Basha me ministrin e Jashtëm gjerman për kapjen e shtetit nga krimi, paralajmërimi për Ramën

Në takimin me Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, lideri i opozitës Lulzim Basha, shprehu shqetësimin e PD dhe të opozitës për përmasën e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, gjatë viteve të fundit, falë lidhjeve dhe bashkëpunimit me politikanët në pushtet.
Duke iu referuar kushteve të vendosura në Samitin e Sofjes, zoti Basha i konsideroi lidhjet e politikës me krimin si pengesën më të madhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, si dhe rrezik për stabilitetin e vendit.
Zoti Basha shprehu gatishmërinë e opozitës për të vazhduar të kontribuojë në zbatimin e reformës në drejtësi, bazuar në parimet e respektimit të Kushtetutës, moskapjes partiake të gjyqësorit dhe arritjes së rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kreu i opozitës rikonfirmoi qëndrimin për mosndryshimin e kufijve në Ballkan dhe falenderoi Kancelaren Merkel dhe qeverinë gjermane për pozicionimin e qartë në këtë çështje.
Një falenderim dhe mirënjohje të veçantë, Lulzim Basha i shprehu Ministrit të Jashtëm Maas për ndihmën e madhe e të pakursyer që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në 3 dekadat e fundit, veçanërisht për integrimin europian.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE mbetet objektivi kryesor politik i Partisë Demokratike”- theksoi zoti Basha.

Maas-Ramës: Përmbush kushtet
Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas ka qënë I prërë me Kryeministrin Rama lidhur me prespektivën europiane të Shqipërisë.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me shefin e qeverisë shqiptare, kryediplomati gjerman deklaroi se “prespektiva europiane nuk është vetëm fjalë, nesë do të vijoni rrugën, atëherë përmbushni kushtet.
Shefi i diplomacisë gjermane deklaroi se që të nisin bisedimet për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, duhen reformat.
Më konkretisht Ministri I Jashtëm gjerman Heiko Maas deklaroi:
“Në qershor 2019 BE vendosi mundësinë të nisë bisedimet me Shqipërinë, por per këtë duhen edhe reformat. Ka kundërshti apo rezistence në këto procese qe duhet te kapërcehen që të vijoje perspektiva europaine. Shqipëria ka mbështetjen e Gjermanisë. Perspektiva europiane nuk është vetëm fjalë, nesë do të vijoni rrugën përmbushni kushtet. Rruga drejt BE do të vijojë dhe për këtë keni mbështetjen tonë të plotë.”
Kryeministri Edi Rama nga ana e tij, ka folur me deklarime të përgjithshme e falenderuese për rolin e Gjermanisë në procesin integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Rama tha se Gjermania i ka kushtuar një vëmendje të veçantë anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Rama falenderoi ministrin gjerman, sic tha ai, “për vizitën dhe që ka zgjedhur që drekën ta kaloni në Shqipëri mes Maqedonisë dhe Greqisë”- tha Rama.