Barbarët kanë ardhur…

Lazër STANI

Nuk ka fund paturpësia e drejtuesve të institucioneve në këtë vend. Drejtoresha e Biblioktekës Kombëtare, Persida Asllani, thotë se nuk mban asnjë përgjegjësi për përmbytjen e Bibliotekës Kombëtare.
“Unë përgjigjem për mbarëvajtjen e i nstitucionit, jo për përmbytjen,” thotë drejtoresha e zgjedhur e Ramës.
Po për çfarë mbarëvatjeje institucioni mund të flasësh, kur brenda një viti, njëherë i vë zjarrin bibliotekës dhe një herë e përmbyt, duke dëmtuar dhjetra mijëra libra? Nga viti 1920 e deri më sot, pra plot për nëntëdhjetë e shtatë vite, nuk ka ndodhur asnjë herë që fondi i Bibliotekës Kombëtare të marrë zjarr ose të përmbytet. Madje as në vitet e mbrapshta të luftës. Dhe si në rastin e parë, atë të zjarrit, as tani kur biblioteka u përmbyt, askush nuk mban përgjegjësi, askush nuk heton, askush nuk bën një ekspertizë për të zbuluar shkaqet dhe shkaktarët e këtyre krimeve ndaj librit shqip. Drejtoresha e pohon vetë: “As unë dhe askush deri tani nuk e ka këtë ekspertizë së nga çfarë u shkaktua kjo përmbytje.”
Një ndër ngjarjet më tragjike në histori dhe një ndër humbjet më të mëdha të trashëgimisë së njerëzimit, konsiderohet djegia e Bibliotekës së Aleksandrisë. Për Shqipërinë e vogël dhe të brishtë, shkatërrimi i institucioneve kombëtare të kulturës, Bibiotekës Kombëtare, Teatrit Kombëtar, kinemave të njohura dhe dhjetra institucioneve të tjera që kanë një histori, përbën një krim kulturor, shkatërrim të memories, kthim në barbari. Dhe barbarët tashmë kanë ardhur, janë ulur këmbëkryq në krye të vendit. Ata na qeverisin me mënyrën e tyre, me të vetmën mënyrë që dinë: me plaçkitje dhe shkatërrim.