Detaje të reja/ Arma e vrasjes nuk ishte e shoferit të Xhafës

Gazetari Artan Hoxha, mbrëmjen e djeshme, ka rrëfyer disa të dhëna në lidhje me vetëvrasjen e Shkëlzen Qordjas, shoferit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj në garazhet e Gardës së Republikës.
Hoxha tha në studion e emisionit “Opinion”, se kamerat e sigurisë në Gardën e Republikës, prej një muaji, nuk funksionojnë për shkak të shpërnguljes së këtij institucioni në një vend tjetër.
Ndërkaq, për armën që dyshohet se është vetëvrarë 31-vjeçari Qordja, automatiku MP5 nuk është një armë që mban shoferi, por shoqëruesi i ministrit.
Hoxha theksoi se vrasja ka ndodhur disa orë para se të gjendet kufoma, ndërsa është zbuluar nga i vëllai, i cili është shofer i një tjetër autoriteti.
Ai tregoi se makina e ministrit është kthyer në Gardë pas përfundimit të një aktiviteti në Pallatin e Brigadave për llogari të Ambasadës Amerikane.
“Makina është me xhama të errët, ndërsa kur ka hyrë në Gardë nuk është kontrolluar. Makina ka hyrë në garazh dhe nga ai moment nuk ka dalë më”, tha Hoxha.
Sipas tij, një dyshim tjetër është se si e gjeti Garda makinën, ndërsa shtoi se viktima është gjetur nga i vëllai dhe ka qenë ky i fundit që ka lajmëruar autoritetet.
Ndërkohë, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza duke folur mbi vdekjen enigmatike të shoferit të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, u shpreh se ka zëra se mund të kishte shumë borxhe lidhur me lojërat e fatit.
Gjatë deklaratës së Pezës në emisionin “Opinion” ka ndërhyrë gazetari Artan Hoxha, i cili është shprehur kundër këtij versioni.
Alfred Peza: Nuk e di tani a është spekullim apo është i vërtetë, e lidhin edhe me një detaj që Shkëlzeni mund të kishte borxhe, lidhur edhe me lojërat e fatit.
Artan Hoxha: E lidhin me ndeshjen e Gjermanisë, unë jam interesuar por nuk më rezulton ajo.

Gazetarja zbulon deklaratën kontradiktore të policisë
Vdekja e shoferit të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, 31-vjeçarit Shkëlzen Qordja ka krijuar enigma të madha mediatike lidhur me vetëvrasjen e tij.
Në komentin e saj gazetarja e kronikës së zezë, Klodiana Lala e ftuar në ‘Opinion’ sqaroi se akti i vetvrasjes apo vrasjes ka ndodhur shumë më përpara se kur është njoftuar.
Sipas saj babai i tij në mëngjes ka tentuar që të kontaktojë Qordjen, dhe kur është marrë telefoni celular i viktimës janë parë një sërë thirrjesh që personi nuk është përgjigjur
“Ndryshe nga sa deklaroi Tani, nga hetimet që ka bërë Prokuroria e Tiranës nga hetimet e dy rojeve që qëndrojnë në hyrje të Gardës besohet se Qordja ka hyrë në orët e para të mëngjesit. Kamerat nuk janë hapur akoma, dhe Qordja ka hyrë me automjetin e tij privat por kjo mbetet të verifikohet 100 përqind. Nga kjo makinë edhe gëzhoja edhe predhat kanë ngelur brenda në automjet. Akti i vetëvrasjes ose vrasjes ka ndodhur shumë më përpara se kur është njoftuar.
Nuk e di nëse është etike për t’u përmendur pozicioni i prekjes së plumbit por ka qenë drejt kokës në formën vertikale.
Babai në mëngjes ka tentuar që të të kontaktojë Qordjen, dhe kur është marrë telefoni celular i viktimës janë parë një sërë thirrjesh që personi nuk është përgjigjur. Makina nuk dihet nëse ka qenë e blinduar, ndërsa sot në orën 15:55 ka mbërritur dosja në Prokurorinë e Tiranës për të vijuar me grupin e hetimit nëse ka patur faktorë të jashtëma, apo nuk ka patur ndikues të cilët mund të kenë sjellë ose jo aktin e vetëvrasjes.
Pyetjet e mia janë lidhur me kohën që është konstatuar nga moment që viktima ka kryer aktin deri në momentin që është kthyer nga aktiviteti i Ambasadës Amerikane”.