Deputeti i Vlorës, Shehaj proteston në Kukës kundër taksës: Vendi i rrezikuar nga aleanca-krim-qeveri-oligarki-media

Deputeti Agron Shehaj, ishte sot në emër të Partisë Demokratike, për të protestuar në Kukës kundër taksës në Rrugën e Kombit.
Deputeti Shehaj dënoi përdorimin e policisë nga qeveria për të mbytur protestën qytetare, si dhe sjelljen e shumicës së mediave, që me heshtjen e tyre mbështetën vjedhjen.
“Aleanca krim-qeveri-oligarki-media është rrezik për Shqipërinë dhe të ardhmen tonë. Ka vetëm një shpëtim prej saj: shkatërrimi i saj. Kjo është detyra jonë dhe e çdo shqiptari me kurajë dhe dinjitet.”- u shpreh deputeti Agron Shehaj.
Deklarata e Shehajt:
I gjithë aparati policor dhe shtetëror ishte rreshtuar sot kundër qytetarëve dhe në mbrojtje të vjedhjes përmes koncesionit korruptiv të Rrugës së Kombit. Gjithë natën mbrëmë dhe gjithë ditën sot forcat e policisë kanë bërë demonstrim force dhe terror psikologjik ndaj qytetarëve për t’i ndaluar ata të protestojnë. Ndërkohë, mediat kanë heshtur pothuajse të gjitha, ndërsa shumë prej tyre u angazhuan në fushata keqinformuese.
Megjithatë, qytetarët dolën në rrugë kundër vjedhjes për pasurimin e Ramës dhe oligarkëve të tij. Në emër të Partisë Demokratike, së bashku me anëtarë dhe drejtues të PD-së, isha atje dhe pashë në veprim shtetin e kapur nga korrupsioni dhe krimi.
Në fund fare, si një bandit cinik, nga ata që vrasin natën dhe qajnë ditën, Edi Rama falenderoi qytetarët për mirëkuptimin.
I falenderoi që me anë të dhunës tani do të grabisë i qetë paratë e tyre së bashku me Kastratin dhe Salillarin.
Turp dhe kriminale për policinë që të mobilizohet kundër njerëzve në mbrotje të banditëve.
Turp për të gjithë ata që u shitën dhe me heshtjen apo propagandën e tyre, mbështetën vjedhjen.
Dita e sotme tregon se aleanca krim-qeveri-oligarki-media është rrezik për Shqipërinë dhe të ardhmen tonë. Ka vetëm një shpëtim prej saj: shkatërrimi i saj. Kjo është detyra jonë dhe e cdo shqiptari me kurajë dhe dinjitet.