Basha shpall vendimin e fortë në Parlament: Lëvizje e madhe për të larguar këtë tradhtar të Shqipërisë

Kryetari i PD, Basha shpalli nga Parlamenti vendimin e fortë të opozitës për nisjen e një lëvizje popullore për të larguar nga qeveria atë që ai e konsideroi si tradhëtarin e interesave kombëtare, Edi Rama.
Basha ka bërë thirrje për një bashkim të madh popullor pa dallim bindjesh politike dhe fetare për të kthyer Shqipërinë në rrugën europiane dhe për të mundësuar intergimin e vendit në BE. “Mos hapja e negociatave ka vetëm një përgjegjës dhe ky është ky njeri që e ka kthyer qeverinë në strehë të krimit të bandave.
Vetëm largimi i tij do të hapë rrugën e integrimit të vendit në BE”, tha Basha. Kryetari i PD deklaroi se tashmë Europa e ka mjaft të qartë panoramën politike dhe ekonomike të Shqipërisë dhe nuk mund të gënjehet më nga mashtrimet e Ramës, i cili i ka gënjyer partnerët ndërkombëtarë përgjatë këtyre viteve si për situatën në vend ashtu edhe për reformën në drejtësi.
Kreu i PD, Lulzim Basha në foltoren e Kuvendit tha se qeveria e Gjermanisë ka marrë vendimin që Shqipërisë mos t’i hapen negociatat për në BE. Për këtë tha Basha ishte informuar mbrëmjen e djeshme, ashtu sikundër u informua edhe kryeministri Rama.

“Edi Rama mbrëmë është informuar, sikundër jam informuar edhe unë për një ngjarje të hidhur dhe me pasoja të tmershme për fatin e negociatave dhe të integrimit të Shqipërisë.
Ai ka ardhur sot të bëjë të paditurin, akoma më keq të fshehë të vërtetën, apo ta manipulojë atë. Mbrëmë, vetëm 24 orë pas samitit franko- gjerman dhe takimit Merkel Macron, kristian demokratët dhe kristian socialët gjermanë, aleatët partia jonë si motër dhe social demokratët gjermanë aleatët dhe partia simotër e PS kanë rakorduar qëndrimin e tyre sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Ashtu si Rama e di mirë, lajmi nga ky rakordim është më i keqi që shqiptarët mund të prisnin. Është një lajm që Shqipëria nuk e meriton, por është verdikti gjerman tashmë jo vetëm i Gunther Krichbaum, as thjesht i Kristian Demokratëve, por i qeverisë gjermane, se Edi Rama ka gënjyer.
Se Edi Rama nuk i ka bërë detyrat, se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave. Në këtë rezolutë që do të bëhet zyrtare javën e ardhshme të martën, për herë të parë Shqipërisë nuk i vendosen thjesht kushte, por edhe një proces kontrolli që demonstron pabesueshmërinë totale ndaj çdo raportimi që është bërë deri më sot nga Edi Rama apo nga hallka institucionale e blerë prej tij”, tha Basha.