Allegri: Ronaldo, profesionist i shkëlqyer brenda dhe jashtë fushës

Maximiliano Allegri, trajner i Juventusit, foli për polemikat jashtë futbollit, që lidhen me Cristiano Ronaldon, i cili akuzohet për një sulm seksual të dyshuar: “Cristiano është mirë, e njoh vetëm prej tre muajsh, por në karrierën e tij 15-vjeçare, gjithmonë ka treguar profesionalizëm, brenda dhe jashtë fushës. Ai është gati të luajë nesër, është fokusuar vetëm te ndeshja. Gjërat jashtë futbollit nuk e prekin atë.
A do të jetë duet me Dybala? Nuk është se ata duhet të përshtaten, vetëm duhet ta njohin njëri-tjetrin më mirë. Aktivizimi jo si sulmues qendre e bën Ronaldon një lojtar që sulmon mbrojtjen, është brenda zonës kundërshtare dhe krijon hapësira. Mandzukiç, Cristiano dhe Dybala kanë luajtur së bashku, por mund të luajnë edhe dy, sepse njëri do të duhet të pushojë, ose të shërohet (në rast lëndimi).
Mungesa e tij te Portugalia? E dija se Cristiano nuk do të shkonte tek ekipi kombëtar edhe për ndeshjet e radhës Ai u pajtua për këtë me trajnerin dhe me presidentin e federatës. Është më mirë, ai mund të punojë këtu me ne. Mbrojtja që i jep Juventusi edhe për gjëra jashtë fushës? Klubi ka të drejtë ta bëjë këtë në një moment delikat, por shpatullat e Ronaldos janë kaq të gjera, saqë ai do të bëjë mirë nesër. Cristiano është i qetë, ka zhvilluar një stërvitje të mirë. Jam i lumtur për profesionalizmin dhe qetësinë e Ronaldos, brenda dhe jashtë fushës”.