Ballina Aktualitet Velina nuk përmbahet: Biletë urbani edhe për fëmijët!

Velina nuk përmbahet: Biletë urbani edhe për fëmijët!

Biletë urbani edhe për fëmijët, gjobë ndaj atyre që nuk e respektojnë vendimin. Ky njoftim prej disa javësh është vendosur në disa prej linjave të urbaneve në kryeqytet dhe detyron çdo fëmijë që është mbi moshën 6 vjeç të pajiset me biletë.
Vendimi është marrë nga Bashkia e Tiranës në nëbashkëpunim me Shoqatën e Transportit Publik. Drejtori Teknik i Shoqatës së Transportit Publik, Kujtim Hashorva thotë se këtë herë ndaj atyre që nuk e respektojnë vendimin do të merren masa penalizuese.
Hashorva: Në kushtet kur shpenzimet e udhëtimit janë rritur, shpejtësia e lëvizjes, çmimi i karburantit, duke bërë një analizë, operatorët kanë ndërmarrë të gjitha masat. Nuk do të gjobitet fëmija, por ai që e shoqëron.
Por kjo përkthehet në kosto shtesë për familjet, fëmijët e të cilëve duhet të frekuentojnë transportin publik për të shkuar në shkollë apo veprimtari të tjera. Ata e kundërshtojnë vendimin dhe e cilësojnë të padrejtë.
Prindër: Është i padrejtë. Ne lëvizim disa herë në ditë, jo në shkollë, jo në kurs.
Por çfarë ndodh në Evropë? Në Luksemburg që prej gushtit të këtij viti, çdo fëmijë dhe i ri nën moshën 20 vjeç mund të përdorë transportin publik falas, madje pa qenë të detyruar të tregojnë kartën e identiteti për të vërtetuar moshën e tyre. Në Itali fëmijët nën 10 vjeç nuk kanë nevojë të pajisen me biletë ndërsa më të rriturit paguajnë një çmim të reduktuar. Por a mund të ndiqen këto politika edhe në Shqipëri?
Hashorva: Plotësisht e mundur, por shteti duhet të rimbursojë, siç rimburson veteranët apo studentët.
Në Tiranë janë rreth 300 mijë persona që përdorin transportin publik çdo ditë, për studentët personat me aftësi të kufizuar dhe veteranët çmimet janë të reduktuara, por Shoqata e Transportit Publik thotë se nuk ka marrë mbrapsht asnjë rimbursim.

Exit mobile version