Thaçi nuk i ndahet planit: Do t’i rregulloj kufijtë e Kosovës me Vuçiçin

Presidenti Hashim Thaçi ka shkruar sërish për propozimin e tij për korrigjim kufijsh, pasi kryeparlamentari Kadri Veseli doli me qëndrim kundër lëvizjes së kufijve.
Thaçi e quan propozimin e tij si paqësor dhe se nuk ka të bëjë me ndarje, por me rregullim të kufijve.
“Propozimi im për një zgjidhje paqësore me Serbinë është i qartë: jo ndarje në vija etnike, por korrigjim i kufirit dhe njohjen e dyanshme”, ka shkruar Presidenti në Tëitter.
Veseli sot ka publikuar një shkrim, ku ka folur për idenë e lëvizjes së kufirit. Sipas kryeparlamentarit, Kosova do të anëtarësohet në OKB, me kufijtë që e ka shpallur Pavarësinë në vitin 2008.
Tutje, ai ka thënë se çdo ide për ndarje është plan serb për të krijuar tensione të reja dhe për që dërguar mesazh në bashkësinë ndërkombëtare se Kosova është vend jostabil.
Presidenti Hashim Thaçi deri vonë as që pranonte të diskutonte për idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, derisa tani këtë e ka temë bosht në çdo deklaratë publike. Ideja e presidentit për korrigjim të kufirit me Serbinë nuk gëzon mbështetje as brenda partnerëve të koalicionit.
Jo më larg se para katër muajsh, Thaçi as që pranonte të futej në hollësi rreth idesë për korrigjim të kufirit me Serbinë, shkruan sot Koha Ditore.
“Korrektimi i kufijve e kam thënë disa herë që është një opsion i cili bart me vete shumë rreziqe, të cilat ne të gjithë i dimë, prandaj nuk dua të futem fare në detaje”, kishte theksuar Thaçi në konferencën e mbajtur më 5 prill, ku ishin prezantuar skenarët e “Finales së madhe” në dialog me Serbinë bazuar në analizën e Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), dhe Grupit për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG).

Thaçi kishte insistuar edhe para përfaqësuesve të Luginës se Kosova i ka bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme deri më tani nëpërmjet Planit Gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisaari.
Ideja e shkëmbimit të territoreve, në po të njëjtën konferencë ishte kundërshtuar edhe nga përfaqësues të Luginës së Preshevës.
Reagimi
Behar Selimi, drejtor disavjeçar i Policisë së Kosovës, nuk sheh asnjë mundësi të ketë ndryshim të kufijve në Kosovë dhe as në Ballkan.
Edhe për një kohë të gjatë, Selimi nuk sheh se ndryshim të kufijve edhe nëse palët e përfshira – Kosova dhe Serbia – arrijnë marrëveshje.
Krejt kjo sepse efektet e këtyre ndryshimeve mund t’i prekin së paku pesë shtete tjera përfshirë Maqedoninë e Malin e Zi. Në dy shtete e fundit jetojnë pakica deri në 40 për qind të popullatës.
“Ndryshimet edhe për një kohe të gjatë nuk lejohen, as edhe me qejfin e palëve, sepse dalin shume pale pastaj”, thotë Selimi, në një intervistë për Gazetën Express.
Sa i përket gjendjes së sigurisë në Veri, ai thotë se në këtë pjesë të Kosovës duhet të ketë prezencë përpos të Policisë edhe të mekanizmave tjerë meqë atje rrezikohet siguria kombëtare.
Duke komentuar idenë e Presidentit Thaçi që Luginë të bëhet pjesë e Kosovë, Selimi thotë se nga kjo deklaratë së paku duhet të ketë qëllim që edhe shqiptarët që jetojnë atje të marrin të drejta sikurse kanë serbët në Kosovë.