Berisha: Fatos Klosi ekzekutoi ministrin e Mbrojtjes të Kosovës, ç’ndodhi pas vrasjes së gazetarit Ali Uka

“Bota sot”: Si po qeveriset në Kosovë dhe Shqipëri?
Sali Berisha: Mjerisht Shqipëria, sipas realitetit të brendshëm por edhe të dhënave të institucioneve dhe mediave ndërkombëtare, është sot vendi i rekordeve më të zeza. Për shkak të këtyre rekordeve sot ajo braktiset nga qytetarët e saj në proporcion dhe herë-herë edhe në shifra absolute me shumë se çdo vend tjetër i planetit. Lidhur me Kosovën mendoj se nuk me takon mua të ndalem në qeverisjen e saj pasi për të folur duhet që shtëpinë ta shohësh jo vetëm nga jashtë por edhe nga brenda.
“Bota sot”: Kalojmë tek raportet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Si i vlerësoni?
Sali Berisha: Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Qeveria e Edi Ramës përveç shpenzimeve protokollare të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, në 5 vite nuk ka asnjë projekt dhe nuk ka investuar qoftë dhe një qindarkë të vetme në bashkëpunimin ndërshtetëror midis dy vendeve tona. Kontributi i vetëm i saj është taksa e rrugës së Kombit për qytetarët e Kosovës dhe largimi masivë i qytetarëve të Kosovës këtë vit nga brigjet turistike të Shqipërisë.
Së fundi, konsideroj të qëllimshme dhe antikombëtare përpjekjet konstante të Edi Ramës për defaktorizimin e udhëheqjes së Kosovës që nuk i bindet atij dhe implikimin e tij direkt në projektin e Vuçiqit dhe argatëve të tij shqipfolës për copëtimin e Kosovës.
“Bota sot”: Sa janë shpresat që Shqipëria të bëhet së shpejti anëtare e BE-së?
Sali Berisha: Me gjithë dëshirën e vërtet që vendet mike anëtare të BE-së kanë që të shohin Shqipërinë në BE, mjerisht, sot me duhet të pohoj se me narkoshtetin e Edvin Kristaq Rames anëtarësimi i vendit në BE është një horizont që çdo muaj dhe vit largohet nga ne.

“Bota sot”: Z. Berisha, tashmë po bëhen 20 vite nga vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit në Tiranë, ndërkohë që kjo vrasje nuk është zbardhur ende, nga kush mendoni se është vrarë kolonel Krasniqi, Kosova apo Shqipëria apo të dyja bashkërisht?
Sali Berisha: Unë e kam njohur e kam takuar disa herë dhe ruaj kujtimet më të mira për kolonel Ahmet Krasniqin, ministrin e luftës të Qeverise së Kosovës të presidentit Rugova me kryeministër Bujar Bukoshin. Në tre takimet, qëllimi i ardhjes së tij tek unë ishte vetëm një: Të ndihmoja në bashkëpunimin e tij dhe forcave që ai komandonte me forcat e UÇK-së.
Ahmet Krasniqin e ekzekutuan në rrugicën në prag të derës së shtëpisë ku banonte, Fatos Klosi, pra shërbimi inteligjent shqiptar. Kjo është e padiskutueshme dhe gjerësisht e njohur. Pra organizator direkt i krimit të shëmtuar politik është Fatos Klosi, i cili gjatë qeverisë time ndiqej për lidhje me dy shërbime të huaja. E bëri këtë me punonjës të tij apo vrasës me pagës këtë duhet që ta sqaroj drejtësia. Pas rikthimit në pushtet jam përpjekur që të zbardhet kjo vrasje, por kontrolli i PS-së mbi prokurorinë e bëri të pamundur këtë.
“Bota sot”: Si e komentoni mos zbardhjen e vrasjes së gazetarit Ali Uka, edhe kjo vrasje e kryer në Shqipëri nuk është zbardhur ende?
Sali Berisha: Gazetari Ali Uka mesa di unë është vrarë në dhomën e tij, vrasja e tij tronditi thellë gazetarët e vendit dhe pati një proces gjyqësor, të cilin me duket e ndoqi familja e të ndjerit. Rrethanat dhe autorët e këtij krimi nuk dihen. Jam i sigurt se prokuroria politike shqiptare vetëm sa mund të ketë fshehur dhe prishur prova për të mos e zbardhur atë.