Vasili: Opozita qëndrim unik në luftën ndaj bandave të lidhura me qeverinë

Kryetari i Grupit të LSI, Petrit Vasili ka dhënë një deklaratë për medias pas takimit të opozitës sot në qytetin e Elbasanit. Vasili theksoi se, kjo qeveri ka dështuar në reformat e saj dhe sidomos, dështoi në hapjen e negociatave, e ktheu në një ngjarje të hidhur për shqiptarët.
“Krimi është shqetësim në derën e çdo familjeje shqiptare, tha Vasili, por edhe në çdo kancelari europiane. Jo më larg se sot, raportuesi për Shqipërinë në Bundestag, Frei, e radhiti si çështje kryesore për Shqipërinë, krimin. Shqipëria duhet të pastrohet njëhërë e mirë nga ky fenomen shkatërrues, gërryes, shkaktari kryesor që dështoi në një moment kyç, hapjen e negociatave; që në vend ta kthente në një moment hapi përpara, e ktheu në regres dhe ngjarje të hidhur për shqiptarët.
Sot opozita ka përpunuar edhe alternativën, edhe qëndrimin e saj unik e të papajtueshëm lidhur me këtë çështje. Ndaj për këtë problematikë është fare e qartë se nuk do të ketë asnjë hap mbrapa dhe gjithçka që neve na ka thënë populli i Shkodrës, populli i Elbasanit, që vuajnë nën thundrën e krimit dhe bandave, do ta përcjellim në sallën e parlamentit, që nga komisioni që riaktivizohet dhe fillon punën e tij dhe në çdo seancë ku do ketë përballje me këtë çështje”.