Ndodhi edhe kjo/Qeveria ka gënjyer Komisionin Europian se Gjykata Kushtetuese funksionon

Megi NDREGJONI

Pak muaj më parë Komisioni Europian (KE) kërkoi shpjegime nga qeveria shqiptare lidhur me çështjen e ligjit për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Një nga çështjet kryesore për të cilën KE kërkoi sqarime ishte gjendja e Gjykatës Kushtetuese—një nga pikat kryesore të kundërshtimit të ligjit special është pretendimi për antikushtetueshmëri të tij.
Gjykata Kushtetuese është institucioni përgjegjës kushtetues që shqyrton dhe vendos pajtueshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.
Exit.al ka siguruar dhe shqyrtuar korrespondencën midis qeverisë shqiptare dhe KE-së në lidhje me këtë çështje.
Nga këto dokumente mësohet se qeveria ka pohuar se:
a) Shqipëria ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale
b) GJK mund të pranojë kërkesat për shqyrtim;
c) GJK nuk mund t’i gjykojë dot ato.
Për të mbështetur këtë pohim, qeveria ka informuar KE-në se Gjykata Kushtetuese ka sot tre anëtarë në detyrë nga nentë, të cilët mund të mblidhen për të shqyrtuar kërkesat që i paraqiten dhe të vendosë pranimin ose jo të tyre.
Mbështetur në këtë fakt, qeveria ka pretenduar se Gjykata Kushtetuse vepron normalisht “në fazat paraprake”.
Por ky pohim i qeverisë është faktikisht i pavërtetë, ligjërisht i pabazuar dhe logjikisht absurd.
Së pari, Gjykata Kushtetuese ka vetëm dy dhe jo tre anëtarë, sikurse ka informuar qeveria. Nga nëntë anëtarët e saj: dy janë janë dorëhequr—Sokol Berberi dhe Besnik Imeri; njërit i ka mbaruar mandati dhe u dorëhoq—Vladimir Kristo; katër të tjerë janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit—Fatos Lulo, Altina Xhoxha, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari.

Në detyrë janë vetëm kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha, të dy të konfirmuar nga KPK-ja, por Dedja do t’i nënshtrohet vendimit të Kolegjit të Apelimit pasi kualifikimi i tij është kundërshtuar nga Komisioneri Publik.
Duke patur vetëm dy anëtarë, GJK nuk mund të të ushtrojë asnjë funksion qoftë edhe dytësor. Ajo nuk mund të marrë në shqyrtim pranimin e asnjë kërkese pasi për këtë gjë duhen të paktën tre anëtarë. Kushtetuta shprehet në nenin 133/1, se kërkesat që i drejtohen Gjykatës Kushtetuese shqyrtohen nga një numër i përcaktuar gjyqtarësh. Ligji për funksionimin e GJK e ka përcaktuar se çdo kërkesë duhet paraprakisht të pranohet ose jo nga një kuorum prej tre gjyqtarësh (neni 31/1). Duke qenë se Gjykata ka aktualisht vetëm dy, ajo nuk është në gjendje të pranojë asnjë kërkesë nga subjektet që kanë të drejtën t’i drejtohen.
Kaq mjafton për të rrëzuar pretendimin e qeverisë për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Por edhe sikur Gjykata të ishte në gjendje të pranonte kërkesa, ajo sërish nuk mund të vendoste për to pasi shyrtimi i një çështje dhe marrja e vendimit kërkon një kuorum prej 6 gjyqtarësh.
Kjo do të thotë se edhe sikur ajo të kishte tre anëtarët e nevojshëm për pranimin e kërkesave—sikurse ka gënjyer qeveria—pohimi se Gjykata funksionon do të ishte absurd: qëllimi i funksionimit të GJK është shqyrtimi i pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën dhe për aq kohë sa ajo nuk e ushtron dot këtë funksionin, do të thotë që ajo nuk funksionon.
Duke ju rikthyer kontekstit të çështjes, mungesa e Gjykatës Kushtetuese ka hequr çdo mundësi për të sfiduar pajtueshmërinë me Kushtetutën të ligjit special për Teatrin Kombëtar, duke i dhënë kështu qeverisë një pushtet të pakufizuar dhe të pakontrolluar që mund të ngrihet edhe mbi Kushtetutën.