Anullohet takimi Thaçi-Vuçiç, pazari po shkon drejt dështimit?

Takimi i paraparë të zhvillohet sot ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuciq në Bruksel, është anuluar, bën me dije një burim i Gazetës Express.
Përfaqësuesja e lartë të BE-së, Federika Mogherini, tashmë ka përfunduar takimet ndaras me dy presidentët, raporton Express.
Mosrealizimin e këtij takimi e ka raportuar edhe televizioni serb “RTS”
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç në Bruksel do të bisedojë vetëm me përfaqësuesit evropian, por jo edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin,ka njoftuar edhe ky medium.
Sipas tyre Vuciq ka refuzuar ta takojë Thaçin.
Takimi Thaçi-Mogerini
Ka përfunduar takimi në mes të Presidentit Hashim Thaçi dhe përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të BE’së, Federica Mogherini. Thaçi, pas përfundimit të takimit, ka publikuar disa fotografi në Facebook.
“Bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacolli, sapo përfunduam takimin bilateral me përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini”, ka shkruar Presidenti.
“Kosova është e përkushtuar që të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila garanton njohjen reciproke, anëtarësimin në BE, NATO dhe OKB. Ky rrugëtim do të jetë i vështirë, por i domosdoshëm për sigurimin e paqes afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe ka mbështetje të gjithanshme. HTH”, thotë statusi i Thaçit, i bashkangjitur me fotografi nga takimi në Bruksel.
Por, para fillimit të këtij takimi, Thaçi për media ka ripërsëritur idenë e tij për shkëmbimin e territoreve, apo siç po e quan ai “korrigjim të kufijve”.
Pak minuta para se të nis takimi i Thaçit me Vuçiqin në Bruksel, ai tha se Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës. Por, Thaçi duket se ia huqi pasi që tha pro kësaj ideje janë të gjitha institucionet në vend, shkruan Gazeta Express.

Çfarw pritej tw ndodhte?
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka udhëtuar për në Bruksel për takimin e radhës më presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin.
Siç shkruan agjencia e lajmeve ‘tanjug’, Vuçiq pritet që në orën 10:00 të takohet me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherinin, transmeton Gazeta Express.
Pas këtij takimi ndërmjet tyre, do të pasojë dhe takimi tre palësh Thaçi-Mogherini-Vuçiq.
Edhe presidenti Thaçi para pak minutash ka hyrë në ndërtesën ku pritet të mbahet takimi.
Nga ky takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të diskutohet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet dy vendeve.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot do të takojë në Bruksel homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq për të diskutuar rreth “modaliteteve rreth arritjes së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet të të dyja vendeve”, ndërkohë që nuk do të ketë takim të delegacioneve të nivelit teknik
Kreu i delegacionit kosovar për dialogun teknik me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë se sot nuk ka takim të nivelit teknik, por vetëm të atij politik.
Ndërsa ditë më parë zyra e presidentit ka bërë të ditur se në takimin e së premtes nuk diskutohet për “korrigjimin e kufijve”, por për “modalitetet për arritjen e marrëveshjes përfundimtare”.
Në lidhje me çështjet që do të diskutohen në Bruksel nuk është e njoftuar opozita e vendit. Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë se disa takime në Bruksel po fshihen nga qytetarët.
“Ka filluar mbrapsht kjo punë dhe është vështirë për t’ia gjetur fillin tani. Është dashur të bisedohet bashkërisht, së pari të bëhet një platformë, një ekip dhe pastaj të mos jenë me një anë presidenti dhe në anën tjetër ekipi. Sipas Vetëvendosjes, kjo punë nuk ka filluar siç duhet dhe po shpresojmë që të rregullohet, por vështirë. Si zakonisht që as ne dhe as opinioni i Kosovës nuk e dimë se çfarë do të diskutohet në Bruksel, pasi kur janë takimet publike temat nuk janë të njohura për publikun e nganjëherë po ndodhin edhe takime të fshehta, kështu që ne nuk dimë asgjë”, ka thënë ai.
Sipas tij, Vetëvendosja gjithmonë ka bërë kërkesë që paraprakisht të bëhen publike temat që do të diskutohen në Bruksel.
Kurse Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se çështja e kufijve, si dhe ajo e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ndonëse po thuhet që nuk do të diskutohen në Bruksel, ato janë çështjet kryesore të cilat po fliten aktualisht.