit për vit, siç më informoi edhe Halimi, groposni produktet për shkak të mungesës së aksesit në treg. Pra, po! Masat do të jenë të drejtpërdrejta, masat do të jenë të menjëhershme.
Mos harroni, e keqja në këtë vend, është e fortë, por po kështu në qoftë se kemi njerëzit e duhur, qeverinë e duhur dhe vullnetin politik gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt për mirë.Duhet vullneti politik dhe vullneti politik do të përkthehet në masa të forta, të rrepta dhe të vendosura.
Asnjë prej oligarkëve nuk do të arrijë dot të shtrihet mbi kurrizin tuaj. Të gjitha kontratat korruptive do të anulohen menjëherë dhe paratë që sot shkojnë nga buxheti i shtetit, paratë tuaja, taksat tuaja, për këta 10 veta, për këta 10 foka të majmura me paratë e popullit më të varfër të Ballkanit, këto para do të shkojnë për prioritetet tona kryesore.
Prioritet absolut është bujqësia me investime, mbështetja e rinisë përmes stazheve të punës dhe trajnimit në mënyrë që këtu në Shqipëri të sigurojnë vende pune me paga dinjitoze, siç e bën Maqedonia.1 mijë deri në 1 mijë e 500 veta i kanë trajnuar dhe sot shkojnë nga kompanitë nga Gjermania e Suedia, nga Spanja dhe Amerika, nga Japonia dhe Tajvani, dhe hapin vende pune në Maqedoni, ku punojnë pranë shtëpive të tyre, s’kanë nevojë të shkojnë emigrantë.

Pse e bën Maqedonia dhe s’e bëjmë dot ne?! Për një arsye të vetme, sepse kemi qeverinë e gabuar, qeverinë që mendon vetëm për veten e saj, vetëm për xhepat e saj. Këtë duhet ta ndalim dhe këtë e keni në dorë ju. Mjafton t’i shkatërrojmë mekanizmin, me të cilin kanë sunduar këto 5 vite. Ju marrin ju taksat, ju lënë në mëshirë të fatit, ju lënë me sytë se çfarë po bjen dhe kush po na e sjell dhe pastaj ju lëshojnë MarkBabanët dhe TomDoshët e DitmirBushatët ditën e zgjedhjeve për të ua prish mendjen me një 50 mijë lekësh, apo 20 mijë lekësh apo 100 mijë lekësh.
Kjo duhet të marrë fund dhe do të marrë fund. Shqiptarët janë ndërgjegjësuar, janë vetëdijësuar.Unë e shoh këtë kudo. Dhe ju do ta keni prap mundësinë të zgjidhni qeverinë që doni dhe ta mbani përgjegjëse për premtimet dhe jo të rrini kështu që, sa herë që ka fushata të vijnë të bëjnë gallatë e të tallen me ju, të premtojnë e të zhduken. Pse? Sepse e dinë që kur do të vijë dita e zgjedhjeve atë votë do ta nxjerrin me hir e me pahir, me kriminelë, me banda e me shitblerje votash.
Një test i madh po afron, vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhjet vendore dhe këto zgjedhje vendore të cilat mund të jenë fare mirë në të njëjtën kohë edhe me zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, do të jenë një shans i jashtëzakonshëm, që ju të ushtroni të drejtën që keni, për të vendosur se çfarë qeverisje doni.
Unë jam sot këtu jo thjesht për t’ju kallëzuar problemet dhe autorët e problemeve por për t’ju komunikuar bindjen time më të thellë, se të gjitha këto problem mund të zgjidhen, nëqoftëse ju ushtroni të njëjtën mençuri, që ushtroni për serat tuaja, për familjen tuaj, për një aferë të madhe, për një punë të madhe kombëtare, siç është zgjedhja e drejtuesve të duhur, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror dhe për t’ju garantuar dhe për t’ju dhënë fjalën se jo premtimet, por planet që kemi për bujqësinë, për Kosmaçin, për Shkodrën dhe për gjithë Shqipërinë do të vihen menjëherë në jetë me ardhjen në pushtet të një qeverie të dalë nga vota juaj dhe që do t’ju shërbejë ju dhe vetëm ju.