Berisha ironizon Ramën për negociatat me BE: “Një sukses i super-jashtëzakonshëm”!

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me vizitën e Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn dhe deklaratën e bërë nga kryeministri Edi Rama.
Në një postim në Facebook, ish-kryeministri Berisha, me një gjuhë ironike shkruan se, ‘piktori dështak ka suksese të jashtëzakonshme’.
‘Ai u tha gazetarëve ‘doni apo nuk doni ju, ne kemi bërë progres të jashtëzakonshëm prandaj dhe në momentin e fundit bindem Holandën dhe Francën!?!?’, shkruan ish-kryeministri Sali Berisha.
Shënimi i plotë i ish-kryeministrit Berisha
Një, një sukses i super jashtëzakonshëm!
Te dashur miq, në deklaratën e tij para mediave në prani të komisionerit Hahn, piktori dështak shpërtheu si zakonisht në një skizë paranojake.
Ai u tha gazetarëve ‘doni apo nuk doni ju ne kemi bërë progres të jashtëzakonshëm prandaj dhe në momentin e fundit bindem Holandën dhe Francen!?!?’
Progresi i jashtëzakonshëm i piktorit dështak, që nuk di çfarë flet, bëri që:
1- Të hidhet poshtë me unanimitet nga 28 liderë të BE-s, për shkak të progresit të tij imagjinar të jashtëzakonshëm, rekomandimi për hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë.

2- Të hidhet poshtë nga 28 shefat e qeverive të vendeve anëtare të BE-s, për shkak të progresit të tij të jashtëzakonshëm në letër, propozimi gjerman për marrjen më 27 qershor 2018 të vendimit për hapjen e negociatave dhe hapjen e tyre pas plotësimit të 10 kushteve të dekalogut të famshem të Bundestagut dhe qeverisë gjermane.
3- Të hidhet poshtë me unanimitet, për shkak të progresit të jashtëzakonshëm që ekziston vetëm në psiqizmin e psikopatit që nuk di se çfarë flet, edhe propozimi i qeverisë austriake për shtyrjen deri në dhjetor 2018 të shqyrtimit të propozimit gjerman.
4- Të shtyhet me konsensus të plotë sipas propozimit francez, për shkak të progresit të jashtëzakonshëm të mendjes së sëmurë të piktorit dështak, diskutimi i vendimit për hapjen e negociatave për një vit e gjysmë, pra për dhjetor të vitit 2019
5- Të shtohen, me vendim unanim të 28 liderëve të BE-s, për shkak të progresit të jashtëzakonshëm të shënuar vetëm në skizat e paranojës së piktorit dështak, nga 5, që ishin kushtet në rekomandimin e Këshillit të 13 dhjetorit të vitit 2016 dhe 10 që ishin në dekalogun gjerman, në 13 kushte për t’u plotësuar para se të merret vendimi për hapjen e negociatave në fund të vitit 2019!
I jashtëzakonshëm, i jashtëzakonshëm, i super-jashtëzakonshëm! Amin!