“Luftë” Maradona- Sergio Ramos

Diego Armando Maradona tha përpara disa ditësh se për të, Sergio Ramos nuk mund të konsiderohet fenomen. Sipas legjendës argjentinase, i tillë është Diego Godin.
Nuk vonoi përgjigjja e kapitenit të Spanjës, i cili ia ktheu me të njëjtën monedhë ish-kampionit të Botës me Argjentinën në vitin 1986.
“E respektoj Maradonën sepse është i madh, por Argjentina e di që Maradona është vite dritë larg numrit 1, që është Leo Messi”, tha mbrojtësi spanjoll.
Në fakt, jo e gjithë Argjentina mendon kështu. Pak ditë më parë, ish-sulmuesi i njohur Hernan Crespo tha për “La Gazzetta dello Sport” se “Messi nuk e fiton dot i vetëm Botërorin, siç bëri Maradona”.
“Messi nuk është Maradona. Nuk e fiton dot i vetëm Botërorin. Këtë gjë duhet ta kuptojnë të gjithë tifozët dhe shokët e tij të skuadrës. Ai është fenomen nëse e vendos në kushtet e duhura, siç bëjnë te Barcelona. Përndryshe, e ka të vështirë. Messi mund të driblojë një ose dy kundërshtarë. Diego u iku 5 anglezëve. A e kuptoni diferencën”, u shpreh Crespo.

Sergio Ramos u shfaq në zonën e përzier të stadiumit, para gazetarëve, pas fitores minimale të Spanjës ndaj Iranit:
Kupa e Botës: “Ju duhet të vlerësoni çdolloj rezultati pozitiv në Kupën e Botës, sepse këtu nuk mund të fitoni lehtë”.
Queiroz dhe dëmtimi i Salah: “Unë nuk do ta vlerësoj atë që ai tha. Jam mënjanë këtyre debateve këtu në Rusi, mendoj vetëm për Spanjën. Me rëndësi është të fitojmë dhe të ecim përpara. Edhe nëse marrim një rezultat të ngushtë, si ndaj Iranit, para së gjithash vlen arritja e qëllimit”.
Arbitrimi: “Ju nuk keni nevojë të bëni vlerësime personale të gjyqtarëve. Duhet të keni një kokë të ftohtë në kompeticione të tilla”.
Irani: “Kur ata pësuan golin e parë, tentuan të na sulmojnë. Tani është i detyruar të fitojë kundër Portugalisë. Ne do të jemi të lumtur me një fitore të tillë”.
Përmirësimi: “Çdo gjë mund të përmirësohet gjithmonë e në të gjitha aspektet. Secila ndeshje është e ndryshme dhe secili luan në një mënyrë tjetër nga ajo e mëparshmja. Na duhet pak më tepër soliditet në aspektin mbrojtës dhe të jemi më të mirë në shfrytëzimin e shanseve të krijuara, duke goditur më shumë nga jashtë zonës kundërshtare dhe duke qenë më efektivë”.
Piqué: “E përgëzova”.
Ramos: “Unë e respektoj Maradonën, sepse është një njeri i madh. Mendoj se është pak “i krisur”, por unë po ju them se cili është futbollisti argjentinas më i mirë. Edhe vetë Maradona e di se është vite-dritë larg nga numri një, Messi”.