Shqipëri-Izrael, ora e së vërtetës për trajnerin Panucci

Sonte në mbrëmje, nga ora 20:45, kombëtarja jonë e futbollit do të ballafaqohet me Izraelin në “Elbasan Arena”. Kjo është ndeshja e parë e Ligës së Kombeve, kompeticionit më të ri të UEFA-s, për të dyja palët, ndaj vlen shumë motoja “fillimi i mbarë është gjysma e punës”. Sidomos për kuqezinjtë, që vijnë nga zhgënjime në lojë dhe rezultat, në miqësoret e fundit.
Kundërshtari nuk është i panjohur për ne, sepse e kishim në grup në eliminatoret e Botërorit të kaluar. Izraeli na mundi 3-0 në ndeshjen e parë, në “Elbasan Arena”, pastaj u detyrua të pranojë në shtëpi “hakmarrjen” kuqezi, me po të njëjtin rezultat. Asokohe, trajneri ynë ishte Xhani De Biazi, ndërsa sot do të ketë rastin të tregojë Shqipërinë e tij të vërtetë një tjetër italian, Christian Panucci.
Ky i fundit nuk ka “ngjitur” ende në këtë pozicion, nuk i ka fituar dot zemrat e tifozëve të kombëtares, madje thuhet edhe të punëdhënësve të tij në FSHF, ndaj ka si të thuash një “provim vjeshte” për ta kaluar klasën. Në llogoren tjetër debuton një trajner i ri, austriaku Andreas Herzog, i cili ka pasur vetëm fjalë pozitive për Shqipërinë në konferencën për shtyp, para ndeshjes. Thënë ndryshe, kemi të bëjmë edhe me një sfidë mes trajnerësh.
Gjithçka nis nga barazpesha e plotë: nga një fitore për secilën kombëtare, me golaverazhin 3-3. Shqipëria fitoi 3-0 në Haifa, në qershor 2017, ndërsa Izraeli kishte triumfuar po me të njëjtin rezultat në Elbasan, në nëntor 2016, në ballafaqimet më të fundit të dy kombëtareve.
Liga e Kombeve rrjedh si një kompeticion i ri nga dëshira e UEFA-s dhe 55 federatave të saj anëtare për të përmirësuar cilësinë dhe qëndrimin e futbollit të ekipeve kombëtare, me besimin në rritje se ndeshjet miqësore nuk po ofrojnë konkurrencë adekuate.

Formati i kompeticionit është i tillë: të 55 skuadrat kombëtare europiane janë ndarë në katër liga, në përputhje me renditjen e koeficientëve të UEFA-s, nm 11 tetor 2017. Liga A përfshin kombëtaret e renditura më lart, ndërsa Liga D ato të pozicionuara më ulët në UEFA. Shqipëria është në Grupin C1, së bashku me Skocinë dhe Izraelin, me katër grupe të plota në Ligën C.
Ky rrugëtim nis sonte për kuqezinjtë tanë, të cilët nuk janë në momentin e tyre më të mirë. Dy titullarë të padiskutueshëm, Armando Sadiku dhe Odise Roshi mungojnë për arsye dëmtimesh. Sulmuesi elbasanas ishte heroi i sfidës së fundit me izraelitët në Haifa, ku shënoi dy gola të bukur. Ai ua ka lënë “skenën” dy shkodranëve, Bekim Balaj dhe Sindrit Guri, për të zgjedhur mes tyre “pykën” e vetme, që do të aktivizojë në repartin e përparmë trajneri Panucci.
Sepse ky i fundit duket se do t’i kthehet skemës 4-5-1, që aplikonte paraardhësi i tij, De Biazi, dhe që i siguroi Shqipërisë kualifikimin historik në “Euro 2016”. Pas eksperimenteve të dështuara me module të tjera të formacionit, në kërkim të një loje më sulmuese, ish-lojtari i Real Madridit, ndër të tjera, është bindur se duhet “t’i shtrijë këmbët sa ka jorganin”. Se me “miell misri nuk mund të bëjë bukë gruri”, ndaj ka vendosur t’u besojë veteranëve të tillë si Ansi Agolli, Migjen Basha, Ledjan Memushaj e ndonjë tjetri, të cilët janë “shtylla kurrizore” e kombëtares së drejtuar nga De Biazi.
Mbrojtja është evidentuar mjaft problematike nën drejtimin e Panuccit, duke pësuar gola në çdo ndeshje. Jashtë listës ka mbetur Arlind Ajeti, pa skuadër, ndërkohë që në gatishmëri do të jetë Mërgim Mavraj, edhe pse ka muaj pa luajtur një ndeshje zyrtare. Vetëm ditët e fundit, qendërmbrojtësi kuqezi ka siguruar klubin e ri, Aris të Selanikut, çka tregon se i mungojnë “koordinatat” e duhura fiziko-sportive në këtë moment.

Megjithatë, vlen shumë eksperienca e tij, çka do të thotë se mund të rrezikojë startimin e Veselit.
Prapavija jonë ndaj Izraelit pritet të konfirmojë Hysajn dhe Gjimshitin, ndërsa mbetet për t’u parë nëse rikthimi i Agollit në kombëtare do të thotë edhe rikthim në formacion. Dje foli si kapiten në konferencën për shtyp, ndaj parathënia e diçkaje të tillë na bën të kuptojmë se do ta shohim në të majtë të repartit të pasmë kuqezi veteranin 37-vjeçar. Megjithatë, edhe këtu nuk flitet me siguri, teksa debutuesi Binaku duket se e ka futur në mendime trajnerin kuqezi.
Porta pritet t’i besohet Thoma Strakoshës, gjithnjë në ngritje, edhe për faktin se Etrit Berisha ka pasur disa oshilacione në paraqitjet e veta me Atalantën. Vetëm në këtë rast, eksperienca nuk hyn në punë, kësaj here. Mesfusha do të rigjejë dy katalizatorët, Memushaj dhe Basha. I pari në kërkim të identitetit në nivel klubi, jo në më të mirën e tij, ndërsa mesfushori i Aris të Selanikut në një rini të dytë, pavarësisht viteve. Për të ndërtuar “digën” ndaj kundërshtarit do të ketë vend edhe për Xhakën, i cili ka pak kohë që iu është rikthyer fushave të blerta, pas dëmtimit.
Krahët e këtij reparti pritet t’iu besohen Jahmir Hykës, një rikthim tjetër kuqezi, që përfiton nga eksperienca, dhe Enis Gavazajt. Nuk ia ka dalë dot të japë ndihmesën e tij Eros Grezda, blerja e re e Rangers F.C., për shkak se vjen nga dëmtimi. Ai është larguar nga grumbullimi kuqezi, duke “hapur krahun’ për të tjerët. Maja e sulmit pritet të ketë emrin e Balajt, i cili thuhet se ka fituar balotazhin me shkodranin tjetër, Guri. Një tjetër rast, kur vendos eksperienca, gjëje së cilës i është “dorëzuar” trajneri Panucci, duke parë se të rinjtë që iu dha aq shumë besim në sfidat miqësore pararendëse, nuk e justifikuan veten.