Pas “Toyota Yaris”, sekuestrohen mijëra paund në portin e Durrësit

Pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në dy makina “Toyota Yaris” , një tjetër rast i kalimit të parave të padeklaruara është zbuluar nga autoritetet në portin e Durrësit. Siç raportohet, dy persona po tentonin të kalonin mijëra paund në portin e Durrësit, të cilat janë sekuestruar nga policia.
“Ditën e djeshme, rreth orës 13:30, në pikën kufitare Port, Durrës, janë kapur me nga një sasi paund të padeklaruar dy persona të tjerë me inicialet B. M., dhe F. Gj., 32 vjeçe e 41 vjeç.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së shkallës së Parë Durrës, sipas neneve 179/a dhe 25 të Kodit Penal”, shkruan policia.
Ndërkohë, media Belge “La Dernier Heure” është ndalur së fundi në një shkrim të sajin në çështjen e makinave Toyota Yaris që u kapën pak javë më parë në portin e Durrësit.
Media vendos theksin te mungesa e hetimeve për këtë ngjarje, dhe shton se paraja e krimit e grumbulluar në Belgjikë udhëton në thasë.
“(Drogë, prostitucion, bingo : paraja e krimit e grumbulluar në Belgjikë udhëton në thasë).
Kemi marrë vesh që me dt 24 Qershor të këtij viti, një operacion i Interpolit Itali ka përfunduar me ndaljen, nga doganat shqiptare, në portin e Durrësit të dy makinave.
Këta makina ishin pjesë të një ngarkimi të 9 mjeteve transporti – 7 Toyota Yaris, 1 Opel dhe 1 Alfa Romeo – të transportuar nga Belgjika me kamion dhe të vendosura në një anije në Bari”, shkruhej ndër të tjera.