“Hiqni policët ose do i merrni kufoma”, zbulohen telefonatat e bandave me shefat e policisë

Gazetari Trashgim Sokolaj zbuloi fakte tronditëse se si krimi arrin të mbyllë dosjet kriminale me telefonata.
I ftuar në emisionin “360 Gradë”, Sokolaj u shpreh se në Shodër efektivat e policisë kanë shkuar në vendngjarje për t’i dokumentuar, ndërkohë që janë telefonuar shefat e tyre dhe u kanë thënë do na i hiqni ata policët nga aty apo do t’i merrni kufoma.
“Në Shkodër, deri para pak javësh, policia nuk hynte dot dhe një nga zonat ku policia nuk hynte dot ishte zona e grupit që u godit, me 11 personave të arrestuar. Ka informacione zyrtare që në Shkodër dhe qytete të tjera, kanë ndodhur ngjarje shumë të rënda. Efektivat e policisë kanë shkuar në vendngjarje për t’i dokumentuar, ndërkohë që janë telefonuar shefat e tyre dhe u kanë thënë do na i hiqni ata policët nga aty apo do t’i merrni kufoma. Kjo është prapaskena ku fiken kamerat. Kjo është mbështetja politike që ka policia në përballje me krimin”.
Operacioni
Më 22 shtator 2018, Task Forca Speciale e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda kanë finalizuar operacionin e koduar “Oaz”, në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me aktivitet të shtuar kriminal në Shkodër.

Të gjitha arrestimet janë kryer me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Ata janë:
1. Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë;
2. Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë;
3. Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
4. Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
5. Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
6. Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;
7. Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;
8. Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;
9. Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;
10. Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;
11. Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.
Në kërkim u shpallën 2 anëtarë të këtij grupi kriminal, për të cilët Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shtetasit:
E.B., 45 vjeç, dhe N.H., 34 vjeç.

Sipas burimeve policore dyshohet se ai fshihet në Belgjikë, vend ku ka qëndruar me kohë të plotë gjatë 3-4 viteve të fundit.
Referuar përgjimeve dhe hetimeve të kryera në Shqipëri dhe Holandë ai konsiderohet si personi që qëndronte në krye të grupit. Policia belge dyshon se grupi Bajri kontrollonte veprimtarinë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, gjobvënies dhe aktiviteteve të tjera kriminale në shfrytëzimin e prostitucionit.
Po sipas burimeve, gjatë zhvillimit të operacionit të premten në Shkodër, task forca qendore dhe prokuroria e krimeve të rënda kanë shmangur përfshirjen e policisë lokale duke dërguar të gjitha forcat nga Tirana, nga frika e dekonspirimit të mundshëm.
Mbi të pandehurit rëndojnë akuza të rënda penale, të kryera në kuadër të grupit te strukturuar kriminal.
Sipas prokurorisë, të provuara janë akuzat për dy vrasje, ndërkohë që pritet të hapen edhe dosje të reja ngjarjesh pa autor në të cilat dyshohet se janë amplikuar anëtarët e grupit Bajri.

policia Shkoder