Thaçi deklarohet për “korrigjim të kufijve” dhe pret pastaj njohjen nga Serbia!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se e kundërshton idenë për ndarjen e Kosovës përgjatë vijave etnike, por është i hapur për të diskutuar “korrigjimin” e kufijve gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Asocciated Press, presidenti Thaçi tha se “pretendimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës nuk do të ketë sukses, është i papranueshëm.
Por, në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi do të punojmë që përfundimisht të ndodhë njohja e ndërsjellë formale, de facto dhe de jure, midis dy vendeve, si dhe Kosova në fund të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në.
Pra, nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve që nënkupton respektimin e kërkesës tashmë të institucionalizuar të Luginës së Preshevës me Kosovën”, tha presidenti Thaçi.
Zyrtarë të lartë serbë kane hedhur idenë e ndarjes tokësore të Kosovës, që nënkupton shkëputjen e veriut të banuar me shumicë serbe, por edhe atë të shkëmbimit të mundshëm të territoreve, veriun e Kosovës për Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare ne jug të Serbisë.
Presidenti Thaçi tha se “nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve”, por pa e saktësuar nëse kjo nënkupton edhe ndryshimin e kufijve ne veriun e Kosovës.
“Ndërkombëtarët janë duke na dëgjuar, ndërkombëtarët janë duke lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi – Bashkimi Evropian me
mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vlerësoj se korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi dhe marrëveshja finale e njohjes reciproke që do të ndodhë… nëse kjo marrëveshje është e vullnetit të dyanshëm të palëve dhe një marrëveshje e balancuar, që nënkupton ‘ëin-ëin’ për të dyja palët, atëherë askush nuk mund të jetë kundër”, tha ai për agjencinë e lajme AP.
Në Shkup ndërkaq zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Mattheë Palmer, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e bisedimeve të udhëhequra nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përkatësisht ndërmjet presidentëve (Aleksandër) Vuçiç dhe Hashim Thaçi.
“Nuk varet nga ne që të përcaktojmë shtrirjen e këtyre negociatave.
Ne jemi duke punuar me të gjitha palët e përfshira për të theksuar mbështetjen tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai.
Serbia vazhdon të kundërshtoj ashpër pavarësinë e Kosovës por të dyja palët janë përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve që është kusht për integrimin në Bashkimin Evropian.
Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaci, siguroi qytetarët e Kosovës se “nuk do të ketë asnjë forcë që do të detyrojë Kosovën të diskutoj për ndarjen e vendit”. Presidenti hodhi kritika edhe te disa përfaqësues politik për hedhjen e ideve për ndarje apo shkëmbim territoresh. Debati për fazën e fundit të dialogut me Serbinë në Kosovë, që vazhdoi të hënën (30.07) edhe në parlamentin e Kosovës ka tensionuar raportet ndërmjet partive politike, ndërsa, në medie të ndryshme vazhdimisht shkruhet për “ndarje të mundshme të Kosovës apo shkëmbim territoresh me Serbinë”, si një marrëveshje e mundshme përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili tash për tash udhëheq dialogun me Serbinë dhe që ai kundërshtohet nga opozita kosovare, tha të martën (31.07) në një konferencë për medie se “në dialogun me Serbinë në Bruksel, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, nuk do të ketë forcë që do ta detyrojë palën kosovare që të flasë për ndarjen e Kosovës”.
“Si president i vendit edhe njëherë i siguroj qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë forcë që do ta detyrojë Kosovën të diskutojë, e lëre më të pajtohet me ndarjen e saj. Nuk do të lejojmë, as të diskutohet e lëre më që dikush të pajtohet me ndarjen e Kosovës. Janë shqetësuese zërat që flasin gjëra të tilla, kur në të vërtetë gjërat e tilla po kalojnë së foluri edhe nga njerëzit që kanë legalitet edhe në institucionet e vendit”, u shpreh Presidenti Thaçi, duke siguruar njëkohësisht se nuk do të ketë as bosnjëzim të Kosovës.
Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian duan që të fillojnë fazën finale të dialogut për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ligjërisht të detrueshme, që do të përmirësonte raportet ndërmjet dy vendeve.
