Rama do të largohet, tre opsionet

Kastriot ISLAMI

Shqipëria është vendi tipik në Ballkanin Perëndimor ku qeverisja, kuvendi dhe administrata publike ka numër shumë të lartë të ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të lartë
a. të dyshuar për korrupsion,
b. me rekorde të tmerrshme kriminale apo te lidhur me kriminelët;
c. të implikuar direkt apo indirekt në trafikun e narkotikëve e të lidhur drejtpërdrejtë apo përmes klaneve mafioze me krimin e organizuar kombëtar, rajonal e ndërkombëtar; dhe
d. me formim mediokër apo arsim të dyshimtë universitar përmes blerjes së diplomave false.
Rama në 2013 institucionalizoi interesat e oligarkisë
Në zgjedhjet e 21 qershorit 2013, Rama për të fituar karrigen e kryeministrit pra për të arritur ëndrrën e tij rriti në mënyrë të konsiderueshme në grupin e tij parlamentar numrin e
a. politikanëve të korruptuar,
b. të biznesmenëve e manjatëve të medias të pasuruar në mënyrë të paligjshme përmes lejeve të ndërtimit, tenderave me fonde publike, privatizimit të aseteve publike, e fitimit klientelist të lejeve të koncesioneve,
c. të individëve me rekorde të tmerrshme kriminale,
d. të përdoruesve të drogave të rënda e të lehta dhe të implikuar në trafikun e lëndëve narkotike,
e. dhe të atyre me formim mediokër apo arsim të dyshimtë që rezultojnë blerës të diplomave false.

Rama ka vrarë konkurrimin dhe meritokracinë…
Të gjithë këta individë së bashku me ‘kukullat jesmene’ dhe ‘zagarët lehaqenas’ aktivë në median klienteliste të Ramës, kanë formuar Rilindjen, sektin që ka marrë peng demokracinë duke vrarë konkurrimin e ndershëm dhe eliminuar meritokracinë.
Sekti Rama, ndër të tjera, ka mundur të arrijë objektivin e ‘fitores’ në 2013
a. duke gënjyer votuesit me programin Rilindja apo Programin e Mashtrimit të Madh;
b. duke blerë votat me paratë e korrupsionit, krimit dhe kultivimit të kanabisit,
c. duke kërcënuar votuesit me individët me rekorde kriminale apo të përfshirë në trafikun dhe kultivimin e drogës,
d. duke shpifur, ofenduar dhe sulmuar të gjithë kundërshtarët përmes medias klienteliste të paguar me paratë e korrupsionit, krimit, trafikut të narkotikëve,
e. dhe duke promovuar në postet drejtuese të shtetit anëtarët e sektit, të korruptuarit, të inkriminuarit, mediokrit.
Rama kontrollon gjithçka, më së fundmi edhe drejtësinë…
Anëtarët e kupolës së Rilindjes rezultojnë më të pasurit e Kuvendit dhe të administratës publike, ndërkohë që disa nga këta individë në kuvend kanë folur shumë pak ose aspak, por janë përdorur nga Rama për të kërcënuar dhe deri goditur fizikisht kolegët. Pa asnjë mëdyshje këta individë janë personazhe që s’kanë asnjë lidhje me politikën, me veprimtarinë parlamentare, me qeverisjen, pra me demokracinë.
Përmes këtij grupimi, Rama kontrollon biznesin e madh, median, shoqërinë civile, tjetërson rezultatin e zgjedhjeve dhe së fundmi ka arritur të vendosë tërësisht nën kontroll edhe sistemin e drejtësisë. Duke mos përjashtuar edhe të komprometojë edhe zyrtarë të lartë në Bruksel apo përfaqësues të rëndësishëm në Tiranë.

Rama, përgjegjësi kryesor, por edhe klientela e tij do të ndëshkohen
Përgjegjësia për ideimin dhe realizmin e formimit, zgjerimit e ardhjes në pushtet të Rilindjes është e shumëfishtë
a. natyrisht përgjegjësi kryesor që ka ideuar, orkestruar, drejtuar dhe realizuar këtë skemë në formën perfekte duke qenë njëkohësisht përfituesi kryesor i saj është Edi Rama;
b. e të gjithë atyre individëve që kanë pranuar të implikohen aktivisht e intensivisht në këtë veprimtari korruptive, kriminale dhe vrastare të demokracisë, me pasoja të rënda për vendin e të ardhmen e shqiptarëve;
c. e të gjithë atyre drejtuesve të lartë të PS dhe anëtarëve të forumeve që për interesa të vogla kanë qëndruar indiferentë apo kanë mbështetur naivisht këtë projekt shkatërrimtar për vendin që ka nxitur shqiptarët të emigrojnë, si dhe
d. e të gjithë atyre aleatëve politikë apo të biznesit e shoqërisë civile që për interesa të ngushta pushteti janë bërë pjesë e këtij projekti, me dashje apo pa dashje.
Mënyra e ‘butë’ për të larguar/cc’rrënjosur Establishmentin Rama…
Ky regjim do të largohet dhe ndëshkohet pashmangshmërisht. Kjo është ngjarje e sigurtë. Koha dhe mënyra e çmontimit të tij është e diskutueshme. Sa më e gjatë të jetë koha e qëndrimit të Rilindjes në pushtet dhe sa më lartë të jetë rezistenca e saj aq më i tmerrshëm do të jetë largimi i saj dhe aq më rëndë do të jetë ndëshkimi.
Qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm se fundi i kësaj bande është i pashmangshëm, pavarësisht arrogancës dhe egërsisë që përpiqet e do të përpiqet në momentet e fundit të shpalosë kjo bandë vrastare e të ardhmes dhe shpresës së qytetarëve që për momentin po largohen masivisht nga vendi.
Largimi i kësaj bande do të bëhet me votë të lirë e të ndershme, sepse qeverisja e re nuk mund të vendoset me dhunë. Sigurisht që për të çliruar votën nga vjedhja e hajdutëve dhe votuesin nga kërcënimet e kriminelëve, pra për të ardhur deri tek zgjedhjet e lira e të ndershme, ka disa mënyra, ka disa rrugë:

