Basha: Rama-Marku po mbyllin dosjen Tahiri dhe lirojnë Shullazin, drejtësia ka mbaruar

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të kryeprokurores Arta Marku për të hapur hetim disiplinor ndaj 10 prokurorëve, të cilët refuzuan shortin për dosjen “Shullazi”. Tre prej tyre u transferuan nëpër rrethe.
Basha thotë se ashtu si në rastin e Tahirit edhe në rastin e Shullazit po luhet i njëjti skenar.
“Siç e kemi paralajmeruar. Sot Rama-Marku shkatërruan përfundimisht hetimin për Tahirin duke përgatitur mbylljen e dosjes ndaj tij. I njëjti skenar po zbatohet për të lehtësuar Shullazin. Drejtësia ka mbaruar. Krimi po triumfon”, shkruan Basha në Twitter.
Më herët Basha deklaroi nga Vlora në takimin me deputetët e opozitës se, e tregon rasti i Emiliano Shullazit se ku e katandisi Edi Rama drejrtësinë me një grusht shërbëtorësh të korruptuar dhe të blerë me paratë e drogës shqip-folës apo jo.
“Keni parë se çfarë ka ndodhur dje në gjyqin e EmilianoShullazit? Bllokuar prej tre muajsh, që nga qershori. Dje e gjithë trupa e prokurorëve ka refuzuar duke u larguar nga mbledhja, farsën e organizuar nga kamikazja , ushtarja e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Donika Prela, për gjoja një short të ri, për të caktuar prokurorë të rinj të çështjes.
Sot gjyqi ndaj kryebanditit Shullazi është pa prokuror. Nuk ka prokuror për të gjykuar banditët.
Kjo është vepra e Edi Ramës me reformën në drejtësi. Nga një instrument i drejtësisëështë kthyer në një instrument të politikanëve të lidhur me krimin. Sepse Emiliano Shullazi, Sajmir Tahiri dhe Edi Rama janë një dhe vetëm një. Ky është shërbimi i Edi Ramës ndaj EmilianoShullazit dhe dhjetëra shullazëve të tjerë brenda në qeli, që po lirohen nga qelitë, apo që mbeten në liri.
Drejtësia në kolaps, shteti në kolaps, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa prokuror, që ndjekin çështje të mprehta të kriminalitetit”, u shpreh Basha.