Modriç “dekonspiron” Ronaldon: Ja çfarë më tha për çmimin

Luka Modric ka thënë se ish-shoku i tij i skuadrës te Real Madridi, Cristiano Ronaldo, i ka thënë atij se e ka merituar ta fitonte çmimin e “Lojtarit të Vitit”, që jepet nga UEFA. Mesfushori kroat mundi CR7 dhe Mohamed Salah për këtë çmim, i cili u prezantua javën e kaluar në shortin e Ligës së Kampionëve, të hedhur në Monako.
Si rezultat i mosfitimit, Ronaldo nuk mori pjesë në ceremoninë përkatëse, me agjentin e tij, Jorge Mendes, duke thënë më vonë se klienti i tij nuk fitoi, çka “ishte qesharake dhe e turpshme”. Raportet e përhapura kishin sugjeruar se pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ishte i pakënaqur pas humbjes së çmimit, duke marrë parasysh golat dhe trofetë e tij me Real Madridin, sezonin e kaluar.
Por, në mënyrë private, ylli i Portugalisë dhe i Juventusit pati një qasje më pajtuese me ish-shokun e tij të klubit, i cili e udhëhoqi Kroacinë në finalen e Kupës së Botës, këtë verë. Duke folur për mediat, pasi Portugalia dhe Kroacia barazuan në miqësoren 1-1 të së enjtes, Modric tha se Ronaldo i kishte thënë atij se e meritonte ta fitonte çmimin.
“Cristiano më dërgoi një mesazh, më përgëzoi dhe më tha se ishte i lumtur për mua dhe se e meritova çmimin, – tha Modric për RTP3, pas ndeshjes. – Ai, gjithashtu, tha se mezi pret për të më takuar përsëri”. Ronaldo nuk luajti në ndeshjen e së enjtes, pasi kërkoi leje të qëndrojë te Juventusi, ku e pret një sezon tepër impenjativ dhe është në kërkim të golit të parë bardhezi.
Dy yjet në fjalë janë vendosur të luftojnë për një tjetër çmim, teksa Ronaldo, Modric dhe Salah, gjithashtu, janë nominuar për “FIFA’s The Best Men’s Player of the Year“. Kroati shtoi: “Unë jam i lumtur që jam në një tjetër finale të madhe, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Kam një marrëdhënie të mirë me Cristiano Ronaldon dhe do të vijojmë të jemi kështu edhe në të ardhmen. Çmimet individuale janë të rëndësishme, por unë nuk jam i fiksuar me to”.