Sekretati amerikan i shtetit, Pompeo, nuk do ta takojë homologun iranian

CIA Director Mike Pompeo testifies on worldwide threats during a Senate Intelligence Committee hearing on Capitol Hill in Washington, DC, February 13, 2018. / AFP PHOTO / SAUL LOEB (Photo credit should read SAUL LOEB/AFP/Getty Images)

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo nuk ka ndërmend të takojë homologun e tij iranian gjatë konferencës ndërkombëtare që mbahet këtë fundjavë në Singapor, edhe pse presidenti Donald Trump thotë se është i gatshëm të flasë me Teheranin për programin e tij të armëve bërthamore.
Kryediplomati amerikan dhe ministri i jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif do të marrin pjesë në takimin e së shtunës të Shoqatës 10 Vendeshe të Azisë Juglindore. Por një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha të martën se nuk ka plane për një takim mes të dyve.
Zyrtari tha se Koreja e Veriut gjithashtu do të përfaqësohet në takimin e Singaporit por edhe pse janë të mundshme takime të rastësishme me zotin Pompeo, nuk janë planifikuar takime dypalëshe.
Presidenti Trump, i cili i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja ndërkombëtare e vitit 2015 për të ndaluar armët bërthamore të Iranit në këmbim të zbutjes së sanksioneve ekonomike kundër Teheranit, tha të hënën se do të ishte i gatshëm të takohej me presidentin iranian Hassan Rouhani.
Irani u përgjigj duke thënë se rruga drejt diskutimeve direkte me Uashingtonin do të duhej të përfshinte kthimin e Shteteve të Bashkuara në marrëveshje bërthamore midis Iranit nga njëra anë dhe Kinës, Francës, Rusisë, Britanisë, Gjermanisë, SHBA dhe Bashkimi Evropian nga ana tjetër.

PRESIDENTI TRUMP DHE IRANI
Presidenti amerikan Donald Trump bëri të ditur se është i gatshëm të takohet me udhëheqësit e Iranit “pa parakushte” dhe “në çdo kohë që ata duan”. Por në një konferencë shtypi të hënën, ai tha gjithashtu se “regjimi brutal” i Iranit nuk duhet të lejohet kurrë të disponojë armë bërthamore.
Javën e kaluar zoti Trump shkëmbeu një retorikë të nxehtë me Teheranin, duke paralajmëruar presidentin iranian që të mos kërcënojë “kurrë më” Shtetet e Bashkuara.
Çështja e Iranit u trajtua gjatë konferencës së përbashkët për shtyp mes Presidentit Donlad Trump me Kryeministrin italian Giuseppe Conte.
“Kryeministri pajtohet gjithashtu se regjimi brutal i Iranit nuk duhet të lejohet kurrë të ketë armë bërthamore. Kurrë! Ne i inkurajojmë të gjitha vendet t’i bëjnë presion Iranit për t’i dhënë fund të gjitha aktiviteteve të tij të rrezikshme. Shtetet e Bashkuara e mirëpresin partneritetin e Italisë në këto përpjekje jetike”, tha zoti Trump.
Por i pyetur nëse do të ishte i gatshëm të takohej me presidentin iranian Hassan Rouhani, zoti Trump tha se do të takohej me iranianët, në çdo kohë që ata duan të takohen dhe pa kushte paraprake. Ai tha se takimet janë të dobishme në zbutjen e tensioneve potencialisht të rrezikshme dhe se takimet e tij të fundit me udhëheqësin rus dhe atë të Koresë së Veriut ishin një shembull i mirë.
“Sigurisht do të takohesha me udhëheqësit iranian nëse ata do të donin të takoheshin, por nuk e di nëse ata janë gati. Ata po kalojnë një periudhë të vështirë. Unë i dhashë fund marrëveshjes së Iranit. Ishte një marrëveshje qesharake. Besoj se në fund do të kërkojnë të takohen”.
Zyrtarët në Teheran kanë përjashtuar mundësinë për bisedime me Uashingtonin, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë treguar se nuk janë të besueshëm.
Mosmarrëveshjet mes Shtetet e Bashkuara dhe Iranit datojnë prej 1979-s që kur klerikët morën pushtetin në Teheran. Në muajin maj zoti Trump nxiti sërisht zemërimin e Iranit, me tërheqjen e Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e arritur në vitin 2015 mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore. Ai ka bërë thirrje për një marrëveshje shumë më të ashpër që do të kontrollonte sjelljen e Iranit në rajon si dhe çmontimin e programit të tij bërthamor.
Presidenti iranian paralajmëroi se politikat e zotit Trump mund të çonin në atë që ai e cilësoi si “nëna e të gjitha luftrave”, deklaratë që shkaktoi një reagim të ashpër të zotit Trump.
Por një gjeneral i lartë iranian tha të enjten se forcat e tij janë gati të përballen me çdo sfidë që vjen nga zoti Trump.
“I them zotit Trump ta dijë që ne jemi aty pranë, ku ti nuk mund ta imagjinosh”, tha Qassem Soleimani, Komandant i Forcës Revolucionare
Tani për tani, Irani ka më shumë arsye për t’u shqetësuar për sanksionet ekonomike amerikane sesa për fuqinë e tij ushtarake. Sanksionet po i detyrojnë disa biznese të huaja të tërhiqen nga vendi, gjë që mund ta dëmtonte seriozisht ekonominë e Iranit.