Nis lufta tregtare me Kinën, Pompeo: SHBA do të dalë fitimtare

Sot ka filluar aplikimi i valës së re të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj mallrave të Kinës, njëherësh masa më e madhe në luftën e përshkallëzuar tregtare në mes të dy superfuqive ekonomike.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë tarifa në vlerë të 200 miliardë dollarëve në produktet kineze nga mesnata, me orën lokale të Kinës, për shkak të atyre që janë cilësuar si praktika të padrejta tregtare nga ana e Kinës.
Kina në anën tjetër është hakmarrë duke shënjestruar mallrat amerikane me tarifa shtesë në vlerë të 60 miliardë dollarëve.
Autoritetet kineze kanë thënë se SHBA-ja, ka nisur “luftën më të madhe tregtare në historinë ekonomike”.
Çfarë nënkupton lufta tregtare SHBA-Kinë?
Me valën e fundit të tarifave, vlerësohet se tarifat amerikane kanë prekur produktet kineze në vlerë të 250 miliardë dollarëve.
Kjo njëherësh nënkupton se gjysma e të gjitha importeve të Kinës në SHBA, tani janë subjekt i tarifave.
Presidenti amerikan, Donlad Trump ka thënë se me anë të këtyre tarifave kërkon të ndalojë “transferimet e padrejta të teknologjisë dhe pronave intelektuale amerikane drejt Kinës” si dhe të mbrojë vendet e punës.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u zotua se SHBA do të dalin fitimtare në çdo luftë tregtare me Kinën, një ditë para se tarifat më të fundit të administratës Trump ndaj importeve kineze të hyjnë në fuqi.
Pompeo tha një një intervistë që dha të dielën për rrjetin televiziv “Fox News”: “Ne do të arrijmë ta detyrojmë Kinën të sillet në mënyrën e duhur: në se do të bëhesh fuqi globale, nuk duhet të vjedhësh pronën intelektuale”.
Administrata Trump ka argumentuar se tarifat ndaj mallrave kineze do ta detyronin Pekinin të zhvillonte tregti me Shtetet e Bashkuara në terma më të favorshme.
Po ashtu, administrata amerikane ka kërkuar që Kina të mbrojë pronën intelektuale dhe t’i japë fund praktikës së piraterisë kibernetike. Administrata Trump, po ashtu i ka bërë thirrje Kinës që t’i lejojë kompanitë amerikane që të kenë më tepër akses në tregjet kineze dhe ta ulin bilancin pozitiv nga tregtia me Shtetet e Bashkuara.