Problemi “sllav” po destabilizon Bayern Munich

Situata te Bayern Munich nuk është aspak e qetë. Tri ndeshjet radhazi pa fitore e kanë shtuar presionin mbi trajnerin Niko Kovac, tashmë edhe nga lojtarët e tij, që nuk janë dakord me mënyrën e drejtimit nga kroati. Duket thuajse e njëjta situatë si fillimin e edicionit të kaluar, kur klubi u detyrua të shkarkonte Carlo Ancelottin. Ai që hedh dritë mbi problemet në kampin bavarez është mesfushori kolumbian, James Rodrigues.
Ky i fundit zbulon se një pjesë e skuadrës është e mërzitur me trajnerin, sepse ai flet në kroatisht me stafin e tij stërvitor.
Lojtarët e konsiderojnë mungesë respekti, që ai nuk përdor gjermanishten për të komunikuar me vëllain e tij, Robert Kovac, trajnerin e portierëve, Toni Tapalovic, dhe drejtorin sportiv, boshnjakun Hasan Salihamidzic.
Një problem tjetër është edhe rrotacioni. Yjet e Bayern Munich e kuptojnë nevojën për pushim, por nuk ndajnë të njëjtin mendim me trajnerin për shpërndarjen e minutave. Disa lojtarë të rëndësishëm po shohin se minutat e tyre “shumëzohen” në stol. Të shtunën, kundër Borussia Mönchengladbach, do të jetë test i ri i “zjarrit” për Niko Kovac.