“Kjo marrëveshje, për Kosovën nënkupton njohje reciproke. Ne do të punojmë fuqishëm që marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve. Me këtë marrëveshje Kosovës do t’i hapet mundësia që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare”, u shpreh presidenti Thaҁi, i cili kërkon që të jetë në krye të një ekipi negociator të Kosovës për biseda me Serbinë.
Por, këtë rol të presidentit po e kundërshtojnë partitë politike opozitare, megjithëse ato nuk mundën që ta miratojnë në parlament të hënën një rezolutë që do t’ia kontestonte rolin udhëheqës presidentit në dialog. Me anë të kësaj rezolute kërkohej po ashtu që Kuvendi të mandatonte udhëheqësin e dialogut me dy të tretat e votave. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kërkon nga deputetët që të bashkohen, sikurse thotë, në ekipin gjithëpërfshirës për hartimin e një platforme të përbashkët për përfaqësimin e Kosovës në dialog.
“Ajo që dua t’ju lus si deputetë është se një temë e vendit tuaj mund të shtrohet në tavolinat e vendimmarrjeve edhe pa kontributin tonë, edhe pa rolin tonë, dhe mund të ecin disa procese në mënyrën si kanë ecur në të kaluarën, e pastaj i kemi vajtuar qindra vjet

ose kemi provuar t’i sanojmë, por ka qenë vështirë. Për këtë arsye, dua t’iu them merrni në dorë procesin e ardhshëm të dialogut si Parlament i Kosovës”, u tha deputetëve kryeministri Haradinaj.
Por, është partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pos që kundërshton që Presidenti Thaҁi të mos e udhëheqë dialogun, ajo kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare në mënyrë që sipas saj “të zgjedhurit e rinj do të kenë legjitimitet për dialog me Serbinë”.
Vjosa Osmani, njëra ndër deputetet më të votuara të kësaj partie thotë se “dialogu me Serbinë po përfaqësohet dhunshëm nga presidenti Thaçi.
“Vërtetë Kosovës i duhet uniteti, por i duhet uniteti për të parandaluar kompromiset që kanë filluar të bëhen për territorin. Si Kuvend na takon që t’i japim fund manovrimeve të Thaçit dhe është koha që për ato tema që njëanshmërisht i ka hapur në Bruksel të flasë populli. Meqë sot çështjet që janë në tavolinën e negociatave, nuk prekin çështje teknike, meqë ato prekin vet përkufizimin e shtetit të Kosovës karakterin e përcaktuar në Deklaratën e Pavarësisë, ku u shpreh vullneti i popullit, nuk ka sot politikan në Kosovë brenda kësaj sallë apo jashtë saj që mund të nënshkruajë marrëveshje për territorin”, tha Vjosa Osmani.
Ndërkohë, lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, thotë se çështja e dialogut me Serbinë nuk është çështje procedurale, por është çështje përmbajtjesore.
“Përpara çfarëdo dialogu të ri me Serbinë, janë të domosdoshme katër etapa përgatitore, që nënkupton, shqyrtim dhe vlerësim i dialogut 2011- 2017 dhe rezultateve të tij, e dyta synimet e Kosovës dhe kërkesat tona ndaj Serbisë, e treta parimet dhe kushtet e dialogut të ri dhe e katërta ekipi ynë negociator me strategji dhe udhëheqës të ri ”, thotë Albin Kurti, duke propozuar që të krijohet një grup i përbashkët parlamentar dhe t’i formulojë kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë. Megjithë këto debate, rezoluta në kuvend për dialog me Serbinë nuk kaloi për mungesë kuorumi të deputetëve.
Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011. Janë arritur një sërë marrëveshjesh, por, tash nga Bashkimi Evropian po kërkohet një marrëveshje përfundimtare që do të përmirësonte marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. Në takimin e fundit që dy presidentët zhvilluan në Bruksel Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuciq, megjithëse u shprehen për takim të vështirë, ata u pajtuan që “të intensifikojnë punët në javët në vazhdim”, në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.