Ky popull është i mpirë, nuk ndjen!

Artan FUGA

Ra tërmeti sot aty rreth orës 15, isha në restorant, askush nuk çau kokë.
Dikush vazhdoi të thërriste : Edhe një syltjaç për këtë zonjën kamarier!
Termet – tha dikush dhe ngriti gotën e birrës.
Vazhduan lëkundjet, ndërkaq klientë e personeli i restorantit as e bënin qefin qeder.
Ja ra ndërtesa edhe pastaj…
Ja vdiqëm, po pastaj? Pastaj çfarë?
Pas pak dolëm nga restoranti me barkun plot. Tërmeti u kujtua edhe dy herë të tjera. Unë u ktheva sepse specat e mbushur më kishin pëlqyer. A m’i mbështjell këto specat e mbetur sepse dua t’i ha në darkë!
Po a do të ketë darkë?
E mo mirë po të ketë!
Zoti e di atë.
Në rrugë askush nuk e bënte qefin qeder. As njerëz të dalë nga banesat as ankth. Sikur të ishim në Okinavë dhe të ishim mësuar prej dekadash e shekujsh me tërmetet.
Brenda dy javësh ishin mësuar edhe me tërmetin. Kush na e ka futur në gen këtë fatalizmin që na bën të mos reagojmë ndaj asgjëje. Pranojmë cdo gjë. Përtaci mendore? Nënshtrim? Mërzitje nga jeta? Prirje kolektive vetëvrasjeje? Tallje me ekzistencën? Cvlerësim i jetës? Harrim i rrezikut? Mpirje kombëtare përballë së keqes?
Si ta ketë shkruar Zoti?
Atje në Durrës takova një mik. Çfarë kemi nga Tirana? – më pyeti.
Hiç mo! Ra tërmet ca!
Ai : Po shi ra?
Unë : Shumë.
Ai : Kisha lënë një dritare hapur, prandaj!
Mos harron ky popull, nuk kemi kujtesë?
Mos na kanë hequr kujtesën.
Eshtë shenjë force. Bëji çfarë të duash është i mpirë, nuk ndjen.