a. Rruga e ‘butë’, ose përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, të miratuara me konsensus që synojnë të shkatërrojnë lidhjet e qeverisë me kriminelët e trafikantët (ligji i dekriminalizimit) dhe largimin e oligarkëve dhe të korruptuarave nga institucionet e shtetit (ligji i vetingut politik dhe vënia në lëvizje e SPAK e BKH).
Kjo rruge duket në pamje të parë një zgjidhje paradoksale sepse është vështirë apo deri edhe e pamundur ti përgjigjesh pozitivisht pyetjes: a do të pranonte Rilindja të bënte ligje për largimin e saj nga pushteti?
Kjo rrugë, që ka shumë pak gjasa për të mos thënë aspak të ndodhë, do ti hapte rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe do të shmangte traumat në të ardhmen. Por kjo rrugë duket e vështirë dhe pothuajse e pamundur dhe do të kishte një mundësi të mund të ndodhte vetëm nëse do të gjente mbështetje ndërkombëtare (pa ekzagjeruar në asnjë rast rolin e ndërkombëtarëve që nuk duhet feshitizuar), që duket e zbehtë apo munguese për momentin.
b. Rruga e ‘ashpër’ e protestave masive, afatgjata dhe të fuqishme, që do të çonte në largimin e Ramës dhe të qeverisë së tij duke i hapur rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme të përgatitura nga qeveri e besimit dhe shpresës. Për momentin, kjo rrugë duket shumë e vështirë dhe pothuajse e pamundur për tu realizuar. Sepse qytetarët duken të mpirë e të painteresuar për të marrë pjesë në protesta masive për largimin e kësaj qeverie që nuk e durojnë më dot por që nga ana tjetër nuk gjejnë ende një alternativë shprese e besimi, duke preferuar për momentin emigrimin si të vetmen zgjidhje. Që të rritet mundësia e realizimit të këtij opsioni duhet që opozita por edhe të gjithë kundërshtarët e Rilindjes të bëjnë gjithçka për të krijuar shpresën dhe besimin se gjithçka pas largimit dhe ndëshkimit të Rilindjes do të jetë ndryshe, dhe jo thjesht zëvendësim i një pushteti me një tjetër. Kjo është një rrugë e vështirë dhe mund të çonte në përplasje të qytetarëve me shtetin policor por që në çdo rast do të çonte në largimin e Ramës dhe të qeverisë.

c. Rruga e përplasjes së qytetarëve me politikën, apo e shpërthimit të pakontrolluar të zemërimit qytetar që do të ndëshkonte fuqimisht Rilindjen por nuk do të kursente as opozitën, duke hedhur në kosh të gjithë oligarkët e kriminelët, por edhe të gjithë politikanët e tjerë, pa arritur të bënte dallimin mes tyre. Dikush do të bënte avokatin e djallit duke thënë se ‘shqiptarët durojnë dhe nuk shpërthejnë’.
E vërteta historike është ndryshe, shqiptarët vërtet durojnë shumë por po ashtu është e vërtetë se edhe shpërthejnë në mënyrë të paparashikueshme e të fuqishme. Kjo rrugë e përplasjes që qytetarëve me politikën mund të ktheje në një përplasje kaotike edhe mes të varfërve e të pasurve duke u shoqëruar me dëme e pasoja shumë të rënda; prandaj do të sugjeroja që kjo rrugë të shmangej me çdo mjet e mënyrë, për më tepër që është e vështirë të parashikohet se si do të ishte dalja prej saj dhe me çfarë kostoje. Por kjo rrugë do të duhet të shërbente si një mesazh i fuqishëm për Rilindjen për të aplikuar në rastin më të mirë rrugën e ‘butë’ dhe për opozitën që në rastin ekstrem të angazhohej seriozisht qoftë edhe për rrugën e protestave masive.
Shënim: nëse ndokush do të arsyetonte me argumente të sofistikuar se asnjë nga këto rrugë nuk është e mundur, atëherë mbeten vetëm dy mundësi. Ose në vend të rivendoset diktatura e një pakice oligarkike dhe kriminale në një vend që shumë shpejt do të braktisej edhe nga BE edhe dhe NATO.
Ose vendi të boshatisej gradualisht nga shqiptarët. Kam bindjen se asnjë prej këtyre opsioneve është probabël. Shumë shpejt vendi do të gjejë zgjidhjen, qoftë përmes rrugës së ‘butë’, qoftë përmes rrugës së ‘ashpër’.