Reali i shpërfytyruar, Bale: 21 gola, Benzema: 12, Asensio: 11… Ronaldo: 44 gola

Nuk e dimë, nëse është më e rëndë që, në një mënyrë kaq të lirshme, një ekip si CSKA e Moskës t’iu shënojë gol që në minutën e parë kampionëve të Europës në fuqi, apo ana tjetër e medaljes: që për 95 minuta, Real Madridi të mos jetë në gjendje për t’i shënuar të paktën një gol kundërshtarit rus. Nuk e dimë vërtet se cila është më e keqe: mungesa e përqendrimit apo mungesa e shenjestës, sepse është e vështirë për të kuptuar intensitetin e “Los Blancos” në fushë, pas dy pengesa të njëpasnjëshme. Si ndaj Sevilla, edhe kundër Atlético Madridit, skuadra e Lopetegui ishte pa grintë dhe pa uri.
Regjistrimi i tri ndeshjeve radhazi pa shënuar një gol, kur ke lojtarë të tillë si Benzema, Asensio apo Bale, mund të jetë një aksident. Gjithashtu, mund të jetë një rastësi, që ky Real Madrid ka më së shumti golashënuesit e nivelit më të ulët të dhjetë viteve të fundit. Sidomos, në qoftë se mbajmë mend se sezonin e kaluar, Bale shënoi 21 gola, Benzema 12 gola dhe Asensio 11 gola. Të tre bashkë regjistruan 44 gola në total.
Cristiano Ronaldo, i vetëm, realizoi një “44” tjetër, në 44 ndeshje. Ju e shikoni se në futbollin e sotëm, shanset për gol nuk janë më me bollëk. Debatet janë me bollëk. Ashtu si ai i dy javëve më parë, kur pas ndeshjes me Romën, disa njerëz pyesnin nëse ky Real Madrid luan më mirë, apo më keq pa CR7. Jo, pyetja që duhet të ngrihet është nëse ky ekip do të jetë në gjendje të fitojë lojëra të “bllokuara” si ajo e së martës në Moskë, pa një lojtar si Ronaldo.
Ose, nëse Asensio do të marrë përgjegjësinë e zgjidhjes së situatave të tilla të “bllokuara”, netëve si dje, pa Gareth Bale në fushë. Ditë pas dite, jo vetëm një herë, në një kohë. Me “viktima” si Bale, Isco dhe Marcelo, nuk është kuptuar pse Lopetegui i kishte dhënë leje kapitenit Sergio Ramos, që të qëndronte në Madrid, për të lënë pastaj në stol edhe Luka Modric.
Ky Real Madrid nuk është për eksperimente, apo për “dozime” të tilla, që në gjuhën e futbollit quhen rrotacione. Humbja e mbrëmshme ndaj CSKA, në Moskë, e dëshmon më së miri këtë gjë. Ishte ndeshje që fitohej nga Cristiano i vetëm, por jo nga ky Real Madrid. Numrin 7 e mban Mariano Diaz, por ai nuk është Ronaldo…