Propozimi i profesorit në Itali: Ronaldo duhet të bëhet objekt studimi në shkolla

Cristiano Ronaldo është sigurisht një ndër modelet më të spikatura në botë, jo vetëm në futboll, por edhe si shembull për studim. “Ai flet (tregon) aq shumë, sa që duhet të jetë lëndë e studimit në shkollë”. Profesor Pierluigi Palmieri nis një provokim për të lëvizur “xhamin zmadhues” në të ardhmen e sportit italian. Lektor universiteti në “Lumsa”, tani president i “Beso”, shoqatës që promovon një vizion të ri për sportin në shkolla, Pierluigi Palmieri nënvizon:
“Sporti ka historinë e vet, ka vendet dhe tiparet e veta të veçanta, ka filozofët dhe poetët e tij. Cristiano Ronaldo është njëri prej tyre, si dhe shumë lojtarë të tjerë të dashur nga djemtë, që janë gjithashtu studentë. Ai, Messi, Pogba dhe shumë të tjerë duhet të bëhen subjekt studimi në shkolla e universitete. Sporti mund të jetë emëruesi i përbashkët për të bashkuar lidhjet e subjekteve individuale. Unë supozoj se “personazhet” e sportit të shërbejnë si pikënisje për studimin dhe thellimin e temave ndërdisiplinore.
Kemi përjetuar një Botëror të mrekullueshëm në Rusi. Këtu, edhe ngjarjet e mëdha, si Lojërat Olimpike, për shembull, kanë rëndësinë e tyre historike, politike dhe ekonomike, që mund të hapin horizonte të gjera dhe të pashkelura për shkollat dhe zonat e saj lëndore e kurrikulare. Le ta nisim në Itali me “Storia di Cristiano Ronaldo”. Le ta vendosim atë në fillim, kështu që askush nuk do të ngurrojë në rastin e dytë.
Seriozisht, kur është e mundur, le ta marrim atë në shkollë, sepse mund të ketë një vlerë në drejtim të stimulit të reflektimit, çka asnjë manual e mësimdhënies nuk mund ta sigurojë.

Sigurisht që është një provokim, i cili duhet të kuptohet si një sfidë dhe nxitje kulturore. Në sport, detyra e parë nuk është të zgjedhësh një disiplinë, por të fillosh një proces të vetëdijësimit. Roli i kampionit sportiv, i trajnerit, si një udhërrëfyes dhe model, mund ta shtyjnë mësuesin të marrë një rol të ngjashëm.
Kjo mund të harmonizojë lëndët e arsimit nëpërmjet poleve argumentuese të tërheqjes për të kërkuar për emëruesin e përbashkët, në të cilin të bazohet një aktivitet i përbashkët dhe koherent. Në thelb, kjo mund të ndodhë, nëse… shkolla takohet me sportin. Protagonistët dhe ngjarjet e mëdha janë modele që mund të çojnë në qëllime të ngjashme dhe kjo është e vërtetë, madje edhe më shumë, në kontekstin shkollor.
Shkolla ende nuk kupton plotësisht mundësitë e ofruara nga filozofia që nënkupton sportin. Agonët e Greqisë së lashtë kanë lindur me gara të bazuara në forcën fizike, për të gjetur pastaj hapësirë për krahasime filozofike. Unë besoj se të gjithë të rinjtë përpiqen të bëhen “më të mëdhenj”, si Cristiano Ronaldo. Të gjithë shkojnë në shkollë në vetëdijen e të mësuarit dhe të dinë gjithnjë e më shumë. Sporti është një katalizator në këtë drejtim, sepse zbulon, gjithashtu, vlerën e shtuar të punës së ekipit, që është vendimtare në arritjen e suksesit.
Rëndom thuhet se “sport vjedh kohën e shkollës”. A është ende kështu? Shumë nga mësuesit, sidomos në shkollat e mesme, ende e kanë këtë shqetësim. Koha e shkollës, madje edhe në strukturën e saj të tanishme, lejon që programet kurrikulare të zhvillohen më shumë se në mënyrë të kënaqshme. Frikërat e atyre që mendojnë për sportin si një faktor i largimit nga studimi, duhet të tejkalohen”.