“Duam shkollën tonë”! Prindër dhe nxënës shqyejnë derën e futen brenda në shkollë

Prindër dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare në fshatin Mengël të Elbasanit kanë protestuar dhe bojkotuar mësimin edhe mesditën e sotme. Ata kanë protestuar në oborrin e shkollës së tyre, e cila është mbyllur prej dy vitesh për shkak se Komisioni i Emergjencave e cilësoi atë të pasigurt pas rënies së tërmetit.
Në këto kushte fëmijët detyrohen të hipin nëpër autobusë për të ndjekur mësim në turnin e dytë në një nga shkollat 9-vjeçare në Elbasan.
Prindërit u shprehën se do t’i lënë fëmijët pa mësim nëse nuk hapet shkolla e tyre, pasi mbylljen e saj e konsiderojnë me prapavijë politike.
Edhe nxënësit theksuan faktin se duan të hapet shkolla e tyre. Pavarësisht dëshirës për dije ata thonë se nuk do të ndjekin mësimin me turne në qytet. Fëmijët kanë shqyer derën e shkollës së mbyllur dhe pasi janë futur brenda janë shpërndarë në klasa. Ata i kanë bërë thirrje mesuesve të bëjnë mësim.
Në mbështetje të komunitetit të prindërve dhe nxënësve ishin sërish edhe deputetët demokratë të Elbasanit.

protesta per shkollen