Berlusconi i kthehet futbollit

Silvio Berlusconi nuk ndahet dot nga futbolli dhe pas një pushimi të shkurtër që kur shiti Milan-in, tashmë do të kthehet në drejtimin e një klubi. Bëhet fjalë për Monza-n, sepse brenda këtij muaji pritet që shumica e aksioneve të klubit të vogël pranë Milanos të kalojnë në duart e Berlusconi-t dhe Galliani-t.
Dy arkitektët e Milan-it të madh të viteve ’80-2000 do të blejnë 70% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet në duart e presidentit aktual, Nicola Colombo, i cili ka shprehur dëshirën për të mbetur pjesë e klubit.
Së pari duhen kryer disa procedura standarde dhe duhet krijuar një shoqëri e re aksionere dhe më pas gjithçka do të zyrtarizohet, me shumta deri në fund të shtatorit.
Kthimi në skenë i Berlusconi-t, vetëm 28 kilometra larg Milanos, është një lajm i bujshëm dhe natyrisht do të ngjallë shumë kuriozitet skuadra që do të ndërtohet te Monza, pasi dihet që Berlusconi e Galliani nuk kënaqen me Serinë C, ku lundron prej vitesh Monza e pafat, që para tre vitesh falimentoi.

berlusconi coppe trofei