Ballina Sport Dybala: Jam befasuar për shkak të thjeshtësisë së Ronaldos

Dybala: Jam befasuar për shkak të thjeshtësisë së Ronaldos

“Hat-trick” në Ligën e Kampionëve, kundër Young Boys, e bën sërish Paulo Dybala pikë referimi te bardhezinjtë , pas një fillimi të dobët të këtij sezoni. Argjentinasi ka dhënë një intervistë të gjatë për “La Gazzetta dello Sport”, ku pranon se ëndrra e tij është të fitojë Champions-in:
“Pa diskutim, jemi më të fortë se sezonin e kaluar. Po të kishim kaluar Real Madridin, sipas mendimit tim, do ta kishim fituar Ligën e Kampionëve edhe sezonin e kaluar. Madrilenët nuk kishin një ekip më të fortë se ne.
Unë mendoj se paraqitja jonë ndaj Real Madridit e ka nxitur Ronaldon të vijë te Juventusi. Në ndeshjen e kthimit në “Bernabeu”, Ronaldo e kuptoi forcën tonë dhe bëri zgjedhjen e tij. Ai është shumë inteligjent dhe i sheh gjërat para të tjerëve.
Personalisht, kam qenë i befasuar për shkak të thjeshtësisë së Ronaldos, pasi e kam njohur nga afër. Nëse e shikoni atë në rrjetet sociale dhe televizion, krijoni ide të ndryshme. Por, në të vërtetë është shumë i qetë, bën shaka dhe na trajton të gjithëve në të njëjtën mënyrë. Fillimisht merreshim vesh me të përmes Cancelo, prej gjuhës, por tani e flet italishten më mirë se ai”.
Dybala ka më shumë përgjegjësi tashmë, si zv.kapiten i Juventusit: “Ishte nder, kur Barzagli erdhi të më japë shiritin e kapitenit. Aty i thashë vetes: Tani jam një nga senatorët bardhezi. Edhe numri 10, që mbaj në shpinë, është një përgjegjësi e madhe. Duhet të jesh shembull për të tjerët. E dija se me çfarë do të përballesha. Imagjinova kritikat për ndeshjen e dytë, të luajtur keq nga unë. Mendova për mirë dhe tani jam kthyer i plotë në fushë”.
Dybala jep mendimin e tij edhe për “Topin e Artë”, teksa pranon: “Messi dhe Ronaldo, referuar viteve, duhet të kishin fazën e rënies në karrierë, por në fakt të dy po bëjnë ende gjëra të jashtëzakonshme. Messi dhe Cristiano janë jashtë normales. Qëllimi im është që të jem i pari në mesin e normalëve.
“Topi i Artë”? Varane duhet ta fitojë për titujt, por mendoj se do të shkojë për Modric. Për mua është një dëshirë e shprehur përballë një zjarri… Për t’u përmirësuar e fituar trofe të tillë, duhet të kesh qëllime të larta. Duke filluar nga fitimi i Ligës së Kampionëve”.

Exit mobile version