Tensionohet situata në Jalë, qytetarët-Ramës: Ja ku e keni mikun tuaj që ka ndërtuar pa leje dhe nuk i shemben

Ka pasur tensione të forta midis banorëve të Jalës dhe punonjësve të IKMT-së, si dhe forcave të shumta policore që kanë shkuar në zonë.
Punonjësit e IKMT-së kanë nisur shembjet sipas një programi të parashikuar për në muajin shtator, por banorët e zonës janë ngritur në këmbë, duke e kundërshtuar këtë aksion, dhe duke sqaruar se prishjet janë selektive, shkruan faxweb.
Banorët thanë se ata e kanë çuar çështjen në gjykatë dhe janë ende në proces; se nuk janë paralajmëruar për nisjen e shembjeve sot dhe për më keq, dhomat e dhënë me qera i kanë ende me pushues, duke qenë se kushtet e motit kanë qenë të mira.
Ata e konsideruan dhunë, nxjerrjen nga banesat e tyre sot, ndërsa ende nuk dihet qëndrimi që do të mbajë IKMT.
Ndërkohë një prej banorëve ka një thirrje të drejtpërdrejtë për kryeministrin Rama, teksa i thotë se ka vënë ndërtuesit në vendin e parë, dhe jo qytetarët, siç thuhet në daljet e tij të fundit.
Qytetari përmend dhe emrin e mikut të Ramës që, sipas tij, ka ndërtime pa leje në Jalë dhe nuk e ka gjetur asgjë Alban Xhillari.
“Zoti kryeministër sot po në shembni shtëpitë tona, që i kemi ndërtuar me djersën tonë, ju jeni i plotëfuqishëm por po gaboni shumë rëndë. Ja tek e keni mikun tuaj Alban Xhillari që ka ndërtime pa leje dhe nuk e ka gjetur asgjë”, shprehet një prej qytetarëve që po i prishen ndërtesa.